Rastësia…!!Vangjel Pellumbi


Vangjel Pellumbi

Ai doli nga biblioteka, me një sërë librash në duar, ecte drejt për në sallonin e bibliotekës, nëpërmjet një korridori të gjatë dhe 2 metra të gjerë. Ecte i menduar dhe nuk shikonte anash, kush ishte aty.

Po papritur u përplas me dikë. Shikimi iu turbullua, mendimet iu ndërprenë nga përplasja me një njeri. Para tij ishte një trup vajze, e bukur si selvi, me sytë e zinj e flokë të kuqërremta, (se i kishte lyer me bojë, dukeshin në rrënjët e tyre).

Ai shtangu për një moment dhe, me zërin që i dridhej, i tha, duke e parë në sy me mospërfillje:

-Më falni, se nuk ju pashë!

Por vajza që qëndronte përpara qeshi, me një të qeshur karakteristike për të. Ai atëherë e ngriti kokën dhe e pa me vëmendje. Po, po, ishte vajza e gjimnazit, që kur qeshte, asaj i bëheshin faqet me vrimë.

Ishte pikërisht ajo, që kaq vjet kishte qëndruar në bangat e shkollës, nga fillorja deri në gjimnaz, që dikur kishte një lidhje intime me të.

U befasua dhe i kërkoi të falur.

Ajo vazhdonte të qeshte si dikur. Kishte kohë pa e parë, se dinte e martuar, a beqare ishte! Por ajo, me një shkathtësi, ia preu mendimin, duke i thënë:

— Mos u shqetëso, zotëri, nuk ka problem!

Tingëlloi fjala zotëri si tingujt e zbehtë të një kitare të vjetër. Ai po mendonte: mos vallë nuk më njohu? — pyeste ai, që m’u drejtua me fjalën zotni.

Ç’rastësi! Në këtë korridor të ngushtë të bibliotekës, takova vajzën e shkollës së mesme, që kur e mbaruam shkollën e mesme, nuk e kisha takuar më, me të cilën kisha marrëdhënie intime , mendonte ai.

Po, po, ajo qeshje, ajo fytyrë, ata sy, si dikur çapkënja e klasës. Po ajo a më njohu zërin tim si borigë? — pyeti veten ai.

Kujtimet… Po e qeshura e vajzës e solli në vete.

Zgjati dorën e i tha:

– Simon më quajnë.

Dhe ajo, duke i zgjatur dorën e me një qetësi absolute, i tha:

– Pranvera, shkurt më thërrasin Vera!

Ata të dy u panë në sy. Nga shikimi dhe kujtimet e largëta, librat që mbanin në duar i ranë poshtë, në këmbët e tyre. Dhe të dy, si me komandë, u ulën për t’i marrë, duke përplasur kokat me njëri-tjetrin.

Qeshën të dy, se kishin njohur njëri-tjetrin.

Pranvera foli e para:

– Më mban mend? Kanë kaluar shumë kohë e gjatë dhe nuk e dinim njëri-tjetrin ku ishim e nga ishim!

– Po -tha Simoni me nxitim.

Atëherë ishim nxënës të një banke, qeshnim e luanim bashkë. Kishim edhe marrëdhënie shoqërore dhe më tepër se shokë, por u ndamë dhe s’u pamë më.

Të dy qeshën, duke kujtuar të qeshurën e dikurshme.

Pastaj, duke mbledhur librat që i kishin rënë nga dora, ai i propozoi të pinin një kafe poshtë, te kafeneja e bibliotekës. Ajo pranoi menjëherë, duke i thënë:

Ta pimë si dikur, që ishim bashkë!

Zbritën poshtë shkallëve dhe u drejtuan në kafenenë aty pranë bibliotekës.

Diskutuan me njëri-tjetrin për shkollat e tyre, se çfarë dege kishin dhe a ishin të martuar.

Të dy, njëzëri, u përgjigjën si një kor muzikantësh:

– Jo! Jemi beqarë. Gjetëm sot dashurinë e humbur të kohës së gjimnazit.

– Unë jam mësuese -foli ajo pas pak.

-Kurse unë mbarova inxhinieri miniere!

Kjo ishte rastësia e shpirtrave të të dyve, që prishën rastësinë për të filluar dashurinë e humbur shumë kohë më parë.

Pasi mbaruan kafenë dhe thanë të gjitha kujtimet e tyre të gjimnazit të largët, u ngritën të kapur dorë për dore. Bënë rrugës përballë bibliotekës dhe u futën në rrugën e ahishteve, e humbën midis tyre.

Ranë dakord për ta vazhduar atë dashuri ku e kishin lënë.

Të dy po mendonin për jetën e porsa filluar. Vazhduan rrugën me ahishte dhe oksigjenin futur thellë në mushkëritë e tyre.

Mendonin që të dy:

“Ç’sjell rastësia, nuk sjell koha e gjatë, sado që e ndërton vetë.

Mes pyllit me aromë të rëndë ahishtesh ndërtuan jetën si zogjtë.Me gaz në buzë falënderuan Zotin që e solli këtë ditë për të dy!Rastësinë!