Po mbjell një gozhdë mbi një yll...
Kur të ndryshket nata,
e të ngopet së fjeturi…
prej saj
do të lindë…
një kukuvajë prej hekuri …
Migel Flor
13.7.2026
Athens-Grece
Analizë nga Timo Mërkuri…

Një gozhdë e ngulur te një yll është një pamje që nuk i takon shikimit të zakonshëm, por mendimit, më saktë fantazisë poetike. Ajo nuk është një pamje e syrit, por e imagjinatës që kërkon të prekë të pamundurën. Pas këtij imazhi nuk fshihet vetëm befasia e metaforës, por nis një përsiatje e thellë mbi atë çfarë koha i bën dritës dhe vetmisë njerëzore.
Poetja nuk e ngul gozhdën; ajo thotë se e mbjell. Pikërisht ky devijim i vetëdijshëm nga logjika e sendit e shndërron vargun në poezi. Gozhda nuk është më një copë hekuri që fiksohet me goditje, por një farë e errët e hedhur në hapësirë, me shpresën ose mallkimin se një ditë do të japë frytin e saj. Kështu, edhe absurdi fiton një rend të brendshëm artistik.
Kjo është një nga bukuritë e gjuhës poetike: ajo nuk i bindet gjithmonë natyrës së sendeve, por krijon një natyrë të re brenda shpirtit. Një gozhdë mund të mos mbillet në tokë, por në kujtesë, në dhimbje, në një qiell ku ylli bëhet dëshmitar i një përplasjeje të heshtur mes dritës dhe errësirës.
Pastaj nata nuk kalon, por “ndryshket”. Në këtë hapësirë ku sendet e zakonshme humbasin kufijtë e tyre dhe marrin një jetë tjetër, poezia e Migel Florit mbart një damar të realizmit magjik. Gozhda, ylli, nata që ndryshket dhe kukuvaja prej hekuri nuk janë më vetëm figura poetike; ato bëhen pjesë e një bote ku e pamundura pranohet si një e vërtetë e brendshme e shpirtit.
Realizmi magjik këtu nuk lind nga një mrekulli e jashtme, por nga shndërrimi i së zakonshmes. Sendet nuk largohen nga realiteti; ato marrin një frymë tjetër. Hekuri fiton kujtesë, nata fiton trup, heshtja fiton krahë. E magjishmja hyn në varg pa zhurmë, sikur të ketë qenë gjithmonë pjesë e kësaj bote. Poeti nuk e shpjegon të pamundurën, sepse në universin e poezisë ajo nuk kërkon leje për të ekzistuar.
Në natën që “ndryshket”, koha nuk matet më me orë, por me oksidimin e errësirës. E kur ajo “ngopet së fjeturi”, nuk lind mëngjesi, siç do ta priste arsyeja, por “një kukuvajë prej hekuri…”. Është një shndërrim që të lë një shije metali në mendim: vetmia merr krahë, ndërsa heshtja vishet me pendë çeliku.
Kukuvaja, që në simbolikën njerëzore lidhet shpesh me natën, vetminë dhe parandjenjën, këtu nuk vjen nga pylli, por nga një botë e farkëtuar nga hekuri. Ajo bëhet një figurë e ftohtë dhe e rëndë, një shenjë e një vetmie që nuk është më vetëm ndjenjë, por pothuajse një materie që mund të preket.
Kjo poezi nuk kërkon të zbërthehet deri në fund. Ajo mjafton të lërë në kujtesë disa figura që rrinë pezull si yje të zbehur mbi një qiell të ftohtë dhe çuditërisht të duket një poezi ebgjatë. Dhe ndoshta aty qëndron bukuria e saj: te një gozhdë që mbillet, te një natë që ndryshket dhe te një kukuvajë prej hekuri, e cila nuk fluturon vetëm nëpër errësirë, por edhe mbi heshtjet e lexuesit, si një kambanë e farkëtuar nga vetë nata.
