PLISI I BARDHË
(Kujtimit të gjyshit tim, Rexhep Bajram Berisha)
(Shënim: Sipas traditës së vjetër shqiptare të mikpritjes, nëpër shtëpi dhe oda gjyshi thirrej dhe njihej nga njerëzit me emrin e babait të tij: “Rexhep Bajrami”. Kjo poezi i kushtohet kujtimit të tij të ndritur.)
Mbi ballin e rrudhur nga shekujt e gjatë,
Qëndron si kurorë, i bardhë e i pastër,
Nuk është thjesht lesh i rrahur me shpatë,
Por dritë mbi çdo odë, mbi truall e mbi vatër.
Simbol i Kosovës, ku besa ka fole,
Mbi krye të burrave që s’përkulën kurrë,
Ti zbret nga ilirët, o i lashti i kësaj toke,
Mbi ballë të shqiptarit, i fortë si një gur.
Ke ngjyrën e borës që shkrin mbi gërmadha,
Kurorë e lirisë që s’blihet me ar,
Në dasma e zi, në kohërat e mëdha,
Ti flet me gjuhë gjaku: “Këtu ka shqiptar!”
Një shekull më parë, me mall e me vrer,
Gjyshi im, Rexhep Bajrami, la vatrën e vjetër,
Por plisin mbi kokë e mbajti çdo herë,
Si shenjë që s’e ndërroi me asgjë tjetër.
Deri ditën e fundit e mbajti me nder,
E sot pas gjysmë shekulli që ai ka ndërruar jetë,
Atë plis ne e ruajmë si të shenjte kurdoherë,
Që lidh Shqipërinë me Kosoven e vet.
Sot bota po kthehet të shohë këtë vlerë,
Këtë kreshtë të bardhë që kohën e mundi,
Në listat e botës po hyn si asnjëherë,
Si dritë e pashuar që pluhurin e shkundi.
O plisi i bardhë, o shenjë e lirisë,
Mbi kokë të Shqiptarisë ndriço si magji,
Je dëshmitar i gjallë i krejt historisë,
Nderi i këtij populli, për jetë e mbi ty!