Nuk të pyeta kur.
Nuk të kërkova të rrije edhe pak.
Nuk ta mbajta dorën
kur u përkule të më puthje në faqe.
Pas teje,
gota ruajti gjurmën e buzëve të tua,
karrigia mbeti paksa shtrembër,
ndërsa dera u mbyll
sikur të mos donte të të lëndonte.
Unë nuk të prita.
Veç mbrëmjeve,
heshtja ulej në vendin tënd
dhe unë bëja sikur nuk e njihja.
Nëse na bie të shihemi,
mos kërko në sytë e mi
atë që lashë pas.
Kam mësuar të mbyll dritaret
pa i fajësuar erërat.
Ka kaluar, do të të them.
Jo ti.
Pritja për ty.
