Përshëndetje, Perëndeshë Kosovë!Migel Flor

Migel Flor

Prizren, 18.06.2026

Përshëndetje, Perëndeshë Kosovë!
Vij nga Çamëria e hakëngrënë dhe përulem para martires Kosovë, duke të dhuruar trëndafila shpirti.
Vij nga mërgimi për t’u çmallur me vëllezërit dhe motrat e mia kosovare.
Vij me këngët e Çamërisë dhe me poezinë time, thurur kurorë për legjendarët e kombit, Isë Boletinin dhe Adem Jasharin.
Vij nga Jugu im për të përqafuar Veriun tim, për të puthur ballin e poetëve pendë-shpatë të Dardanisë.
Erdha së largu, me krahë shqiponje, për të parë të përqafuara dy binjaket e një nëne: Çamërinë dhe Kosovën, dy heroina të mbuluara me lavdi e legjendë.
Kur ju, dardanë, u detyruat të largoheshit nga trojet tuaja, nga flakët dhe rrufetë e kohës, ne, vëllezërit tuaj në Jug, lotonim për ju. Me zërin e zemrës luteshim:
“O Zot, mos paçin fatin tonë!”
Dhe Perëndia na dëgjoi.
Ju u kthyet në vatrat tuaja.
Po ne, Çamëria, a do të kthehemi vallë një ditë në trojet e etërve tanë?
Besoj se edhe për ne, një ditë, Zoti do të vërë dorë.
Atëherë kur gjaku dardan bëhej shkumë nëpër udhët e luftës, një këngë labërie u bë himn. Ishin vargjet e një poeteje që digjej për Kosovën dhe Çamërinë:
Sa po lind fëmija,
Mbi flamur vë dorën;
Fjalën e parë: “Nënë”,
Të dytën: “Kosovën”.
Ky është poeti që pendën e ngjyen në bojën e zemrës për mëmëdheun dhe lirinë.
Faleminderit, Kosovë!
Faleminderit, Prizren!
Faleminderit, Qazim Thaçi