

Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet
Në një atmosferë të ngrohtë artistike e miqësore u promovua më 22 korrik 2026, në ambientet e Hotel “Bruçit” në Tiranë, vëllimi poetik “Aromë Jete” i poetit Ferit Manreka. Aktiviteti mori një domethënie të veçantë, pasi përkoi me 80-vjetorin e lindjes së autorit, duke e kthyer këtë ditë në një festë të dyfishtë për poetin, familjen, miqtë dhe dashamirësit e letërsisë.
Veprimtaria u moderua me profesionalizëm nga poetja e gazetarja e Platformës Digjitale “REPLIKË”, e cila paraqiti me ndjeshmëri portretin krijues dhe njerëzor të Ferit Manrekës. Përmes një interviste të zhvilluar me autorin, ajo solli para të pranishmëve fillesat e pasionit të tij për poezinë, që datojnë që nga bankat e shkollës tetëvjeçare, si dhe rrugëtimin e gjatë që kulmoi me botimin e vëllimit të parë poetik. Poeti zbuloi se edhe në ditën e promovimit kishte përfunduar një poezi të re me katër strofa, të cilën synonte ta recitonte pas ceremonisë. Kjo, tregon se shpirti i tij është i lidhur me poezinë, që është bërë idhëtare e tij në jetë.
Je si shprehet autori Ferit Manreka:
“Poezia , nuk është vetëm fantazi, ajo është jeta vetë.
Diku kam shkruar:
POEZIA
————-
Eh… poezia ime!
Frymëzim i pashtershëm i vargut tim.
Nuk më mungove kurrë .
Në darkë dhe në agim.
Gjallë e mbajte jetën.
Pranëverë në çdo stinë
Muza jote s’më mungoi kurrë
Në behar dhe acarin e ngrirë.
E sigurtë ecën në jetë.
Gjithëkujt i jep një të vërtetë…
Ti s’fishkesh e s’mplakesh kurrë
E freskët qëndron në piedestal
Dëshira s’do më mungonte kurrë
Të më vije nganjëherë dhe mbi varr…”
Për t’i njohur më mirë të pranishmit me përmbajtjen e librit, moderatorja lexoi hyrjen e veprës, duke krijuar një atmosferë që i parapriu diskutimeve letrare.
Një analizë të thelluar të vlerave artistike dhe njerëzore të librit bëri poeti, shkrimtari dhe publicisti, “Mjeshtër i Madh” Halil Rama, autor edhe i parathënies së vëllimit. Ai vlerësoi sinqeritetin e vargut, pasurinë emocionale dhe lidhjen e fortë të autorit me atdheun, vendlindjen, familjen dhe njeriun.
Për librin dhe vlerat artistike diskutuan gjithashtu shkrimtari dhe gazetari Behar Gjoka, kritiku letrar Faik Xhani, poetja e humanistja Bujana Malaj; si dhe publicisti e poeti Nexhbedin Basha, të cilët evidentuan mesazhin human, gjuhën e natyrshme dhe botën e pasur shpirtërore që përcjell poezia e Ferit Manrekës.
Një moment veçanërisht emocionues ishte interpretimi i disa poezive nga dy nipërit e autorit, si edhe recitimet e pjesëmarrësve në promovim, të cilët i dhanë aktivitetit një atmosferë të ngrohtë familjare dhe artistike.
VLERAT ARTISTIKE DHE MESAZHI NJERËZOR NË VËLLIMIN POETIK “AROMË JETE”
Ferit Manreka ka lindur më 22 korrik 1946 në Qafëmurrë të Dibrës. Gjatë jetës së tij profesionale ka shërbyer me përkushtim si mësues dhe drejtues në arsim, si edhe oficer drejtues në strukturat ushtarake, ndër to Komisar në Shkollën e Lirë Ushtarake Muhurr–Luzni dhe në Selishtë. Këto përvoja të pasura jetësore janë bërë burimi kryesor i frymëzimit të krijimtarisë së tij poetike. Poezia e tij buron nga jeta e përjetuar, nga kujtesa, nga dashuria për njerëzit, vendlindjen dhe vlerat njerëzore.
Vëllimi “Aromë Jete” është një udhëtim poetik nëpër kujtesë, dashuri, mall, atdhedashuri dhe shpresë. Përmes një gjuhe të thjeshtë, por të pasur me figuracion artistik, Ferit Manreka i këndon vendlindjes, njeriut, natyrës dhe vlerave që i japin kuptim jetës.
Poezia e Ferit Manrekës ndërtohet mbi një gjuhë të pasur poetike, ku fjala nuk është vetëm mjet komunikimi, por bëhet bartëse e kujtesës, ndjenjës dhe përjetimit njerëzor. Gjuha e tij lidhet ngushtë me botën shqiptare, me natyrën, vendlindjen, njerëzit dhe kujtimet e jetës. Përmes fjalës së thjeshtë shqipe, poeti arrin të krijojë hapësira të gjera emocionale dhe kuptime të thella.
Një nga veçoritë kryesore të gjuhës së Manrekës është natyrshmëria e shprehjes. Ai nuk kërkon zbukurime të tepërta, por mbështetet te fuqia e fjalës së ndjerë. Fjalët e zakonshme të jetës së përditshme, në vargjet e tij, marrin një vlerë të re poetike, sepse lidhen me përvojën, kujtesën dhe botën e brendshme të njeriut.
Stili i tij poetik karakterizohet nga lirizmi, qetësia e rrëfimit dhe një frymë meditative. Shpesh poezia nis nga një pamje konkrete e natyrës – një mal, një pemë, një lule, një zog apo një stinë – dhe prej saj kalon natyrshëm drejt reflektimit për jetën, kohën dhe fatin njerëzor.
Një pasuri e veçantë e poezisë së Ferit Manrekës është bota metaforike. Natyra tek ai nuk është vetëm sfond poetik, por një personazh i gjallë që bashkëbisedon me njeriun. Mali bëhet simbol i qëndresës, lulja simbol i bukurisë dhe brishtësisë së jetës, ndërsa rrënjët e pemës lidhen me kujtesën dhe vendlindjen. Metaforat e tij ndërtohen mbi natyrën, kujtesën dhe kohën. E kaluara nuk paraqitet si diçka e humbur, por si një pasuri shpirtërore që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e njeriut. Përmes tyre autori shpreh dashurinë për vendlindjen, njerëzit dhe vlerat që trashëgohen brez pas brezi.
Një nga shtyllat kryesore të këtij vëllimi është dashuria për atdheun dhe vendlindjen. Në poezinë “Ti Atdhe”, ai shkruan:
“Ti Atdhe, ti Nënë,
që buzëqeshja s’të iku asnjëherë,
dhe kur të shanë, kur të tradhtuan e të ndanë…”
Këtu atdheu nuk është vetëm tokë, por kujtesë, identitet dhe sakrificë.
Po aq e fuqishme është edhe lidhja me Dibrën:
“Jam krenar që jam Dibran,
se më ka rrit e njëjta nanë…”
Në këto vargje vendlindja bëhet burim krenarie, formimi dhe identiteti.
Një tjetër motiv i rëndësishëm është malli. Në poezinë “Më dogji malli”, ai shkruan:
“Më dogji malli,
siç më digjte zjarri…”
Malli shfaqet si një zjarr i brendshëm që e mban njeriun të lidhur me kujtesën dhe rrënjët e tij.
Edhe koha dhe kujtesa zënë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim. Në “Poema e jetës sime”, poeti rrëfen udhëtimin e jetës:
“Në mes malesh u linda.
Një ditë të nxehtë korriku…”
Nga përvoja personale ai arrin të krijojë një mesazh me vlera universale, ku çdo lexues mund të gjejë diçka nga vetja.
Një dimension tjetër i rëndësishëm është poezia e angazhimit shoqëror. Ferit Manreka nuk mbyllet vetëm në botën e kujtimeve, por reagon ndaj padrejtësive dhe humbjes së vlerave njerëzore. Në poezinë “Mos u mërzit, se një jetë ke”, ai shkruan:
“Askush s’e ndjen trokitjen në derë.
Isha i ri, kur e fillova.
Tash me thinja u mbulova.”
Megjithatë, ai nuk humbet besimin tek fuqia e fjalës:
“Eh, poeti është i lirë,
si një zog fluturon në hapësirë…”
Një vend të veçantë zë edhe figura e mësuesit, të cilin autori e sheh si misionar të dijes:
“Bora kërciste nën këmbë,
suferina i binte në fytyrë.
Ai ecën e vetëm ecën,
se e presin për në mësim.”
Këto vargje janë një himn për përkushtimin dhe sakrificën e mësuesit shqiptar.
Edhe kur shkruan për dhimbjen, poeti nuk e humbet shpresën. Në poezinë “Shpresa e jetës”, ai shprehet:
“Ti je ylli që të ndjek pas,
në këtë jetë që më ka përplas.
Më jep shpresë,
e më jep gëzim.”
Ky është një nga mesazhet më të bukura të librit: besimi se shpresa e ndihmon njeriun të kapërcejë çdo vështirësi.
Natyra mbetet pjesë e pandarë e kësaj bote poetike:
“Gjethin çel dushku në shkrepa,
sythin nxjerr dhe trëndafili.
Bishtin tund zogu tek ferra,
këngës ia thotë në mëngjes bilbili.”
Në këto vargje pranvera shndërrohet në simbol të ripërtëritjes, shpresës dhe dashurisë për jetën.
Një dimension i rëndësishëm i poezisë së Ferit Manrekës është nderimi që ai u kushton figurave të shquara të kombit. Përmes poezive kushtuar personaliteteve të artit, letërsisë, kulturës dhe dijes, autori shpreh mirënjohjen për ata që kanë pasuruar identitetin shpirtëror të shqiptarëve.
Domethënëse në këtë drejtim është edhe poezia kushtuar akademikut Rexhep Qosja. Për Ferit Manrekën, Qosja nuk ishte vetëm një shkrimtar dhe studiues i shquar, por një simbol i mendimit të lirë, i kulturës kombëtare dhe i përkushtimit ndaj çështjes shqiptare. Duke e përjetësuar në vargje, poeti dëshmon se letërsia ka edhe misionin të ruajë kujtesën dhe të nderojë ata që, me veprën e tyre, kanë ndriçuar jetën kulturore e kombëtare.
Si konkluzion
Vëllimi i parë poetik i Ferit Manrekës, “Aromë Jete”, është dëshmi e një shpirti krijues që e ka ndërtuar poezinë mbi përvojën njerëzore. Në të gjejmë fëmijërinë, vendlindjen, dashurinë për atdheun, dhimbjen e humbjeve, respektin për njerëzit e thjeshtë dhe besimin tek e ardhmja.
Autori nuk shkruan për të krijuar vetëm figura poetike, por për të ruajtur kujtime, për të shprehur ndjenja dhe për të lënë një dëshmi shpirtërore.
Promovimi i këtij libri dëshmoi se krijimtaria poetike e Ferit Manrekës gjen jehonë te lexuesi dhe se fjala artistike mbetet një urë e fuqishme komunikimi midis brezave. Në përfundim, të pranishmit i uruan autorit shëndet, jetë të gjatë dhe frymëzim për botime të tjera, duke e përshëndetur me duartrokitje të gjata në 80-vjetorin e tij.