Protestat e mia -në Prishtinë e Tiranë-Reuf Mukaj

Reuf Mukaj

Bashkëatdhetarë, kudo që jeni!

Unë i përshëndes me shpirt dhe me penë të gjitha lëvizjet e popullit tim e të kujtdo në botë, për të drejta ose ndryshim…

Unë te protestat vlerësoj frymën, jo fizikun dhe parrullat politike…

Po e filloj me politikën: Politika ka sot e 3 000 vjet që ka dështuar — prandaj dhe sistemet janë hallakaturë, të përsëritura, si makina të drejtuara nga shoferë të dehur, në mos edhe më keq akoma.

Asnjë rezultat i një revolucioni nuk ka qenë, që nga fillimi deri në fund, rezultat i politikës — jo dhe jo! Ka qenë fryma që kanë prurë dhe mbajtur gjallë shkrimtarët, poetët, artistët ta themi me një fjalë. Politika me strukturat e saj e ka marrë dhe e ka përdorur atë.

Nuk dua të zgjatem në këtë shkrim për këto histori katër librat e botuar këta dy vjet aty janë dhe flasin qartë.

Po merrem konkretisht me protestat në Prishtinë e Tiranë e kudo ku ka shqiptarë…

Janë të mrekullueshme se janë paqësore prandaj dhe shkruaj, përndryshe s’do flisja fare…

Janë të drejta sa vetë Zoti e di që janë!

Fillojmë me radhë:

Prishtina dhe të gjithë shqiptarët në botë janë ngritur për vendimin e Gjykatës së Hagës — unë e kam shkruar rreth këtij rasti një muaj para se të ndodhte dhe atë institucion në Hagë e quaj zgjatim të politikës, ose si i quaj unë — të viruseve përbindësh…

Frymën e çdo revolucioni e kanë nga artistët; fitorja vjen nga heronjtë e një kombi, që frymën e bëjnë ideal të tyre. Politika ka frymë të përçarjes dhe marrjes së pushteteve.

Artistët ikin në shtëpitë e tyre me çati pas çatie, por të lumtur — se ndihmuan popujt e tyre të shpëtonin nga e keqja.

Politika ngre tribuna, mban fjalime, projekton vila dhe pasuri për vete dhe për të afërmit e vet; artistët dhe populli shkëmbehen rrugëve, në kafe dhe në radhët e gjata shikojnë njëri‑tjetrin në sy dhe duket sikur thonë në heshtje njëri‑tjetrit: ti artist dhe shpirt, mendje e dhjetëra netë pa gjumë ne dhamë, djemtë më të mirë, në lulen e jetës, me gjakun tonë ndërsa politika na ka dhënë një pension që hiqemi zvarrë, ty të kanë lënë me një çantë të grisur në krahë si endacak…

O populli im, shikohuni një herë këtë skenë të përditshme, njëri pas tjetrit dhe para pasqyrës jam i sigurt se s’do ta pranoni veten, se po tallen pafundësisht me ju politika…

Jo Gjykata e Hagës por edhe Zoti pa dashje të gabojë — nuk e zbeh ngjyrën e kuqe të gjakut të Adem Jasharit dhe të gjithë djemve heronj të Dardanisë…

Ju lutem mos harxhoni energji kotë për një gjë që martirët me gjakun e tyre e kanë vulosur — kjo është Dardania jonë dhe askush nuk e luan topin këtu…

Ngrihuni për atë politikë të mbrapësht në Kosovë, që mbas pavarësisë edhe sot… jo me dhunë, as me urrejtje dhe me pankarta politike — duam të ndërtojmë sistemin që na përfaqëson të gjithëve jo një herë në katër vjet, por çdo sekondë, të ditës dhe të natës, kur marrim frymë…

Vishuni thjeshtë me të bardha, si ndërgjegjja dhe shpirti i asaj që jeni dhe përfaqësoni — jo me ngjyrara politike…

Mos shani asnjë emër politikani, mos kërkoni burgje dhe plot parrulla të kota…

Jo dhe jo —ata që punësoni ju keni të drejtë t’i hiqni, t’u merrni pasuritë dhe institucionet e tjera të bëjnë detyrën që kanë marrë përsipër…

Për protestat në Tiranë ato që them për ju i kam thënë edhe në prozë dhe poezi ato vazhdojnë avazin e vjetër: burgje dhe dënime pa fund —unë kësaj nuk i them zgjidhje jo dhe jo! Madje as frymë…

Kolegët e mi poetë dhe shkrimtarë — në këta pak ditë që ndodhi çështja e Hagës, e kanë skalitur aq bukur të vërtetën e çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës dhe heronjve të saj — sa ju me ato turma të etuara nuk i bëni nder askujt! Dilni në rrugë, recitoni poezitë e këtyre poetëve — do t’i shërbeni shumë më tepër së mirës që duam…

Çdo komb që e merr frymën nga artistët është i qytetëruar; çdo komb që përdor frymën e politikanëve është i verbëruar dhe e meriton të vuajë…

Hajde se dhe unë dhe kolegët e mi jemi nga ju kemi dalë! Të zgjedhim kulturën dhe dinjitetin — apo zvarritjen për emra dhe parrulla pa vlerë…

Ne e kemi në dorë të ecim përpara ose mbrapa…

Mirë u takofshim të bardhë!