

Poetika e plagës, kujtesës dhe ndërgjegjes: bota lirike e poetes Maria Teresa Infante La Marca në antologjinë dygjuhëshe “Versi radianti-Vargje rrezatuese”
Dr. Nikollë Loka
Poezia e Maria Teresa Infante La Marca-s ndërton një univers krijues ku përvoja individuale, vetëdija ekzistenciale dhe shqetësimi për fatin njerëzor ndërthuren në një ligjërim me ngarkesë emocionale, filozofike dhe etike. Tri poezitë e përfshira në antologjinë dygjuhëshe italisht-shqip “Versi radiant-Vargje rrezatuese”, botimet Besamuçi” Lecce 2026. Poezitë Segreti, Anche le foglie hanno le ossa rotte dhe Extrema ratio, megjithëse dallojnë për nga temat dhe strukturat, bashkohen nga një shqetësim themelor: zbulimi i plagëve të fshehura të jetës dhe i përgjegjësisë njerëzore përballë vuajtjes, shkatërrimit dhe vdekjes.
Maria Teresa Infante La Marca është autore italiane me një veprimtari të gjerë në poezi, prozë, eseistikë dhe kritikë letrare. Me një bibliografi prej njëzet e gjashtë librash, ajo është përfshirë në veprimtari të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, duke kontribuar në promovimin e dialogut ndërkulturor, solidaritetit, paqes dhe të drejtave të njeriut. Emërimi për Çmimin Zayed për Vëllazërimin njerëzore në vitin 2025 dhe vlerësimet e marra në vende të ndryshme të botës dëshmojnë për njohjen e veprimtarisë së saj. Rëndësia e krijimtarisë së saj në poezi qëndron, para së gjithash, në aftësinë për ta shndërruar përvojën njerëzore në një realitet poetik, ku fjala bëhet instrument depërtimi në shtresat më të thella të ndërgjegjes.
Sekreti si kufi i gjuhës dhe i përvojës njerëzore
Në poezinë Segreti, autorja ndërton një ligjërim intim, të përqendruar te marrëdhënia ndërmjet përvojës së brendshme dhe pamundësisë për ta shprehur atë plotësisht përmes fjalës. Që në vargjet e para, imazhi i vështrimit që nuk mund të pluskojë më, por fundoset, krijon një tension ndërmjet sipërfaqes dhe thellësisë. Vështrimi, zakonisht i lidhur me perceptimin dhe njohjen, humbet qëndrueshmërinë dhe përfshihet në një proces fundosjeje, që mund të lexohet si metaforë e një përvoje të vështirë emocionale.
Motivi i kohës, i shprehur në vargjet dieci, cento notti / ho sezionato all’alba, sjell idenë e një përpjekjeje për ta analizuar jetën dhe kujtesën, për ta ndarë përvojën në pjesë dhe për ta kuptuar përmes një procesi pothuajse kirurgjikal. Folja sezionare bart një konotacion anatomic, ku përvoja e brendshme i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dhimbshme analitike.
Shkrimi shfaqet njëkohësisht si shpëtim dhe si dëshmi e pamjaftueshmërisë së tij. Metafora e bojës brenda trupit (senza l’inchiostro in corpo) e zhvendos aktin e të shkruarit nga një veprim teknik në një proces biologjik dhe ekzistencial. Boja bëhet pjesë e trupit, ndërsa shkrimi merr funksionin e një forme mbijetese. Kjo marrëdhënie arrin kulmin në vargjet përmbyllëse:
Vedi? Mi fermo qui/ perché non puoi capire/ ciò che non scrivo/ è il sangue che mi opprime//.
Ajo që nuk shkruhet nuk është boshllëk kuptimor, por një realitet i gjallë, i mishëruar në gjak dhe vuajtje. Heshtja shndërrohet kështu në një formë të veçantë shprehjeje. Paradoksi poetik qëndron në faktin se teksti e bën të perceptueshme pikërisht atë që autorja pohon se nuk mund ta shkruajë, ku e pathëna fiton një peshë më të madhe se ajo që artikulohet.
Antropologjia e dhimbjes dhe simbolika e gjetheve
Në Anche le foglie hanno le ossa rotte, autorja largohet nga intimiteti i plagës individuale dhe e zgjeron vështrimin drejt indiferencës njerëzore dhe brishtësisë së jetës. Epigrafi i marrë nga Mimnermo krijon një dialog me traditën poetike greke, ku jeta njerëzore krahasohet me jetën e gjetheve, duke nënvizuar përkohshmërinë e rinisë dhe të ekzistencës. Infante La Marca e rimerr këtë simbolikë tradicionale dhe e zhvendos drejt një interpretimi më dramatik.
Vargu i titullit: Anche le foglie hanno le ossa rotte (Edhe gjethet i kanë kockat e thyera), përmban një metaforë të fuqishme antropomorfizuese. Gjethet, tradicionalisht simbole të brishtësisë dhe të ciklit natyror, pajisen me anatomi njerëzore. Ato nuk paraqiten më thjesht si pjesë e një peizazhi, por si qenie që vuajnë. Edhe natyra bëhet bartëse e plagës.
Përballë kësaj bote të cënueshme qëndron njeriu, i përshkruar përmes një vargu veprimesh të përditshme me ngarkesë ironike dhe provokuese. Shprehja a masturbarti il cuore është veçanërisht e guximshme: ajo e zhvesh ndjeshmërinë nga idealizimi dhe e paraqet si një formë narcisizmi emocional. Zemra dhe shpirti bëhen pjesë e një vetëkënaqësie që e mbyll individin brenda vetes, ndërsa jashtë tij vazhdon drama e ekzistencës.
Përsëritja e shprehjes e tu stai lì merr funksionin e një refreni akuzues. Njeriu qëndron pasiv, ndërsa gjithçka tjetër kalon dhe vuan. Mungesa e gjakut dhe e qumështit, në vargjet non hai sangue o latte / per l’inverno, sugjeron varfërimin e burimeve jetësore dhe humbjen e aftësisë për të ushqyer, mbrojtur e përkujdesur. Në përfundim, metafora e kockave të thyera rikthehet, por tashmë e zhvendosur te vetë njeriu: e le tue ossa cadono dai rami. Ai që nuk ndien dhimbjen e tjetrit përfundon duke u bërë pjesë e së njëjtës cënueshmëri. Kështu, poezia tejkalon një lexim natyralist dhe merr karakterin e një alegorie morale. Gjethet bëhen figura të qenieve që vuajnë në heshtje, ndërsa teksti shndërrohet në një thirrje kundër indiferencës dhe vetëpërqendrimit njerëzor.
Extrema ratio: kujtesa historike si akt akuze dhe përgjegjësie
Në Extrema ratio, ligjërimi poetik zgjerohet nga përvoja individuale drejt një konteksti historik, politik dhe universal. Zëri lirik bëhet zëri i një ndërgjegjeje kolektive që përballet me krimin, kujtesën dhe përgjegjësinë historike. Epigrafi i Senekës, Intra peritura vivimus – jetojmë mes gjërave që janë të destinuara të vdesin – vendos një kornizë filozofike mbi tekstin. Por këtu vdekja nuk paraqitet vetëm si ligj natyror, por edhe si pasojë e dhunës së organizuar dhe e shkatërrimit të qëllimshëm të jetës.
Poezia nis me një adresim të drejtpërdrejtë: Quando ci cercherete e non ci troverete. Përdorimi i vetës së dytë shumës e vendos lexuesin përballë përgjegjësisë dhe nuk e lejon të mbetet spektator neutral. Referencat ndaj dhomave të gazit dhe varreve masive krijojnë një lidhje të qartë me kujtesën e krimeve më të rënda të historisë moderne. Por autorja nuk kufizohet te rikujtimi i dhunës fizike. Vargu për shkrimin e poezive që nuk u përkasin atyre që i shkruajnë hap një dimension tjetër etik: vuajtja e viktimave nuk mund të përvetësohet dhe kujtesa nuk mund të përdoret si dekor retorik.
Kontrasti ndërmjet kujtesës së kampeve të shfarosjes dhe skenave të jetës së zakonshme bashkëkohore bëhet veçanërisht tronditës në vargjet: Non ci saranno fumi dai camini/
mentre bevete gin cantando Let it Be. Kënga Let it Be vendoset në një kontekst ironik, duke theksuar hendekun ndërmjet përvojës së viktimave dhe komoditetit të atyre që vazhdojnë jetën pa u ndier, të përfshirë në përgjegjësinë historike. Edhe imazhi i sapunit, i lidhur me kujtesën e Holokaustit, merr një kuptim kritik përmes referimit ndaj kostos dhe konsumizmit. Ironia e hidhur zbulon vazhdimësinë e një mendësie që e redukton edhe përballjen me tragjedinë në llogaritje interesi. Përmendja e Trinità dei Monti dhe e via della Misericordia e vendos këtë reflektim në një gjeografi konkrete, ku hapësirat urbane bëhen shenja të qëndrimeve të ndryshme ndaj historisë: normalitetit që mund të ushqejë harresën dhe ndërgjegjes që kërkon mëshirë e përgjegjësi.
Përfundimi mbështetet në një antitezë të fuqishme: La morte ha mille face/ tutte somiglianti
il reo ha mille volti/ tutti differenti//. Vdekja ka njëmijë fytyra, të gjitha të ngjashme; fajtori ka njëmijë fytyra, të gjitha të ndryshme. Në këtë kundërvënie sintetizohet ideja se viktimat bashkohen në ngjashmërinë e fatit tragjik, ndërsa fajtorët mund të fshihen pas identiteteve, pushteteve dhe justifikimeve të ndryshme. Megjithatë, poezia nuk mbyllet në pesimizëm. Vargu ma non per questo siamo ancora persi ruan një hapësirë shprese dhe rezistence. Kujtesa dhe ndërgjegjja bëhen mënyra për t’i kundërshtuar harresën dhe humbjen morale.
Tiparet estetike dhe përfundime
Tri poezitë e kësaj autorje dëshmojnë një poetikë të mbështetur te dendësia metaforike, kontrasti, ndërprerja sintaksore dhe imazhet me ngarkesë të fortë trupore. Gjaku, kockat, qumështi dhe boja nuk janë elemente dekorative, por bartës të kuptimit. Përmes tyre, poetja e zbret përvojën filozofike nga abstraksioni në konkretësinë e ekzistencës. Dhimbja nuk mbetet gjendje shpirtërore, por bëhet e dukshme dhe e prekshme.
Një tipar tjetër është ekonomia shprehëse. Vargjet e shkurtra dhe ndërprerjet krijojnë ritëm, tension dhe hapësira heshtjeje. Ato pasqyrojnë vështirësinë e artikulimit në Segreti, ritmin akuzues në Anche le foglie hanno le ossa rotte dhe tonin solemn të dëshmisë në Extrema ratio. Maria Taresa i rishkruan edhe simbolet tradicionale: gjethet bëhen bartëse të kockave të thyera, boja shndërrohet në substancë të trupit dhe gjaku në përmbajtje të së pathënës.
Në aspektin tematik, tri poezitë ndërtojnë një lëvizje nga individualja drejt kolektives: nga sekreti i subjektit poetik, te dhimbja e qenieve të pambrojtura dhe më pas te përgjegjësia e shoqërisë përballë krimeve historike. Kjo lëvizje përbën edhe zgjerimin e vetëdijes poetike: fjala nis si përpjekje për të shprehur plagën personale dhe përfundon si akt dëshmie e akuzë morale.
Përfshirja e Maria Teresa Infante La Marca-s në antologjinë dygjuhëshe “Versi radiant-Vargje rrezatuese” përbën një kontribut të saj me interes në njohjen e poezisë bashkëkohore italiane nga lexuesi shqiptar. Tri poezitë dëshmojnë një zë krijues që ndërthur intimitetin lirik me reflektimin filozofik dhe angazhimin etik. Në Segreti, fjala përballet me kufijtë e vet dhe zbulon peshën e së pathënës; në Anche le foglie hanno le ossa rotte, natyra bëhet pasqyrë e indiferencës njerëzore; ndërsa në Extrema ratio, kujtesa historike shndërrohet në aktakuzë morale dhe në kundërshtim të harresës.
Vlera e këtyre poezive qëndron në aftësinë për të krijuar imazhe të forta, për të rishkruar simbolet e traditës dhe për të ndërthurur plagën individuale me përgjegjësinë universale. Poetja Maria Teersa Infante La Marca nuk kërkon vetëm të emocionojë, por edhe ta vendosë lexuesin përballë ndërgjegjes së vet. Në këtë kuptim, tri poezitë e saj në “Versi radiant-Vargjet rrezatuese” bëhen hapësirë dialogu ndërmjet dy traditave letrare, duke dëshmuar se dhimbja, kujtesa dhe solidariteti njerëzor përbëjnë një gjuhë që kapërcen kufijtë kombëtarë.
Poezia bashkëkohore italiane e dekadave të fundit karakterizohet nga një kërkim i vazhdueshëm midis fragmentarizmit hermetik dhe nevojës për t’iu rikthyer angazhimit civil e etik. Në këtë udhëkryq letrar, figura e Maria Teresa Infante La Marca-s shfaqet si një zë me peshë të veçantë sintetizuese. Ndryshe nga prirjet post-moderne që shpesh e reduktojnë ligjërimin poetik në lojë gjuhësore, vargjet e poetes Infante La Marca e sjellin dimensionin e fjalës si dëshmi dhe përgjegjësi. Vlera e krijimtarisë së saj qëndron te aftësia për të mbajtur në ekuilibër mjeshtërinë formale me një ndërgjegje të lartë etike, duke dëshmuar se poezia mbetet një instrument i pazëvendësueshëm i humanizmit dhe i rezistencës shpirtërore.