Portokallet nuk çelën më-Ana Bisholla

Ana Bisholla

Koha shpesh i rikthen çdonjërit prej nesh kuptimin por edhe absurditetin e shumë ndodhive. Ajo shpesh të prezantohet si një person i veshur me elegancë, si një zotëri që nuk është as i ri por as moshatar dhe që llogjika nuk e tradhëton më…

Ja , këto mendime i shkonin nëpër mënd në këto momente ndërsa përshkonte rrugën kryesore që të shpinte drejt detit dhe ndërsa këmbët e dinin se ku shkelnin mëndja për një çast sikur u fik; ishte deti, era e freskët e pranverës, apo muaji maj dhe pikërisht data 5 ? Ndoshta të gjitha bashkë?

Përkujtimi i dëshmorëve ishte një traditë shumë e rëndësishme dhe me këtë rast të gjithë duhet të ishin te sheshi kryesor ku do të mbahej fjalimi i radhës. Edhe ajo duhet të ndodhej atje bashkë me shokët e klasës, por aty te udhëkryqi që ndante pallatin me shkollën e vjetër 8- vjeçare u ndodh përballë “atij “… E përshëndeti, — hë — i tha ai, do vish? Ku? I tha ajo. Dalim, këtej nga deti. Oh, sa dëshironte, sa shumë donte të ishin bashkë. Po, duhet të jemi te sheshi pas pak– i tha. Lëre sheshin për sot, ti e di që është një ditë e veçantë dhe unë dua të jem me ty.

Ndjeu që në kraharor tik-taku po shtonte shpejtësinë. Duhet të vendos– tha me vete. Përgjigjja i kishte mbetur në fyt, mbylli sytë për një çast dhe i hapi në të njëjtën kohë me ndjesinë e ngrohtë të dorës së tij që e kishte mbërthyer dhe duke e tërhequr i tha: shpejt se po vjen autobusi, se tjetri do gjysëm orë të kalojë. Vetëm pak sekonda dhe u gjendën në mjetin urban që të shpinte gjatë bregdetit. Te stacioni i fundit– tha ai , ajo nuk foli aprovoi pa zë. Me njërën dorë po mbahej ndërsa tjetra ishte brënda dorës së tij, dhe ashtu mbeti deri sa zbritën. Nuk kishte shumë njerëz, edhe pse ishte pranverë, ndoshta ngaqë qe freskët dhe ndonjë re aty këtu herë e fshihte dhe herë e linte të lirë diellin. Por në qytetin e tyre bregdetar nuk bëje dot kontratë me kohën shpesh herë brënda një dite lëviznin të gjitha stinët. Më në fund ca larg nga zhurma e qytetit, përballë detit dhe erës që lozte me flokët e vajzës. Ai kapi përsëri për dore dhe e tërhoqi nga vetja, ajo ca në distancë i tha– jo, prit se na shikojnë. Donte të sigurohej. — Kush do na shikojë, po edhe sikur le të na shikojnë. Ajo qeshi dhe nuk hezitoi më bashkimin e buzëve, për të dy e dëshiruar. Lanë pas një çift që indiferent karshi tyre u kaloi në krah duke biseduar. Në brendësi të vetvetes dhe të asaj ndjenjë të çiltër për atë djalë me sy bojëqelli (që tashmë ishte bërë padron i shpirtit të saj) ajo e kuptonte që nuk kishte asnjë gjë të keqe, përse vallë duhej të fshihej? Ndoshta shumë pyetje që i binin si çekan në kokë në ato momente do u përgjigjej po vetë por shumë vite më vonë kur të kuptonte hipokrizinë e atij mentaliteti arkaik…

Do na marrin për të fejuar– i tha djalit. — Do fejohemi– u përgjigj ai– por jo tani kur të vijë koha. –Pse jo, ti në punë je, edhe unë edhe pak mbaroj shkollën. Në mëndjen e saj rrotullohej fakti që të fejuar mund të shkonin ku të donin. — Ej, mos u mendo shumë, kemi dalë për qejf, ja mori kokën në mes të duarve dhe e puthi. Ajo nuk u tërhoq. Donte të ndihej e lirë, të çlirohej nga një lloj peshë që i ngatërrohej nëpër këmbë dhe sikur e pengonte të ecte. Të ecte apo të mendohej? Ja kësaj pyetjeje nuk po i jepte dot përgjigje… E shihte në sy djalin me të cilin qe dashuruar, dhe në ato çaste si në një dimension të papërcaktuar ajo po thurte romanin e jetës…

Pa e kuptuar dhe pa ndjerë lodhje këmbët e kishin bërë stërvitjen . Sa bukur ishte riviera buzë detit, u dukej sikur ishte e gjitha e tyre, ose më saktë e gjitha vetëm për ata të dy. Gjetën një vend gjysëm në hije dhe u ulën. — U lodhe? — e pyeti, — jo, jo– tha ajo nuk jam lodhur. Atëherë do ecim akoma– tha ai duke qeshur, — si atëherë kur bënim zborin këtu afër. Oh, mos më kujto zborin — tha ajo. Preferoj të rri këtu ku jemi. Aty ku ishin ulur ishte një pemë banane që kishte vetëm gjethe si çarçafë që bënin hije të ëmbël, dhe që nga ledhatimi i erës lëshonin një melodi vallëzimi. -E shikon — tha ai– kishe merak për kohën, ja tani retë u zhdukën fare. Koha pa e kuptuar bënte punën e vet, në ato momente për ata të dy ajo nuk ekzistonte, ishin vetëm ata, në krahë të njëri- tjetrit me vështrim nga perëndimi dhe dy zëmra të dashuruara në harmoni me ngjyrën e portokalltë që po merrte qielli. Ajo vuri kokën te gjoksi i tij , dëgjoi të rrahurat e zemrës që morrën vrull dhe dukej sikur ishin bashkuar në një të vetme bashkë me të sajën. Kjo kartolinë do të fiksohej përgjithmonë në mëndjen e saj, edhe sot ndoshta piktori më i mirë do e kishte zili…

Herë pas here era që ishte pjesë e këtij skenari sillte një aromë lulesh prej agrumeve që qëndisnin me kodrat rreth e rrotull. Ai u ngrit, u largua disa minuta dhe u kthye me grushtat bashkë sikur të mbante diçka të çmuar. — Çfarë ke aty– i tha ajo. –Ja shiko– ishte përgjigja. –Sa të bukura, lule portokalli, po pse i këpute? –Për një gjë shumë të rëndësishme– u përgjigj ai. I vendosi ngadalë përtokë , mori njërën prej tyre dhe me delikatesë ja vendosi asaj në mes të flokëve të gjata aty ku ishte një karficë. Ajo qeshte, ai i vendoste lulet mbi flokë, ra njëra, oh çfarë kënaqësie, ai e mori dhe e sistemoi mirë në mes të flokëve, ajo vazhdonte të qeshte … Derisa ai ndaloi , i mori duart mes duarve të veta dhe i tha– Je e bukur. Ajo– po unë nuk e shikoj se si dukem me këtë kurorë në kokë, skam një pasqyrë. — Ska nevojë, të shikoj unë– ishte përgjigja. — Tani ka mbetur vetëm ti betohemi njëri tjetrit — tha ajo: sepse këtu nuk kemi letër dhe penë dhe as dëshmimtarë. — Gabohesh — tha djali– kemi diellin, ishullin, detin, tamam ashtu si të pëlqen ty. Për një çast ju duk sikur ishte në ëndërr, por jo, e gjithë kjo po ndodhte, ai që i thoshte se e donte përgjithmonë dhe ajo në pafundësi. Sikur ato çaste të mos mbaronin… Buzët u bashkuan përsëri, e përsëri dhe lulet e portokalleve u ngatërruan mes atyre puthjeve, në sy, në kokë , në qafë…

Dielli zenithin e kishte kaluar, por ata kohën e kishin harruar, as ajo nuk po mendonte se si do justifikohej në familje për vonesën. Në djall koha dhe çdo gjë tjetër jashtë atij diametri të pemës së bananes dhe gjelbërimit ku ishin ulur. — Desha të të uroj ditëlindjen– tha ajo– por ti nuk më le kohë të blija asgjë. — Nuk dua asgjë– tha ai– ti je dhurata ime, ndërsa fliste kërkonte të fuste dorën te xhepi i xhaketës së tij (te e cila ishin ulur) dhe nxori prej andej disa karamele. Qeshën me lot të dy. — Ja e shikon– tha ai– kemi edhe ëmbëlsira për festën.

Sa e magjishme do mbetej në kujtesë ajo festë asnjë nuk e imagjinon dot. Të gjitha ato festat pompoze me tangërllik dhe hipokrizi nuk do arrinin dot kurrë atë lartësi që i afrohej qiellit, ato duar që përkëdhelnin fytyrën e saj, dhe që u bënë bashkë për të mbajtur ujin e burimit aty poshtë që ajo të pinte ujë …

—–

… Vazhdonte të ecte , në disa momente ju duk sikur dëgjoi një zhurmë të lehtë hapash që e ndiqnin. Ktheu kokën, por , asgjë. Eh, tha me vete, koha bën të vetën, pikërisht koha, ai faktor të cilin vite më parë nuk e llogariste kishte bërë të vetën jo vetëm fizikisht por në ambientin përreth. Çfarë do jetë bërë “atje ” te vëndi poshtë bananes, rrethuar me portokalle dhe ullinj??? Ndoshta ndonjë resort me pishina ultra moderne, ndoshta është më bukur, për shumë të tjerë por jo për atë. Ajri, ajri, ju duk sikur po i mungonte… Ngriti kokën lart nga u dëgjua një bubullimë e dobët. Ah, mendoi, koha u duk e mirë. Por nuk mund të mos kujtohej për atë thënien : që në atë qytet mund të jetosh edhe të katërta stinët brënda një dite ( kush ja kishte thënë ) . Ato dy retë atje lart ishin njësoj si gjithmonë, haeshin me njëra tjetrën dhe përpiqeshin të mbulonin diellin. Por dielli si regjisor i mirë aty prapa skenës i ngrohte mirë e mirë dhe pastaj i linte të lira të lëshoheshin mbi kokat tona në formë lotësh, duke shpalosur rrezet e ngrohta e duke rikthyer buzëqeshjen.

Uli kokën dhe mendoi se edhe kaq kishte ecur goxha, në këtë rikthim qielli ishte i pari që e kuptonte , dhe që me logjikën e një dimensioni tjetër po përgatit regjinë e luleve të portokalleve dhe të atyre hapave që akoma i ecin në krah.

@anabisholla.