Pandehmë ftohme- Ruzhdi Gole    

Ruzhdi Gole

                                                            (poe-prozë)


Ftohma e beftë sikur vërshoj nga shpellat përqark ngrehinës. Menjëherë nga çatitë po binin cikma. Ato përziheshin me njera-tjetrën, treteshin tek balta që rrëshqiste përreth. Gjithçka nxitonte para syve të mi jashta nga dritarja e shkallëve.                                        


Mos harro peshkun – dëgjova zërin e gruas, teksa kisha dal nga guva e shtëpisë. 
Jashta, pashë disa frymorë te trembur nga kjo e beftë që dukej sikur po ngrinte krye ndaj frymorëve të tjerë, që ishin xhveshur më shpejt. Dikush duke ecur lehtas me trupin e tij të rregjur e dikush me frymën e njomësht të tij. Sa ia behu cikma të tjerë frymorë u gëzuan dhe nisën të xhvisheshin edhe më nga teshat e tyre duke vrapuar në bregun e detit. Ajri, gjithandej plot gulçe, vetëm tek bregu mbushte mushkëritë e veta. Pandehma këqyrte gjithçka, numëronte Vijat e Bardha, mbikalimet, shkundtte herë pas here rrasat e saj. Siç po dukej, simboli i rëndomtë i çdo dite të shkuar pak nga pak ndoshta dhe njëherazi do të daravitej sëbashku sot me tablotë, penelatat, kolltukët, kremrat, prezervativat e… f’tyrës, stërvitjet e ligjërimit. 
Ku ka peshk sot, moj grua – i thashë vetes. – Mbrëmë, pas atij qameti, askush nuk është nisur për lundrim.
Gjithandej, përmes ngrehinës sa të zymtë e lozonjare, shihja e dëgjoja që Fjala mbante përkrah fjalën. Një për të gjithë, besuar të gjithëve, tani siç ndjehej e po dukej, nuk i besohej më askujt…
Në një parafytyrim të vetetimtë para meje tundeshin e shkundeshin rrjeta peshkimi, fenerë gjysma sysh, lëmyshqe e ndonjë peshk i tymosur nën yje.
Ç’yje?-qesha me veten. – Eshtë mëngjes.
Ngrehina jetonte mikpritje. Shpesh mikpritjet e besimet fetare e detare, jo aq detare-fetare tek ajo; n’përkëmbeshin qysh në lutjen e parë, qysh në lundrimin e parë. Kërcinj e trung, shkelje kurore, mbytje direku, rrahje, gjakderdhje. Gjithë kjo rrëmujënajë, o Zot! Atëhere gjithçka gulçojnë keqas, gjithandej qante ngashërimi. 
Syve të mi a para syve të mi kërcente një peshk. Vetëm një? Halat e tij shpërndaheshin, hynin e dilnin nga flegrat e ajrit.
-Do të ta sjell peshkun, o grua… Në mos peshkun do të të sjell një guackë.
Ecja përkrah Pandehmës. Asaj s’i bëhej vonë se e shihnin a nuk e shihnin frymorët e tjerë, ata që nuk i afroheshin ose që pëshpërisnin n’për dhëmbë ndonjë mëdyshje, pakënaqësi endacake. Pakënaqësitë ngriheshin lart, ecejaknin përkrah njera-tjetrës, pas ose vraponin përpara. Të tjera pakënaqësi tështinin, i zinte një kollë e paprerë. Çapiteshin dorakëmbas e fshiheshin mbas supeve të njera-tjetrës. Ngrehina mbushur plot me medaljone dikur tani dukej më së miri e grabitur. Kjo mospërfillje e saj ndaj minares së rrëmujës dukej paksa (ndoshta) dhe shumë tinëzare pasi lutjet nuk këndoheshin nga minarja vetëm për besimtarët e thekur herazi.
Shpellat e ngrehinës gogësinin gjatë mëngjesit, çelnin sytë e tyre diçpak në mesditë. Në mbrëmjemesnatë shpella dilte nga errësirnaja e saj e qarkonte gjithandej gjithçka. Njera pas tjetrës, secila shpellë ndizte llullën e vet, tymoste hundë e buzë të ngrehinës. Ngrehina vet tingëllonte fuqishëm. Mjegulla, e çarë, shtrihej si një rrjetë e stërmadhe mbi ngrehinën dhe frymorët. Kjo rrjetë nuk zinte peshq, por të bërtitura e drobitje, kanosje, premtime, gjyqe dhe gjyle, vela të fishkura dhe një timon të hallakatur. Timoni bëhej gati të rrotullohej e rrotullohej 
duke e çuar mjegullën herë para doganës, gjykatës, policisë me bark e kapele yndyre.
(Ku janë peshkatarët?- pyeta veten.- Asnjë, për be. Dehen a gërhasin, kushedi. Asnjë kokërr peshku. Shtegtojnë të shumohen, kushedi. A ia mbathin për ca kohë tutje bregut, hyjnë në të tjera thellësira të mos shurdhohen nga shkrepja e tinëzarëve.)
Pandehma, asnjëherë, nuk qeshte pa derdhur lotë prej pabesie e zhgënjimi a guximi të vonë njëherazi dhe asnjë nga pandehmat nuk qante pa bërtitur e u rrahur keq nga cikmat brenda tyre. Cikmat, sa dilnin jashtapërjashta nga goja e errët shpellore përgojoheshin gjithandej si të shthurrura, kërcënuese e të padenja për të jetuar e përqafur grykas ngrehinën popullore.
Ngrehina, në të vërtetë, nuk qarkohej nga asnjë gojënate, siç e quaj unë shpellën, asnjë cikmërrëmujë. Ngrehina qarkohej nga zinxhirë të padukshëm, plot gjemba, gropa të plasura me erë myku e pjellash të pagroposura ende ose të groposura atykëtu kalimthi. Fare kalimthi sa për të mos ngrënë ndonjë ndëshkim të rëndë nga kontrolli më shkel e shko sanitar.
Ftohma nuk ndëshkohej asnjëherë. Ftohma s’ishte ndëshkuar as kur kishte ardh’ çakërqejf e pa ftesë në zjarrminë e gushtit, pale në gusht gunën që vinte pas. Për hir të së vërtetës i takonte të krenohej se po zaptonte gjithçka. Ftohmës, nuk dihej kush ia kishte marr, rrëmbyer e përlarë gunën që u duhej frymorëve. As tashmi nuk dihet se kush ua kthen paqësisht jo aq paqësisht gunën njerëzore frymorëve nga mesi i nëntorit tonë flakadan.
Frymorët aty xhvisheshin akoma, aty visheshin. Disa vishnin vetëm njerën këmbë të pantollave e njerin krah të këmishës duke gjykuar e dyshuar se Ftohma ia bënte gjithçkaje me hile dhe zjarrmia nuk mund ta përzinte e përcëllonte ftohmën pa dëshirimin e saj.
Përqark shihja këpucë të zbathura, që tërhiqnin zvarrë plehurina. Ato endeshin andej-këndej, poshtëpërpjetë të gjenin këmbët e frymorëve. Frymorët sa gjenin këmbët e tyre (këta argatë kokulur të baltës e të llohës, të nxehtësisë e të pllaquritjeve,) dhe sa i rehatonin gishtrinjtë e mbufatur me kallo, u arratiseshin krahët. 
Kujt donin t’ia prisnin krahët ? Njeriut?
Njeriut të dikurshëm, të këtushëm, të nesërm?                                                   
     Mjaft, mjaft, mjaft.!… 
Jetojmë mjaftueshëm për të mos u arratisur nga ky vend, për të mos e mallkuar. 
Kë të mallkojmë? Cipën tonë të ndritur e te zbërdhylët, fenerin sy lundrues ?
I ktheva kryet Pandehmës së ngrohtë mëngjesore. Ajo ia ngrohu pak paksa duart ftohmës sime.
Moli belbëzonte nga anijet e peshkimit.
Ç’të shoh? 
Pas, mua, po më ndiqte një peshk, jo peshk, por një guackë për gruan. Asnjëherë nuk jam kthyer bosh duarsh në shtëpi edhe kur gishtat i kam lenë diku dikund dikur…