
Qershori ka një vend të veçantë në historinë politike shqiptare. Në vitin 1924, Revolucioni i Qershorit i udhëhequr nga Fan Noli ishte shprehje e një përplasjeje të fortë mes kërkesës për reforma dhe strukturave të vjetra të pushtetit. Shqipëria e asaj kohe kishte përballë një rend tradicional, ku ndikimi i bejlerëve dhe elitave të vjetra përcaktonte jetën politike.
Sot, 102 vjet më vonë, vendi përballet me një realitet tjetër. Ndryshimi nuk kërkohet më përmes përmbysjes me dhunë, por përmes një lëvizjeje qytetare paqësore, ku një brez i ri shfaq pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kërkon një kapitull të ri politik.
Dallimi i madh mes dy periudhave është forma e reagimit. Në vitin 1924 konflikti politik u zhvillua me mjete të kohës dhe përfundoi me përplasje. Sot, një pjesë e shoqërisë shqiptare po shfaq një model tjetër: presion qytetar pa dhunë, me pjesëmarrje masive dhe me kërkesa të artikuluara.
Kjo lëvizje i ngjan një kupe të mbushur plot e perplot. Për vite janë mbledhur brenda saj zhgënjime, pritshmëri të papërmbushura dhe kontradikta mes qytetarëve dhe institucioneve. Kur kupa derdhet, ajo tregon se një shoqëri ka arritur kufirin e durimit.
Në themel të kësaj situate është kriza e besimit. Një pjesë e madhe e qytetarëve ndjen se është krijuar një hapësirë e madhe ose një humnere mes pushtetit dhe jetës së përditshme. Kjo distancë ushqehet nga arroganca e pushtetit, perceptimet për korrupsion, klientelizëm, kapje të institucioneve, keqmenaxhim të pasurive publike, konflikte mbi pronat publike dhe private, si dhe nga mungesa e transparencës në vendimmarrje.
Kur shërbimet publike nuk japin sigurinë e pritshme, kur qytetari përballet me vështirësi në shëndetësi, arsim, administratë dhe mbështetje sociale, atëherë kriza nuk mbetet vetëm politike; ajo bëhet krizë e jetës së përditshme.
Krahas krizës së besimit qëndron kriza ekonomike dhe sociale. Të rinjtë kërkojnë punësim, paga më të mira dhe mundësi që të ndërtojnë të ardhmen brenda vendit, jo jashtë tij. Pensionistët dhe shtresat në nevojë kërkojnë dinjitet dhe siguri. Një ekonomi që rritet në shifra, por nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarin, krijon pakënaqësi dhe mosbesim.Dhe pse jo dhe revoltë.
Në këtë pikë lind edhe kërkesa për ndryshim të klasës politike. Jo thjesht ndryshim emrash, por ndryshim mentaliteti: nga politika e pushtetit për vete, drejt politikës si shërbim publik. Një brez i ri kërkon të shohë një elitë politike me sytë nga Shqipëria dhe shqiptarët, jo nga interesat e ngushta.
Protesta paqësore është pjesa më domethënëse e këtij momenti. Ajo tregon një shoqëri më të matur, e cila kërkon ndryshim pa kaos. Është një forcë qytetare që nuk shprehet me dhunë, por me këmbëngulje.
Flamingot e Lagunës së Nartës mbeten një simbol i kësaj lëvizjeje: ato vijnë në tufa, ndryshojnë pamjen e horizontit dhe largohen pa e dëmtuar natyrën. Edhe një shoqëri mund të ndryshojë horizontin e saj përmes bashkimit dhe vetëdijes.
Kulaçi i thyer nuk bashkohet më si më parë. Kur besimi dëmtohet, ai nuk rikthehet me premtime, por me reforma konkrete. Kjo është sfida e kohës: të ndërtohet një marrëdhënie e re mes qytetarit dhe shtetit.
Nëse kjo lëvizje do të hyjë në histori si një pikë kthese, këtë do ta tregojë koha. Por një gjë është e qartë: një brez i ri po kërkon një Shqipëri ku drejtësia sociale, transparenca, zhvillimi ekonomik dhe përgjegjësia politike të mos jenë më një premtime, por një ralitet i prekshëm.