Për novelën Krasma n’Çarshi që u promovua sot- Eva Gjoni

Për novelën Krasma n’Çarshi që u promovua sot. Eva Gjoni. 

Duke lexuar veprën çdo njeri i jep asaj ngjyrimin e vet, ky është imi.

Bazuar në një rapsodi popullore, autori i vëmendshëm ndaj vargut, kupton se pas fjalëve të thjeshta dhe motiveve që duken të përditshme fshihen fakte dhe elemente të bashkëlidhura që nuk qëndrojnë në rend logjik, bashkëqëndrues.

Pikërisht ato detaje të vogla, që në pamje të parë duken zbukurime poetike për t’i dhënë ngjarjes dramacitet, janë çelësi për të kuptuar se kënga mbart një kuptim më të thellë, një të vërtetë të fshehur mes vargjeve.

Në vështrimin e autorit rapsodia nuk është kënduar drejt. 

Ajo mbulon me heshtje tragjedinë e një dashurie që nuk mund të shpallej, sepse Kanuni me peshën e tij të hekurt, përcaktonte kufijtë e ndjenjës dhe të fatit. Nën hijen e këtij kodi të pamëshirshëm, dashuria humbet lirinë e vet, dhe lidhja e dëshiruar shndërrohet në martesë të imponuar kanunore. Kështu, kënga që në dukje rrëfen nderin dhe krenarinë, fsheh brenda vetes tragjedinë e vërtetë të njeriut të mundur nga fati, pavarësisht rendit shoqëror që i përket.

Autori, duke lexuar me ndjeshmëri dhe intuitë, depërton përtej sipërfaqes së fjalëve, ai kupton se çdo varg, çdo kthesë ritmike, çdo përsëritje që duket e pafajshme, mbart një mesazh të pathënë. Rapsodia kthehet në një rrëfim që flet me heshtje, në një histori ku e vërteta nuk thuhet, por ndjehet. Kjo e bën librin të marrë një ton investigativ, por edhe thellësisht romantik, një përpjekje për të shpëtuar kujtimin e një dashurie që u mohua nga koha e vet.

Në këtë lexim, rapsodia popullore shfaqet si një arkiv emocional i kolektivitetit, ajo nuk ruan vetëm ngjarje, por ndjenja që nuk patën zë. Nën shtresat e saj autori gjen një histori njerëzore, ku fati, nderi dhe dashuria përplasen në mënyrën më tragjike të mundshme, aty ku zemra sfidon rregullin, por rregulli fiton mbi jetën.

Në thelb, kjo vepër na kujton se letërsia popullore, sado e thjeshtë në formë, është një pasqyrë e thellë e shpirtit njerëzor. Rapsodia në këtë rast nuk është vetëm këngë, por rrëfim i një përplasjeje të përjetshme midis ndjenjës dhe detyrimit, midis lirisë së shpirtit dhe kufizimit të moralit sundues.

Ajo që nuk mund të thuhej, u këndua ndryshe, ajo që nuk mund të jetohej, u ruajt në këngë si e vetmja mënyrë për të mos u harruar.

Kështu, përmes syrit të autorit, rapsodia bëhet dëshmi e një dashurie që mbetet përtej kohës dhe asaj norme ndëshkuese e cila na ndjek që në lindje, një kujtim që vazhdon të frymojë në heshtje, si një refren i bukur shpirti që lë pas dhimbje.

Në fund ajo që dallon në këtë vepër është mënyra si autori e ka ndërtuar rrëfimin si një ansambël folklorik fjalësh të përzgjedhura me kujdes, duke patur një vijë lidhëse me rapsodinë, duke respektuar burimin nga e cila erdhi kjo vepër.