Përtej kufijve: Irma Kurti dhe Daniela Karina Tomè i këndojnë dashurisë universale

Një tjetër projekt i ri muzikor  midis artistes argjentinase dhe poetes italo-shqiptare Irma Kurti. Kënga titullohet “Unë e kam dashur këtë njeri” me tekst dhe të interpretuar nga Irma Kurti si dhe të kompozuar nga Daniela Karina Tomè. Ajo dëshmon se poezia dhe arti janë të aftë të lidhin njerëzit që jetojnë në skaje të ndryshme të botës. Të dyja artistet i bashkon i njëjti pasion për krijimtarinë dhe muzikën. Në këtë këngë ndërthuret delikatesa e fjalëve në kontestin e një atmosfere vokale intime. Kur u këndohet ndjenjave siç janë dashuria, vuajtja dhe lotët, gjuha nuk përbën një limit; ajo shndërrohet në universale dhe kuptohet nga gjithkush.

“Unë e kam dashur këtë njeri” nuk është bashkëpunimi i parë. Rrugëtimi i tyre artistik ka nisur me “La chaqueta de tristeza” (Xhaketa e trishtimit), një këngë lirike në gjuhën spanjolle e kënduar nga Daniela Karina Tomè me tekst të shkruar nga Kurti, pjesë e albumit të ri “ Sirena triste” të kantautores argjentinase.

Me këtë projekt të ri, të dyja artistet ritakohen për t’i dhënë jetë një kapitulli të ri, duke treguar se arti lind, mbi të gjitha, nga takimi dhe ndarja e përvojave.

Lidhur me punën e përbashkët për realizimin e këngës, Irma Kurti tregon: “Kompozitorja e ka përshtatur muzikën në mënyrë kaq të bukur dhe natyrale me vargjet, sa çdo fjalë përputhet dhe gjen jehonë në notat muzikore. Daniela ka arritur të hyjë në atmosferën, kuptimin dhe metaforën e tyre. Sepse muzika dhe poezia nuk janë një limit, por hapësira ku krijuesit bashkohen pavarësisht nga distancat”.

BIAGIO FORTINI