Ruzhdi Gole

PE DHE GJILPËRË
(prozë)
Fillikati jeton me të tjerë. Gjysmënate fjeti paqtë. Pasmesnatës psherëtiu e u kollit, tështiu e u zgjua shpesh. Përgjumsh veshi pandoflat, shkoi në tualet, derdhi ujët e hollë. Lau pëllëmbët, i hodhi një grusht ujë syve. Doli në ballkon. Errët, gjysma errët. Dritat e portit buzagaz i njera - tjetrës. Errësira më tej, e gjitha përhitur. Si përgjumsh.
Fillikati fle pak. Kur ia do qejfi fle tumbulla. Edhe sikur gjyle të bien nga ai krah që shtrihet nga ai krah do ngrihet kur t'ia thotë mendja, kur t'i çel syri. Fillikati zgjohet herët në ag. Si peshqit.
(-Shtyhu, o shushaqe, se plasa vape !)
Fillikati u mbështet tek pervazi i ballkonit. Gjithandej, gjer afër tij, fluturuan e u shpërndanë fletushka bardhzi. Atij vetëtimthi iu shfaq hamendja se shumë të vetmuar, po niseshin përtej bote. Disa nga përcjellësit e tyre lotonin ngashërimesh, disa me pika vese. Ndonjeri ose dy-tre vinin buzët në gaz. Hutoheshin pse ecnin me të tjerët. Sillnin ndërmend qesënditë nga jeta e njeri-tjetrit. Ndonjë sy i shihte rreptë. Ata, ulnin zërin e kryet pendese. Shakaja shpejt mbyllte buzët. Vetëm vdekja nuk pendohet asnjëherë. Ndoshta, pa ia thënë kujt, ajo lëndohet e pendohet vetëm kur përcjell matanë fëmijë. Ajo, ndonse kaq e fuqishme në triumfin e saj, nuk e vë buzën në gaz.
Gjysma tjetër e hamendjes e trazoi filikatin me nxitim sikur ata të përtejmit po ktheheshin për një kafe. Nga padurimi dhe të mërzitur thellë, ngaqë të afërmit e tyre, më të afërmit gratë e fëmijtë, ua kishin kthyer shpinën vorreve të tyre. Nuk u pa qartë se cilat duar i fluturuan përpjetë fletët bardhzi, nuk dukej qartë se cilat duar i mblidhnin ato aq shpejt sa të dukej sikur n'ajri për herë të parë, ndoshta dhe të fundme, shfaqeshin gishtrinj përthithës.
Plasën ujërat?
Plasën nekrologjitë?
(-O, shushkë, akoma po gërhet?-belbëzoi fillikati duke kthyer kokën nga dhoma e fjetjes. Kujt i foli ?)
Përsëri nisi të shihte përjashta. Ajri merr frymë i qetë, shpenguar. Asnjë prej fletushkave bardhzi nuk i hyn në gojë e në veshë. Mushkëritë ajrore gufojnë gjithandej plot aroma të këndshme dhe pleh. Feneri mbi kodër fërkon lehtë-lehte syrin e vetëm dhe fatlum, pa u merakosur, ngaqë i këqyr të plota në horizont pamjet me retinën e tij.
Ora e madhe sikur i humbi akrepat, gjithë numrat. Aty nisën të shfaqeshin e të mplekseshin fytyra të shëndetshme e shëndetliga.
(M'u hiq sysh, bythkë, moj shkretëtirë!- përsëdyti fillikati. Kujt i foli ? Orës, një fytyre të njohur që ia behu aty ? Zëri i tij ky, i një tjetri?)
Fletushkat ende fluturonin përpjetë, luhateshin e l'piheshin lehtë-lehte mbi pervazin e ballkonit nga ku fillikati, jo aq fillikat, shihte gjithçka përjashta. Tani shihte shtiza për të thurrur, shtiza aq të mëdhaja sa me to mund të thurrje qilimin më të madh fluturues me mjegull e me plot re. Shihte daulle të rrjepura nga festivali i tymit dhe i rrëmujës plot proletarë hanxhinj, oxhakëfshirës kacavjerrës. Ca tespije pllaquriteshin
tek pellgu më qelbanik poshtë ballkonit.
Gjersa shihte e dëgjonte përreth si mund të ishte fillikati fillikat ?
Lum si ai! Zgjohet pa bori ushtarake, nuk
vesh këpucë të rënda, nuk i picërrojnë
sytë tek gaveta e ditës. Lufta e përpin
shpejt njeriun, Ai e paguan shtrenjtë. Ajo
e paguan pak, fare pak.
Fillikati, jo filli - koti, sheh me një sy, dëgjon me një
vesh. Plot pamje i afrohen, i
anashkalojnë. I ndizen reflekse, ndoshta
jo aq të spikatura. Veshi i tij i rrëmben
ca tinguj rrugës dhe ia përplas pa të keq
timpanit.
Njeriu ushqehet me mjerim. Mjerimi paguhet lirë. Ai e paguan shtrenjtë gjithçka.
Plaç o botë pa fillikatë! Botë e
kokolepsur keq prej fateve : rrofsh !
Rrofsh e plaç?
Pra, jetohet edhe në fije të perit? Jetohet
por jo pa perin në gjilpërë, jetohet edhe
një hap, por jo pa gjurmën ngulur mbi
gur. Nuk jetohet pa vetëtimën
shkuar në brez.
Mbathi këpucët fillikati im! Dil në rrugë!
Mos t'i marr marria mendttë dhe i bie
shkurt nga ballkoni?! Ftillohu, pra,
ftillohu !. Mos ki frikë nga vetja! Nga
vetja paç përhera frikë e droje!
Mos të zënte nata më e gjatë në shtrat!
Mbathja, mbathja sa të mundesh, o
fillikat ! Një hap, një gjysmë hapi prej
njeriu jo filli - koti as fillikati.
Përtërihen grunjërat, hardhitë, përqafjet...?