Paradoksi… Safet Sadiku

Skicë humori:

PARADOKSI I POLITIKËS SHQIPTARE!

Kur Evropa përgatitet për të papriturat, ne përgatitemi për të festuar sukseset!

“Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat.” – Thënie që i atribuohet Viktor Hygoit. Mos harroni se madhësia e peshkut nuk e garanton mbijetesën, sidomos kur uji dhe ushqimi varen nga të tjerët!

Në shumë vende të Bashkimit Evropian, qeveritë kanë filluar t’u flasin qytetarëve për përgatitjen e rezervave ushqimore, ujit të pijshëm, artikuj tjerë ushqimorë dhe mjeteve të domosdoshme për situata emergjente. Pra, evropianët po mendojnë edhe për atë se çfarë mund të ndodhë nesër, në rast se gjërat nuk shkojnë sipas planit. Pra, po flas për krizën globale.

Ndërsa ne shqiptarët, si gjithmonë, kemi një qasje pak më optimiste. Pse të merremi me rezervat ushqimore, kur kemi rezerva të pashtershme fjalimesh politike?!

Në Kosovë na flitet për rritje ekonomike, investime dhe suksese qeverisëse.

Në Shqipëri na flitet për integrimin në Bashkimin Evropian, për kapitujt e negociatave dhe për përmbushjen e kushteve të anëtarësimit. Me pak fjalë, njëra palë na premton se po pasurohemi, tjetra se së shpejti do të bëhemi evropianë me dokumentacion të plotë!

Ndërkohë, qytetari shqiptar mund të vazhdojë të përgatitet për emergjenca me mënyrat e veta: pak miell, pak vaj, ca makarona dhe, mbi të gjitha, një dozë të madhe durimi për të dëgjuar konferencat e radhës për sukseset historike.

Por këtu fillon edhe pjesa më interesante e kësaj komedie politike!

Kemi dëgjuar për peshq të vegjël dhe peshq të mëdhenj në politikë. Por ekziston një e vërtetë që nuk mund të mohohet: sado i madh të jetë peshku, pa ujë nuk lëviz dot!

E nëse peshqit e mëdhenj të politikës shqiptare e kanë lënë furnizimin me lëndën e parë jetike, drithin e grurin, në duart e tregjeve dhe furnizuesve të jashtëm, përfshirë edhe Serbinë, atëherë kemi një paradoks që meriton të diskutohet seriozisht.

A nuk është paksa ironike që flasim për sovranitet, siguri kombëtare dhe integrim evropian, ndërkohë që siguria ushqimore mbetet një çështje e varur nga zinxhirët e furnizimit përtej kufijve tanë?

Pra, peshqit tanë politikë mund të jenë shumë të mëdhenj, mund të kenë akuariume luksoze, por nëse dikush tjetër kontrollon ujin, nuk është e sigurt se sa larg mund të notojnë! Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe të flitet për rritje ekonomike apo integrim evropian. Përkundrazi! Por do të ishte mirë që, krahas grafikëve të rritjes dhe hartave të integrimit, të na tregohej edhe sa të përgatitur jemi për krizat, sa të sigurta janë familjet dhe sa funksionale janë institucionet.

Duket se ne kemi një talent të veçantë: edhe kur bota përgatitet për ditë të vështira, ne vazhdojmë të festojmë ditët e suksesit!

Dhe pikërisht këtu na vjen ndër mend ajo shprehja e njohur:

“Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat.”

Një thënie që, pavarësisht kohës kur është thënë dhe autorësisë që i atribuohet, duket sikur na kujton se sakrifica, pushteti dhe përfitimi jo gjithmonë kanë përfunduar në të njëjtat duar.

Heronjtë luftuan për liri, qytetarët ëndërruan drejtësi, ndërsa politikanët vazhdojnë të na shpjegojnë se sa shumë kemi përparuar.

E vetmja gjë që mbetet për t’u sqaruar është: nëse gjithçka po shkon kaq mirë, përse qytetarit i duhet ende kaq shumë durim për ta shijuar këtë sukses?

Dhe, në fund, një këshillë për peshqit tanë të mëdhenj: mos harroni se madhësia e peshkut nuk e garanton mbijetesën, sidomos kur uji dhe ushqimi varen nga të tjerët!