Xhaketa ushtarake-Nga Sakip Cami

Tregim i jetuar

Nga Sakip Cami

Me dëftesën me të gjitha dhjeta u gjenda para sekretarit të partisë. -Notat i paske të gjitha dhjeta, por më vjen keq. Ne nuk mund të dërgojmë vetëm ju në shkollë se keni dy veta nga familja juaj. Mu mbushën sytë me lotë. Katër vjet kisha bërë sakrifica duke ecur afro katër orë rrugë për të shkuar në shkollën e fshatit fqinj. …U nisa për në qytetin e Laçit me një triko leshi, të cilën e kishin sajuar nëna dhe motra duke prishur trikot e vjetra. Babai ishte invalid i ushtrisë dhe i luftës antifashiste nacional çlirimtare dhe merrte vetëm dymijë e pesëqind lekë të vjetra. Nga këto njëmijë lekë çdo muaj ja dërgonim vëllait në Shkollën e Mesme Mekanike në Durrës se ishte me gjysmë burse. Mbeteshin vetëm njëmijë e pesëqind lekë që nuk mjaftonin as për ilaçet e prindërve. Vetëm një dynym tokë për kopësht dhe asnjë krah pune në kooperativë. …Laçi dhe Miloti ishin dhe janë qytete të erës. Njerëzit thonin se këtu kishte bërë pasaportizimin era. Një erë e ftohtë dhe e mprehtë që të ngulej në trup. Kur shoqërohej edhe me shi, mjerë kë zinte. Në klasën time të gjithë ishin të veshur me xhaketa të reja, disa prej tyre edhe të shtrenjta. Vetëm unë dhe Bardhoku ishim me triko. Me Bardhokun na lidhte fakti se që të dy ishim të ardhur në këtë qytet vetëm e vetëm për të ndjekur shkollën e mesme pasi në fshatrat prej nga vinim nuk kishte shkollë të mesme. Unë banoja te xhaxhai, oficer në Kurbin, ndërsa Bardhoku te daja, punëtor në Uzinën e Superfosfatit. Edhe Pirro kishte ardhur nga një fshat i Vlorës, por ai ishte në një klasë me kushurirën e tij. …Pas fundit të tetorit qëndrimi vetëm me triko ishte i pamundur. Xhaxhai mori në raftin e rrobave një xhaketë ushtarake që nuk e përdorte dhe me mua për dore u gjendëm te rrobaqepsi i qytetit. -Ç’e mirë të ka sjellur komandant? -Kam ardhur me djalin e vëllait të rregullojmë një xhaketë, ta kthejmë në anën tjetër dhe ta përshtatim për të. Rrobaqepsi më mori masat dhe pas disa ditësh ma bëri gati. Xhaketa e re ishte prerë mirë dhe më mbante ngrohtë, Berti, djali i xhaxhait, pesë vjet më i vogël se unë, e pëlqeu xhaketën time, i dukej si e veçantë dhe ju lut babait që t’i bënte edhe atij një xhaketë si e imja. -Po ti ke xhaketa plot, i tha xhaxhai. -Jo, jo, dua xhaketë si të Sakos, ngulte këmbë Berti. Kaq u desh dhe xhaxhai mori një xhaketë ushtarake ngjyrë ulliri në raft dhe me Bertin për dore shkoi te rrobaqepsi. Me ta u ngjita edhe unë me xhaketën veshur. Rrobaqepsi u habit me kërkesën e Bertit, ia mori masat dhe pas disa ditësh e bëri gati. Unë edhe Berti, të cilin e njihnin të gjithë si vëllai im i vogël dhe nuk guxonte kush ta ngacmonte, me qejf të madh shkuam te fotografi dhe bëmë një fotografi. Edhe sot e shohim me nostalgji atë fotografi që flet vetë, që flet shumë. Pas mbarimit të gjimnazit shkova në Shkollë ushtarake. Xhaketa ushtarake më ndoqi pas …