Një reflektim përtej meje…Emi Krosi

Emi Krosi

Sot isha në një aktivitet letrar siç shkoj shpesh, herë si referuese herë si dëgjuese dhe herë të tjera, si lexuese! Dilemat e mia përtej Emyy ( emër arti) dhe Emrije Krosi , ajo që ka një numër ID dhe një identitet të sajin (mirë apo keq/ drejt apo e gabuar) në lëminë e skrupulozitetit kulturor/letrar/historiko- politik, ( brenda arealit të shqipshkrimit), jam munduar të gjykoj atë që mua më ka referuar teksti dhe vetëm teksti.

Përtej kësaj në klimën e protestave rinore ( dhe unë pjesë e tyre) kalova në rrugën përballë Toptanit dhe akullorja më bëri të lëpij buzët. Por paratë…Ndalova dhe pashë çmimet. Hezitova. Ec pak hapa para dhe u ktheva mbrapsht. Të merrja një lugë 100 lekë dhe 2 lugë ( kupa) 200 lekë. Dhe llogaria, 3 ditë + tre kafe për një pensoniste si unë, me 270 lekë të reja, më duk luks një kupë akullore, vërtetë luks.

Pastaj, e mora veten me të mirë dhe e pranova një akullore. Por, mendova se ja pse duhet të protestoj. Dhe pse shumë kolegë të mi analista apo intelektualë që hezitojnë, apo artistët dhe kulturologët që “bërtasin” se arti është marrë peng, ku janë? Apo, nën rrogoz me shumë duar marrin diku ca thërrime dhe diku tjetër copëza e diku tjetër pjesë dhe formojnë pazëllin tyre të jetës dhe artit, çfarë arti/kulture/ letërsie ( se jetojnë të gjithë për çmime) duke nënçmuar njëri-tjetrin ose mbiçmuar vetëveten. Neveri! Tradhëti ndaj lirisë së krijimit dhe shpirtrave të lirë. Ju, nuk qenkeni shpirtra të lirë, por të kapur në “grackën” e materiales, se shkrimi për JU, qenka vetëm një mbulesë. Po, “Aleanca e mbrojtjes së teatrit” ku është? Ku janë artistët shpirtlirë? Ku janë shkrimtarët antikonformistë? Ku janë intelektualët, që besojnë tek vlerat e demokracisë?

Dhe sërish dilema hamletiane: të jesh apo të mos jesh! Unë do jem me protestat dhe rininë, sepse “bisha e plagosur” e pushtetit nuk ka më dhëmbë. Ajo nuk kafshon, por vetëm skërmit dhëmbët e krimbur. Kështu, e mbarova kupën e akullores dhe vazhdova drejt autobuzit të stërmbushur të Astirit, një lagje pa asnjë shërbim social dhe kulturor.

Për ju MIQ, me shumë mirënjohje EMI KROSI.

Fundjavë të mbarë!

©Copyright EMI KROSI