Njeriu i Mirë Vladimir Duro-Olimbi Dafa

Njeriu i Mirë Vladimir Duro

Ka lindur më 2 Mars të ’57-ës në Qytetin Stalin, në një familje të thjeshtë punëtorësh. Ka qenë një fëmijë i shëndetshëm dhe i zgjuar. Në moshën 6 vjeç, një vit para se të shkonte në shkollë, ai dinte të shkruante dhe lexonte, si dhe të bënte veprime matematikore deri në një nivel të caktuar.

Ka qenë mjaft i zgjuar dhe e dërgonin shpesh në Mbrëmjet Qendrore që organizoheshin me nxënësit e dalluar. Klasën e tetë e mbaroi me një mesatare të lartë, që dallohej nga të tjerët.

Shkollën e mesme e ka mbaruar në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori” në degën Televizion. Aty u dallua si nxënës me rezultate të larta. Pas mbarimit të shkollës së mesme, i del e drejta e studimit për në Shkollën e Lartë të Bashkuar për oficer.

Përpjekjet e tij për të ndërruar këtë shkollë me degën Elektronike në U. SH.T, nuk patën sukses. I shtyrë edhe nga nevojat ekonomike të familjes, vendosi të fillojë punë e të mos vijojë më tej shkollimin.

Fillon punën si Kryetar i Zyrës së P.T.T-së në Kutalli të Beratit. Mbas tre muajsh kalon në Centralin Automatik të P.T.T-së, Berat. Mbas 7-8 muajsh, në vitin 1977 transferohet në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit Stalin si teknik radiosh i aviacionit.

Në vitin 1985 transferohet në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve si përgjegjës i njërit prej dy dyqaneve të Riparimit të Televizorëve. Pas vitit 1991 vazhdon të punojë si teknik televizori deri në vitin 2002, kohë kur filloi në Televizionin kabllor si drejtues.

Sot Vladimiri është në pension, dhe si pensionist kohën e kalon duke u preokupuar për familjen dhe, një pjesë të saj, me shkrime për njerëzit e mirë.

Është privilegj të shkruash për Ladin, njeriun fisnik, intelektual, mendjendritur, model me vlera të mëdha shoqërore dhe humane, krenaria e Kuçovës që gjithmonë shkruan për njerëzit e mirë.

Ai është një zë i fuqishëm për Kuçovën dhe gjithë Kuçovarët emigrantë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës, me të cilët mban lidhje. Ata shprehin mirënjohje për shkrimet dhuratë që Ladi shkruan për ta.

Ladi i bën të buzëqeshin sepse di të nxjerrë mirë vlerat e tyre dhe t’i lumturojë, duke e sjellë të gjallë atë punë që e bënin me kënaqësi në vendin e tyre, për vendin e tyre. Nuk mungojnë takimet me ta sa herë vijnë në Kuçovë. Oh, sa shumë u shijon ajo kafe që pinë me të dhe ikin të kënaqur nga biseda me këtë gazetar, publicist, njeri babaxhan, bujar, me vlera të rralla njerëzore, me personalitet dhe mprehtësi intelektuale.

Ladi është një njeri i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohin. Është një dritë, një diell, i dashur dhe parimor, zemërbardhë, një model i mirë për t’u marrë si shembull. Në përgjithësi shkrimet e Ladit përcjellin mirësi, pozitivitet, dashuri njerëzore, optimizëm, vlerësime për njerëz të thjeshtë, punëtorë, ushtarakë, duke i zbërthyer mirë e me detaje dhe duke shkruar me dashamirësi për ta… sepse Ai e ka bërë strehë dashurie zemrën e tij për Kuçovarët dhe di të nxjerrë mirë vlerat e tyre.

Shkrimet e Ladit bëhen përherë e më vlerësuese. Publicistika, portrete njerëzore, citate të mençura, ku di t’i zgjedhë duke i seleksionuar dhe duke marrë ato më esencialet. Komentet dhe analizat e tij bëhen me thellësi mendimi dhe sillen në rrjetet sociale me kaq mjeshtëri, me kaq përkushtim, dashuri.

Ato janë prezantimi më i mirë që u bëhen vlerave njerëzore, ato përcjellin mesazhe paqeje.

Ja ç’thotë Ai në citatet e tij, “firmuar” me “Ladduro”, mes shumë e shumë syresh:

“Te ndjesh dhimbje, kur sheh plagë tek tjetri, do të thotë se je NJERI, dhe jo thjeshtë një banor i kësaj toke. Ladduro.”

Ose:

“Nëse nuk angazhohesh në vendosjen e mirësisë, një ditë do përjetosh ligësinë.”

Ladi vërtet shkruan për njerëz të mirë, por ai është ndër njerëzit më të mirë. Në çdo ditëlindje uron në Fejzbuk, duke i shoqëruar me shkrimet e bukura dhe të gjata. Mësuesit janë dobësia e tij, çdo 8 Mars urimi për ta është i veçantë. Ja pjesë nga urimi i sivjetëm:

“- Uroj të gjithë mësuesit, ata që më kanë dhënë mësim dhe ata që nuk më kanë dhënë mësim. Uroj Leonora Canjën, Saemira Pinon, Mira Zaho Mëhillin, Marika Bacin, Tefta Veshon, Xhuli Filipin, Anila Armando Katron etj.”

Dhe pjesë nga komenti i Saemira Pinos në këtë Urim:

“- Sa fat të kesh një mik si ti Ladi. Një urim i bukur që bashkon miliona njerëz të profesionit më të mirë, më fisnik në botën për të cilin çdo njeri ka pasur dhe ka nevojë të ketë sa më shumë ushtrues të tij, sepse ndërsa për shëndetin jo të gjithë e jo gjithë jetën kanë nevojë, për kujdesin e mësuesit kanë nevojë që të gjithë për gjithë jetën. Më nderon që më ke përfshirë në këtë rreth njerëzish që i kujton me respekt.”

Ladi shkruan jo vetëm për ata që e ndërtuan Kuçovën, por edhe për ata që e zhvilluan në fusha të ndryshme, si në atë të arsimit, kulturës, të industrisë, në fushën ushtarake etj.

Njeri me formim të gjerë profesional, racional në arsyetim. Jeta e tij është shumë aktive. Shkrimet e tij dallohen nga sinqeriteti, freskia, origjinaliteti, mjeshtëria e shprehjes. Ja si shprehet Ladi në rrjetet sociale:

“Puno një vit për emrin, të punojë emri gjithë jetën për ty”.

“Emri i autorit njeh veprën, Vepra mban lart emrin e autorit.”

“E sotmja edhe pse produkt i së djeshmes, nuk mund të ndryshojë vetë atë, ndërsa të nesërmen po, asaj i jep fytyrën që ajo do.”

Ladi, atje ku ka punuar, ka ngritur në piedestal figurat e ndritura të aviacionit, Shqiponjave të Kuçovës që çanin retë në qiellin e kaltër, ku në ballin e tyre Ladi lexonte guximin, trimërinë, heroizmin dhe frymëzohej duke shkruar me madhështi dhe dashuri për ta.

Ai ka qenë i privilegjuar mes këtyre shqiponjave që e frymëzonin, ndaj pena e tij shkëlqen me modele të tilla, të këtyre njerëzve me vlera, të cilët si shqiponja çanin qiellin.

Ladi u vlerësua nga Ambasada e Paqes me titujt:

  • Shenjtore “Nënë Tereza”
  • Misioni i Paqes.
  • Ambasador nderi.

Tituj të merituar për këtë njeri të palodhur, për këtë publicist që për gjithë njerëzit hap dritaren e mendjes dhe zemrës që ka të bëjë me rritjen individuale.

Gjithashtu Ladi nxori librin e titulluar: Portrete të njerëzve të mirë dhe vazhdon me volume të tjera, i cili fitoi dhe çmimin e parë, ku iu dha dhe certifikata në Kuçovë.

Një ndër shkrimet më pikante që e kanë vlerësuar shumë për nga tematika reale, është ai me titull “Buka dhe fshatari”. Shkrimi në fjalë, botuar edhe në gazeta kombëtare, tregon fisnikërinë e babait të Ladit, i cili i dha bukën e tij fshatarit që priste me orë te dyqani i bukës për të marrë një të tillë. Siç dihet, në atë kohë fshatarët hanin bukë misri dhe shitëset e bukës në qytet nuk u jepnin. E sjell këtë fakt për të treguar se Ladi është gjenetikisht i mirë, ai mbart vlera fisnike nga babai i tij. Në këtë shkrim, mes shumë të tjerëve ka komentuar edhe Profesori i nderuar, z. Ethem Ruka. Ja si shprehet ai:

“Shkrim fantastik, që nuk ka asnjë shkronjë të tepërt.”

Ladi ka të njëjtat vlera edhe si gjysh. U kënaqa kur pashë angazhimin e gjyshit dhe gjyshes për mbesën në rrjetet sociale, për ditën e verës, ku Luna e vogël qëndron gjithë shënd e verë dhe e qeshur para një tavoline me pjatanca të mbushura plot me bollokume, të bëra enkas për këtë ditë të veçantë që t’i shiste. Dhe kënaqësia më e madhe është se lekët që ajo do fitonte nga kjo shitje do t’i çonte në një xhami për bamirësi.

A nuk kam të drejtë që të them se dardha bie nën dardhë? Sa bukur, kur që në vogëli i mëson fëmijët me këtë ndjenjë bamirësie, e cila e shoqëron tërë jetën për të bërë dhe vepra të tjera humane. Dhe Luna e vogël duhet të jetë krenare për gjyshin dhe gjyshen, të cilët e edukojnë me një frymë të tillë.

Miqësia që ju keni krijuar është ajo që i reziston kohës, distancës dhe heshtjes, shprehet Silvana Dhimolea: Edhe të vlerësosh vlerat është vlerë, vlerësim për ju!

Që të shkruash për Ladin duhet një roman, por unë kaq shkruajta se për të do shkruajnë më pas dhe shumë kuçovarë. Respekte për këtë figurë të shquar, i cili e ngriti në piedestal emrin e Kuçovës, duke pasqyruar me kaq dashuri dhe respekt punën dhe aktivitetet e njerëzve të mirë të Kuçovës, si brenda dhe jashtë saj.