Shënime për romanin:” Liana”  të Panajot Zoto-nga Pajtim Çaushi

NJË ROMAN I NEOREALIZMIT
  Shënime për romanin LIANA  të Panajot Zoto

                                  nga  Pajtim Çaushi


1. Nevojtari së pari troket tek porta e fqinjit.

Kur kalon faqen e fundit të një libri, ndodh si me ushqimin. Në Qënie të krijohet një shije e caktuar. Mund të jetë e athët, e hidhur. Ose e kundërta.
Në përfundim të romanit “Liana” të autorit Panajot Zoto mua më ndodhi e dyta. Në ndjesitë e Qënies ndieva shijen e së bukurës të nxjerrë nga E Bukura apo dhe nga E Shëmtuara.
Kjo i ndodh cilitdo kur autori di t’i përcjellë kategoritë estetike përmes rrëfimit artistik duke i krijuar lexuesi parafytyrime ngacmues në vetëdije.
Romanet që trajtojnë emigracionin e shqiptarëve pas viteve ’90 janë të shumtë dhe paraqesin këndvështrime të ndryshëm të shkruesve. Eshtë fakt se në krye një pjesë e madhe e tyre emigruan në Greqi. Normale, çdo nevojtar së pari troket tek porta e fqinjit.
Rishtas normale të pranohet se librat e botuar për këtë dukuri do të ishin për atë shumësi shqiptarësh që bujtën me shpresë e besim tek fqinji i jugut.
Autorët që kanë pasqyruar këtë temë, sollën dhe sjellin përvoja të ndryshmet duke na servirur histori njerëzore të larmishme suksesi apo dështimi.
Sidoqoftë, ato janë një pasuri e çmuar e letërsisë sonë bashkëkohore.

2.Një roman i freskët për fate jetësh njerëzore.

Romani Liana (alias Diana) nuk merret me odisenë e kalimit të kufirit, as me ndjekjet e dhunshme të rojeve kufitare. Jo, thelbi i tij është udhëtimi i vështirë i njeriut drejt mbijetesës, dinjitetit dhe identitetit.
Në përgjithësi emigranti është një figurë tragjike. Kjo pasi largohet nga atdheu për të shpëtuar familjen, por shpesh paguan një çmim të lartë shpirtëror. A mund të shkulet lehtë nga shpirti i të ikurit një pjesë e madhe e jetës kaluar në familje e në shoqëri?…
Janë dhjetra lidhje emocionale që të përcjell kujtesa kur gjendesh larg tyre.
Kështu ndodh edhe me personazhet (kryesisht femra) të romanit “Liana”. Diana, Anna, Sonja, Marta mund të ndihen të plotësuara ekonomikishr dhe profesionalisht në Greqi, por shpirtërisht s’ka sesi. Në thellësi të shpirtit të tyre është psherëtima për dheun Amë. Dhe këtë autori nuk e mohon, por e shpreh bukur në mendimet dhe emocionet e personazheve.
Pra, në vetëdijen e tyre ndodh përplasja mes dëshirës për të kapur të ëndërruarën dhe rënkimeve të Vetes e gjithë Qënies për mungesën e botës së shpirtit.
Greqia shfaqet si “toka e premtuar”, ku puna dhe mirëqenia duken të arritshme, por me argasjen në jetën e përditshme do të njohësh edhe zhgënjime nga mashtrimet e paragjykimet.
* Lianën (Dianën) tenton ta përdhunojë Kristua…
* Me siguri ndonjë problem me shqiptarët, tha zonja Pirhiani.
* Marta14 vjecare e rrëmbyer dhe e përdhunuar shpëtohet nga një bashkëfshatar i saj.

3. Penelata të shkurtra për personazhet.

Eshtë tipar dallues i realizmit krijimi i portretit fizik e shpirtërotr të personazhit. Me këtë formë shkrimore realistët mundësonim jetësimin e dy veçorive të tyre: tipizimin dhe individualizimin e individëve si objekt krijimi.
Panajot Zoto këtë e reazizon bukur e thjeshte me penelata të shkurtra kryesisht mbiemrore duke na e sjellë të gjallë e të freskët personazhin. Ai bën kujdes që veçanrisht figurat femërori t’i paraqes me një portret fizik të lakmuar e portret shpirtëror fisnik e human.
* Liana Sionis (Diana Gjoni) me emër e mbiemër të deformuar (ashtu si ka ndodhur fatkeqësisht me qindra e mijëra shqiptarë) për të cilën takimi me zonjën Pirhiani u bë ditë fatlume për të. Një femër e plotësuar, rrezëllitëse, e lirë, e qeshur, mendjehapur, moderne… Nga sytë i dilte një dritë flakëruese, me flokët në ngjyrën e grurit të pjekur, sytë i lëshonin xixa…
* Zonja Pirhiani – shpirtmadhe, zemërmirë, humane, aktore e dashur për athinasit… Lianën e quante bijë, Sonjës i kishte dhënë gjithë dashurinë e saj…
– Kardhjamu esi, u lumturua zonja për rezultatet e saj në shkollë.
* Sonja – me sytë ngjyrëdeti, e bukur si yll drite, me sy lëbyrës, qepalla të gjatë, vetullat fiskajë ngjyrerrëta… E ndjeshme, e dashur.
– Nona kollitet shumë… Më vjen keq, thotë kur dëgjon kollën e zonjës
* Anna – simpatike e rilindur, me inteligjencë të lindur, gazetare e suksesshme…
* Albani – djalë i bëshëm, flegmatik, fjalëpak, tip i mbyllur, mizantrop e thirrnin shokët

4. Pavarësisht kohës, rrënjët lëvizin…

Ky mendim i shprehur tek nëntitulli jepet shkurt nga autor, por del qartë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai e thekson këtë duke dhënë detaje që marrin vlerë simbolike dhe nëntekstore.
* … fliste me pasion fëminor në gjuhën e nënës. Dy gra pas ndenjëseve të tyre, dukshëm në padurim për të ndërhyrë.
– Ej, ej këtu nuk është Shqipëri, flisni greqisht, tha njera prej tyre.
Albani muk i foli, as Liana. Sonja nuk duroi.
– Pse e ndaluar është të flasim gjuhën tonë? -ia ktheu në greqisht.
* – Je shqiptare dhe besoj se ke ndesi të veçantë kur bëhet fjalë për arvanitasit, i kishte thënë drejtori i departamentit me një qeshje cinike.
– Janë pjesë e rrënjëve të trungut tonë të madh, ishte përgjigjur Anna jo pa ironi.

5. Liana – një roman i neorealizmit.

E kuadroj si roman të neorealizmit pasi , mendoj se përmbush kërkesat që ka kjo formë shkrimore e kohëve të sotme.\
Në raport me realizmin klasik balzakian tek romani i Panajot Zotos nuk gjejmë përshkrime të hollësishme të shtrirë në dhjetra faqe të mjedisit apo të tipareve, të historisë apo të bshkëkohësisë.
Autori përdor shpesh, por me masë retrospektivën për të dhënë sqarime të fatit të djeshëm të personazheve pa rënë në përsëritje barthamash rrëfimtare.
Dialogu mes personazheve është në përgjithësi i thukët, pa teprime me fjali shumëpjesëshe.
– Ti? – u habit zonja Pirhian.
– Po, shqiptarja që do të punonte tek ju.
Rrëfimi është ndërtuar me pasuri detajesh jetësorë duke krijuar një shumësi bërthamash të shkurtra narrative që s’të lënë të biesh në monotoni e bezdi.
“… shtyu ulësen… u ngrit… shtriqi krahët… iu afrua dritares… hapi perden… hodhi vështrimin tutje për të parë horizontin…”
Autori në raste të veçantë përdor edhe gjuhën në funksione tipizuese. Rast i dukshëm është ai i përemrit dëftor për të theksuar strehën shpëtimtare për dy femrat shqiptare:
“… kjo shtëpi… kjo grua bamirëse…”

6. Përfundimi.

Kur mbarova së lexuari romanin “Liana”, pyeta në heshtje Qënien time:
– Si ndiehesh pas liximit të këtij libri të ri shkruar nga Panajot Zoto?
Uni dhe Vetja u përgjigjën horazi:
– Lexova një roman të bukur…

11 gusht 2026