=Shënim mbi portretin dhe profilin letrar të Vitori Omeri-Muçi=
Nga Agron MEMA
Nuk marr përsipër të përshkruaj dhe të prezantoj një portret apo profil të plotë letrar të poetes dhe shkrimtares çame, Vitori Omeri-Muçi. Krijimtaria e saj është në shumë gjini letrare si, autore e një serie poezisë, eseshë, reportazhesh dhe skicash të botuara në organe të ndryshme të shtypit të shkruar dhe ato sociale, kryesisht në gazeta me editorial letrar , por edhe në ato me suplemente të caktuara letrare në faqet e tyre. Në krijimtarinë e saj trajton temat e çështjeve sociale dhe ato shoqërore, ato psikologjike dhe dilemat problematike të individit me një frymë artistiko-filozofike. Më të spikatura që kanë lënë gjurmë në krijimtarinë e saj dhe tek lexuesi janë shkrimet “ Makiaveli i paragjykuar dhe Monteskje i tjetërsuar” si dhe esera të tjera me përmbajtje refleksionesh. Përtej këtyre ka botuar librat “ E fshehta drithëruese”, ku vet titulli paralajmëron lexuesin për tematikën e zgjedhur dhe idetë që lexuesi do të marrij nga leximi se edhe ndjeshmërisht në elektro-kiminë e trupit , në vetvete si abstraksion, e fshehta përmban dhe përcjell molekula drithërimi. Edhe vëllimi poetik “ Puthje shkëmbinjsh” në përmbajtje ka metaforë të fuqishme dashurore. Askush s’mund të rrojë pa dashuri, pa këtë ndjenjë njerëzore rrezatuar nga dielli i Perëndisë, aq sa edhe shkëmbinjtë e ftohtë s’i rezistojnë dot ftesës epshndjellëse të puthjes. “ Lundërtarët e muzgut” me rrëfenja me vet titullin të sjell peisazhin pertëndimor të brigjeve detare kur lundërtarët kthehen nga peshkimi mbuluar me vellon e muzgut prehës e qetues, por lundërtarët e Vitorisë janë lundërtarë në detin e dashurisë buzë muzgut të puthjes që të mbyll sytë prej kënaqësisë. Në prozë është po kaq e suksesëshme sa edhe në poezi. Ka botuar librin “ Vetja ime tjetër” me tregime e novela, ku gjenë ato tematika që autorja i deklaron në një varg të një prej poezive të saj të arta kur shkruan: “ Unë buzëqesh ndryshe/ Jo me sy, as me buzë,/ Por me gjithë qenien time,/ Se jam femër, se jam muzë.” Këtë poezi, strofë të një poezie e ka kthyer në subjektet e tregimeve të prozës së saj tek “ Vetja ime tjetër” duke zbritur tek froni më i lartë i prozës me romanin “ Të pathënat”, sepse shpirti asnjëherë s’i thotë të tëra, përherë mbetet diçka në skutat e tij. Minierë që mbeten grimca xeherori sa herë të gërmosh. Sepse sipas saj, në një strofë poezie: “ Çfarë e përsosi njeriun,
Qoftë ai skllav apo mbret,
Përgjigjen pyetja merr,
Kur gjuha e kohës flet”
Dhe shkrimtarët, poetët, artistat, janë kronikanë të kohës, të historisë, të ngjarjeve, të personazheve dhe personaliteteve, dëshmitarë të kohës që jetojnë dhe nuk mund të rrinë pa e trasmentuar dhe lënë trashëgim mos ta mbulojë pluhuri i harresës.
Vitoria, preludin, qëllimin, misjonin artistik të saj e prezanton me premtimin e pandalshmërisë së krijimtarisë së saj në një prej poezive të librit “ E fshehta drithëruese:
“ Unë kam shumë për të rrëfyer,
S’mund t’i shpreh veç me histori,
Durim kush do ketë për ti lexuar,
Të vërteta e trille, bashkë janë aty.
Të gjitha historitë ju mos i besoni,
Aty ka shumë vend për të hetuar,
Enigma midis rreshtave mund të ketë,
Dhe shumë të tjera për t’i nënkuptuar.
Fantazia në to është lënë e lirë,
Shpesh bëj ato, që s’i bëra në jetë,
Por edhe e vërteta aty ësht’ e fshehur,
Lodron bashkë me dashurin’ e vërtetë.”
Nuk ka më bukur e më qartë prezantimi i krijimtarisë së saj nga vet autorja në komunikim të drejtëpërdrejtë poetik me lexuesin, aq sa nuk ka nevojë për parathënie të tjera në asnjë prej botimeve të saj. Ajo vet i ka thënur të gjitha. Poetja dhe shkrimtarja Vitori Omeri-Muçi në krijimtarinë e saj të larmishme e përball lexuesin herë-herë me pyetje që mbeten po aq të forta në vështirësinë e mundësinë e përgjigjes, sidomos në nëntekstin poetikë të vargjeve se çfarë kuptimi ka jeta? Sa përballemi me absurdin dhe si mundohemi ta tjetërsojmë që ti japësh kuptim qenis tënde se çfarë do të thotë të jeshë i lirë dhe të marrësh përgjegjësi për zgjedhjet e tua, ashtu siç është shpirti i poetit, me dashurinë dhe dhimbjn e tij. Këto i sjell me pjekuri artistike, me reflektime mbi jetën dhe kryesisht mbi botën e ndjenjave që u ngjajnë hijeve të mureve që s’kanë më gurë, që janë si jehona e humnerave të harresës këpucëgrisura, që mbi këto humnera dhimbjeje ( sepse poetja është çame dhe dihet tragjedia çame syri i së cilës është përherë i mbushur me lot) vajton kënga qyqes, dhe loti i dhimbjes si brumi i bukës që s’u poq kurrë por mbeti në magjet e shpirtit të gjakosur. Në poezinë dhe prozën e Vitorisë gjen vargun dhe fjalën e saktë për t’a adhuruar dhe kuptuar në esencë subjektin dhe subkoshiencën e krijimtarisë së saj.
Dhe , brenda kësaj, kushdo që i lexon poezitë dhe prozën e saj, kupton se Vitoria njeh mirë realitetin, shpirtin dhe veçoritë e tyre, duke mos u ndikuar nga vargjet dhe fjalët-reklama mashtruese. Ato e bëjnë krijimtarinë e saj të vërtetë, vuajtjes dhe dashurisë i jep pozicion jete dhe larg mëshirës, por me kultin e drejtësisë, mirësisë, dashurisë, mirëkuptimit dhe besimit tek misjoni i paqes që ka poezia në vetveten transmentuese. Ndaj kur e lexon Vitorinë ndien kënaqësi dhe qetësi shpirtërore, zgjerim të kraharorit, rehati të zemrës dhe lumturi në këtë botë. Në fund të këtij shënimi dua të shtoj si mbyllje një vlerësim për krijimtarinë e Vitorisë nga poeti i shquar, tanimë i ndjerë, i paharruari dhe i miri Demir Gjergji. Ja si e vlerëson ai.
“ Situata, skena, tipa e karaktere, dialogë e përshkrime mjedisesh apo peisazhesh, rite e tradita, shqetësime e meditime, të shprehura me një gjuhë sa të zakonshme aq edhe të përzgjedhur artistikisht. Gjithashtu poezitë të duken si të përjetuara nga lexuesi, sikur secili prej nesh është personazh i natyrshëm dhe mendon e thotë edhe ato që autorja, me intuitën e shkrimtares, ndonëse është në fillimet e saj si prozatore, i ka kursyer duke ruajtur një stil konciz dhe një ritëm rrëfimi që të rrëmben fraza e parë e deri tek e fundit e këtyre rrëfimeve. Në shumë prej rrëfenjave të këtij libri ka një shkrirje të natyrshme, pa artifice e truke të letërsisë me zhanre të gazetarisë, ka një harmonizim të akorduar bukur midis kohëve, njerëzve, hapësirave, emocioneve të kundërta dhe gjendjen të përjetuara skajshmërisht. Prandaj libri lexohet me një frymë në çdo frazë, paragraf, episod e faqe të tij. Vitoria, që të grish këndshëm me poezinë e saj, në prozë të fton me “ dhunë” t’a lëshë mënjanë celularin e t’a lexosh deri në fund”.
Kjo është pak a shumë portreti dhe profili letraro-artistik që ka Vitori Omeri –Muçi, krijimtaria e së cilës na detyroi të ndalemi e të shkruajëm. Urime dhe suksese Vitori!
Sarandë; 05-10-2026
.