Arben Iliazi

Më 14 qershor 1920 u lind profesor Ramadan Sokoli, një nga dishepujt frymëzues unikalë të kulturës shqiptare, i cili e shihte trashëgiminë kulturore kombëtare si instrument të emancipimit dhe si themelin tonë shpirtëror në kohët moderne.
Prita sot të përkujtohej, me aktivitete zyrtare nga institucionet shtetërore, me qëllim që t’u përcillet breznive të ardhshme trashëgimia dhe mesazhet e veprimtarisë krijuese të këtij humanisti atdhetar, kolos i trashëgimisë sonë shpirtërore, albanologu, folkloristi dhe muzikologu të shquar, themeluesi i etnomuzikologjise shqiptare, autor i mbi 1200 punimeve të natyrës shkencore në vazhdën e traditës së iluminizmit përballë multikulturalizmit.
Por siç duket, institucionet e shkencës, artit, kulturës e trashëgimisë nuk janë atje për të plotësuar nevojat e shpirtit tonë, që të kulturohemi dhe të dalim nga bota jonë e vogël.
***
Pata fatin ta njihja nga afër profesorin. Më fliste me nostalgji për ekspeditën e përbashkët eksploruese gjermano- shqiptare, të vitit 1957, që erdhi për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në Jug: Toskëve, Labëve dhe Çamëve.
Fliste më shumë emocion për origjinalitetin e valles së Osman Takës e cila, sipas tij, meriton të jetë në fondin e artë të kulturës, të trashëgimisë jo materiale, jo vetëm shqiptare, por edhe atë botërore të UNESKO-s, si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, me vlerë të jashtëzakonshme.
Me një mendim të qartë estetik dhe i shqetësuar për mbijetesën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, më thoshte: “Kjo valle është një art madhështor që nuk zbehet kurrë, një pasuri e madhe kulturore e kombit shqiptar, me autenticitet e bukur të rrallë. Ajo frymëzon shumë artist dhe njerëz të thjeshtë, si metaforë e qëndresës, lirisë dhe humanizmit. Një vepër monumentale koreografike, ku koha dhe arti shprehin shkëlqyeshëm njëri tjetrin. Ai një predikues i shenjë, profesori theksonte: “Ne duhet të rigjejmë kulturën tonë. Kjo valle është edhe identitet. Dhe identiteti është përkufizimi i vetvetes, është vetëidentifikim, është ndjenjë e përkatësisë së individëve ndaj një grupi që riafirmon vetveten”.
Një kredo të tillë kisha parasysh kur, vite më vonë, në shkurt 2023, shkrova dramën “Osman Taka”, e cila u inskenua në Teatrin Kombëtar Eksperimental, nën regjinë e N. Shundit (producent A. Veliu).
***
Në qershor 2006 Instituti Amerikan i Biografive (ABI) e futi profesor Ramadan Sokolin në “Listën e Ekspertëve më të Respektuar në Botë”.
Tepër i lodhur nga peripecitë e një jete plot vuajtje e strese të pafundme, profesori vazhdoi të punonte në krijimtarinë e tij deri në fund të jetës, kur iku në amshim, (12 mars 2008), ndonëse ndihej i mënjanuar dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga autoritetet shtetërore, të cilat, ende dhe sot nuk kanë asnjë brejtje të ndërgjegjes, duke dalë nga sfera kombëtare dhe duke e zhytur Shqipërinë drejt humnerës kozmopolite, për ta shkëputur jetën shpirtërore nga bashkësia ku i ka rrënjët.