Shtoni edhe dyfytyrsinë tonë, ju lutem!Nga Llesh NDOJ

– Persiatje mendimesh rreth aktualitetit –

Nga Llesh NDOJ

   Përparimi i Shqipërisë mbetet ende shumë larg ndaj  pritshmërive të kohës dhe, për më tepër, larg ritmeve të shteteve me kushte të pëafërta me ne. Stabiliteti ekonomik e politik, konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi i qëndrueshëm e përspektivat zhvillimore afatgjata, janë larg kohës kur jetojmë e prioritetit të integrimit evropian, aq të shumëpritur për çdo shqiptar. Gjendja ekonomike dhe kushtet e jetesës së shqiptarëve mbeten jo vetëm larg pritshmërive, por edhe larg kërkesave minimale për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

       Hendeku social në këtë vend, sa vjen e thellohet. Natyrshëm, e gjithë pakënaqësia jonë i drejtohet shtetit e politikës në tërësinë e saj, e kjo me shumë të drejtë, por nuk është mjaftueshëm. Specialistët e fushave janë të zotët të bëjnë (edhe kanë bërë vijimësisht) analiza të hollësishme për çdo problem, por unë secilit prej tyre do t’i lutesha të shtojnë si faktor, jo pa rëndësi e ndikim edhe dyfytyrësinë, në fakt pafytyrësinë tonë si qytetarë të kësaj republike. Nuk më dhimbset qeveria e politika, por ndajë bindjen e plotë se, pa ndryshuar ne, për t’u paraqitur vetëm me një fytyrë, nuk ndryshon dot as qeverisja jonë. Përkundrazi…! Ne protestojmë, shajmë dhe e mallkojmë atë, e ajo vetëm majmet, sepse e njeh dyfytyrësinë, apo pafytyrësinë tonë. Mbetet aksiomë e gjithëpranuar, se çdo popull ka mbi krye atë qeverisje që meriton. Nga kjo, s’besoj të bëjmë përjashtim as ne. Për t’a argumentuar sa më sipër, ka fakte plot, por unë do të cek, pa ndonjë analizë të hollësishme, vetëm disa pamje të saj:

  1. Sjellja jonë si zgjedhës.

Të paktën njëherë në dy vjet, ne ftohemi për të votuar përfaqësuesit tanë në organet ligjvënëse e ato administrative vendore. Por ç’ndodh? Votojmë në rresht më të keqen e së keqes. Zihemi me njëri – tjetrin se kush duhet votuar, lobojmë, patronazhojmë, bëjmë presion, prishemi edhe me të afërmit tanë, por për një gjë nuk gabojmë: Përgjithësisht votojmë më të keqin! Pastaj… ngarkohemi me parulla, kërkojmë si kompensim paratë e autobusit dhe ndonjë sufllaqe, apo shishe ujë dhe protestojmë ndaj atyre që vetë i kemi zgjedhur. Votën e vet, më i miri ndër ne e fal për hatër e miqësi, qoftë edhe për militantizëm partiak, përkatësi etnike apo krahinore, ndërkohë që më të kqinjtë e shesin atë me para, me pazare pushteti, marrëveshje okulte për vende pune, marrëveshje për thyerjen e ligjit e për përfitime të shumëanshme të paligjshme.

Shumica prej nesh sillemi jo të dyjëzuar, por si dy veta gati pa lidhje mes tyre. Ndryshe votojmë e tjetër gjë kërkojmë! Kur votojmë nuk llogarisim pasojat, kur e pësojnë të tjerët, bëhemi indiferent e themi “larg meje” dhe, kur e ndjejmë në asht, kërcejmë përpjetë e reagojmë më shumë duke dëmtuar veten se sa për të çuar në vend padrejtësinë. Dyfytyrësi apo pafytyrësi, secili le ta gjykoje vetë veten dhe rrethin e të afërmve të tij.

  • Raporti ynë me çmimet, sasinë e cilësinë e mallrave dhe të shërbimeve.

Në Shqipëri, çmimet përgjithësisht nuk e justifikojnë, jo vetëm nivelin e jetesës, por as sasinë e cilësinë e mallit që ne blejmë. Konsumojmë bukë me ngjyrues dhe pa peshën e cilësinë e duhur, misër me aflatoksinë u japim blegtorisë, prej të cilave ushqehemi me produkte shtazore, blejmë e konsumojmë perime mbi të cilat janë përdorur plehëra e pesticide të ndaluara dhe heshtim, apo thjeshtë presim vetëm nga shteti. Sigurisht që shteti për atë është votuar e për atë paguhet, ashtu siç ka edhe mjetet e mundshme për t’a bërë këtë. Mirëpo bukën, qumështin, mishin apo perimet pa cilësi, ose me cilësi që dëmtojnë shëndetin tonë, i konsumojmë ne. Dhe asnjë fjalë me shitësin, apo përgjegjësin e drejtpërdrejtë për këto. Pronarin zor se e takon gjëkundi… Marrim bukën e ikim, blejmë mishin e perimet e ulim kryet, pastaj flasim me njëri – tjetrin se ato s’kishin (nuk kanë) asnjë shije. Mirë cilësinë se nuk kemi si t’a dimë e argumentojmë shkeljen apo devijimin nga standarti, po pse blejmë qumësht që shitet në rrugë të madhe gjithë pluhur dhe mbeturina, duke qëndruar me orë të tëra në piskun e diellit? Blejmë mish fshati, edhe pse e shohim se kafsha theret në grumbullin e plehut e rrethohet nga një ushtri mizash, e ne i knaqemi të qënit “prej fshati”. Po, qyteti s’ka stalla, o të uruar! Krejt nga fshati vijnë? Nuk kemi mjete për t’a kontrolluar cilësinë e bukës, por peshën ama mundemi, e kjo përgjithësisht rezulton jashtë standartit dhe nën normë. Blejmë mall apo shërbim, por nuk kërkojmë kupon tatimorë, të cilin ende nuk e lëshojnë shumica e bizneseve, bile as ente në varësi të drejtpërdrejtë të shtetit, e ne në vend që të kërkojmë llogari, apo të debatojmë me shitësin, më mirë akoma me pronarin, protestojmë ndaj shtetit, duke e ndihmuar që ai të majmet edhe pak më shumë, përmes zhvatjes. Madje edhe kur të lëshojnë kupon tatimorë, ai nuk mbulon gjithnjën shumën e paguar.

Po bisedoja rastësisht me një mik emigrant, disi në moshë dhe i pa njohur sa e si duhet për ndryshimet legjislative të kohëve të fundit, i cili po interesohej lidhur me rivlerësimin e pasurive dhe përfitimet prej saj. Kur ai e kuptoi thelbin, për aq sa dita e munda unë për  t’ja shpjeguar, shfryu thellë dhe tha: – E paskam problem!, dhe më sqaroi se nga 96000 euro që kishte paguar për shtëpinë, fatura e shitësit (kontrata) shënonte vetëm 36000 euro. – A më thua sa do të paguaj më shumë vetëm për këtë shkak?, – m’u drejtua miku emigrant. Mundohem t’ja llogaris e t’ia shpjegoj se në varjantin me rivlerësim (proces aktual e me afat kohorë) atij i shtohen vetëm për këtë shkak 1800 euro (60 mijë x 3%) kurse, nëse ai e shet shtëpinë pa e rivlerësuar në fillim, i shtohen për të njëjtën arësye plot 9000 euro taksë që i paguhet shtetit (60 mijë x 15%) dhe bashkëbiseduesi vuri duart në kokë, e iku i alarmuar, duke thënë: – Po kjo është grabitje e pastër! Ndodh gjithnjë kështu sepse ne jemi babaxhana kur blejmë, por nuk i llogaritim pasojat e veprimeve tona. A nuk janë këto dyfytyrësi apo pafytyrësi e jona? Unë them: – Po! E duke e thënë këtë, nuk është se nuk i di edhe pasojat, nëse veprojmë ndryshe. Bile disa edhe i kam “shijuar” mbi kurriz.

         …I kërkoj një ditë shitëses së bukës t’ma peshonte bukën se nuk ma mbushi synin. S’kishte peshore! Një ditë tjetër i kërkova kupon tatimor. S’më mjafton koha tha me u lëshue të gjithëve, por i pres në fund të turnit me shumicë, në vartësi të shitjeve! …I kërkoj punonjësit të parkingut me pagesë kupon tatimorë për shumën që pagova cash, e ai më thotë, s’kemi paisje. Tash që është siguruar paisja, pyetjes sime pas pagesës, nëse ka kupon tatimorë, ai i përgjigjet: Për ty po! Pyetjes pse për mua po e jo për të gjithë, si detyrim ligjor, ai nuk i përgjigjet, duke shprehur hapur “konfliktin” apo “pakënaqësinë” ndaj meje, vetëm se kërkoj kuponin tatimorë, si dëshmi e parave që nxora nga portofoli im i shqyer, kurse shitësja e bukës sa hy në dyqan thotë si nëpër dhëmbë: – Erdhi ky! Kuponi tatimor dhe kërkesa e tij janë së pari respekt ndaj djersës sonë, por janë edhe mjeti me të cilin ne “kompensohemi” indirekt nga drejtimi i fluksit të parave në kanalet formale, e ku shteti merr ç’i takon Çezarit, me shpresën se një ditë na e kthen ne sadopak prej tij, përmes investimeve, arsimit, shëndetësisë, sigurisë etj. Kërkesa e kuponit tatimor ndaj kujtdo është edhe instrument që e legjitimon protestën tonë ndaj shtetit.

         Nuk e bëjmë! – Pse? Përtojmë, apo s’duam të ballafaqohemi me konkreten, por na pëlqen të luftojmë me abstraktën, sepse aty tjerrim teori ne, tjerr teori dhe shteti, duke qenë ai gjithnjë më i aftë se ne. Rezultati? Varfërohemi ne, majmet shteti e thellohet hendeku klasor në shoqëri.

  • Raporti ynë me qeveritarët e administratorët.

Të paktën teorikisht raporti mes qeveritarëve dhe të qeverisurve prej tyre, është një raport i mirërregulluar me ligj e akte nënligjore, në të gjithë sektorët e jetës. Dëgjohet shpesh ndër ne shprehja: – S’ka ligjë!”, si shprehje e pakënaqësisë për padrejtësitë që bëhen, hapur apo të kamufluara qofshin ato. Por s’është kështu. Shqipëria ka ligje, ndoshta më shumë se sa duhen, e ato janë të tjerrura allalindorçe si pakkund tjetër… por ligjet nuk zbatohen. Shteti bën sikur nxjerr ligje për ne, e ne i bindemi paligjësisë së shtetarëve, duke sharë shtetin. Nuk kundërshtojmë, nuk debatojmë, apo nuk padisim e denoncojmë kurrë shtetarin konkret, por protestojmë me shtetin fantazmë, apo luftojmë si Don Kishoti me mullinjtë e erës.

E di se pushtetarët apo shtetarët e çdo rangu kanë gjithnjë më shumë mjete në dispozicion dhe, për më tepër, nuk i kursejnë ato që e drejta të jetë vetëm në krahun e tyre, por dorëzimi ynë pa përballje s’është zgjidhje. Duhet guxim, duhet përballje, duhet njohje e të drejtave dhe detyrimeve tona e të shtetarit – përfaqësues i ekzekutivit, jo “hyrja nga dritarja”, “miku” e “dora në xhep”, si zgjidhja më e shkurtër. As lufta “në tym”, kurrë jo!

Në kohë tashmë të largëta, kam provuar të ballafaqoj informacione jo anonime, por “konfidenciale” të dhëna me shkrim, me personat konkretë që akuzoheshin, por sjellja e denoncuesit ndaj të denoncuarëve prej tij, ndryshoi menjëherë me 180 gradë. E njëjta ndodh edhe sot: Shajmë shtetin, e mirë ia bëjmë, por emër nuk i vemë askujt. Shteti edhe mund e duhet të shahet për taksa të padrejta, për investime të munguara, për gjithçka mund të shahet, por korrupsionin, padrejtësitë, mosdhënien e shërbimit etj, e zhvillojnë njerëzit konkretë, jo shteti abstrakt. Derisa ne t’i vemë emër atyre, shteti do të majmet, e ne do të konsumojmë veten në luftë me mullinjtë e erës, të cilëve “nuk dimë nga u vjen uji!”.

Nuk është një rast përjashtimorë, por kudo e njëjta gjë është. Konkurojmë për vende pune duke paguar (para ose në natyrë – kontribute të paligjshme), dhe themi shteti është i korruptuar, përtojmë të ndjekim procedurat ligjore e fusim mik për të paguar para për të marr një shërbim, pastaj protestojmë e shajmë shtetin…! Që shteti s’ka fytyrë dihet, por veprimeve tona si t’ua vemë emrin: Dyfytyrësi a pafytyrësi?

  • Raporti ynë me zhvillimin në tërësi.

Zhvillim do të thotë qytetërim, por ne zhvillimin nga të tjerët e kërkojmë, ndërkohë që qytetërimin brenda vetes nuk e pranojmë. Mund t’a ilustrosh këtë me mijëra shembuj, e këtë mund t’a bëje secili prej nesh, pasi gjërat janë sheshit e nuk kërkojnë ndonjë aftësi të veçantë, përveçse të jemi qytetarë të përgjegjshëm. Kemi gjithë të drejtën e Zotit të kërkojmë ndaj bashkisë, për shembull, që të mbaje pastër mjedisin, por thuajse çdo ditë në udhën nga shtëpia deri tek vendi ku grumbullohen mbeturinat, gjejmë qese të mbushura plot e të hedhura parregullsisht, jo më larg se 20 – 30 metra nga vendi i caktuar, vetëm sepse ndonjë zonjushe, zonje, apo zotnie “modern” i vjen turp me e pa kush në qytet me qese mbetjesh në dorë. Ȅshtë vënë orar kur mbetjet duhen grumbulluar në vendet e përcaktuara (kryesisht mbasditeve të vona), rregull i cili, na pëlqen s’na pëlqen, duhet zbatuar, por shihen qytetarë e biznesmenë, që ende i nxjerrin ato në mëngjes, ashtu siç shohim kudo duhanpirës që hedhin trotuareve bishtat e cigareve, të ndezura e të pandezura, të tjerë që hedhin shishet boshe të ujit, amballazhet e ushqimeve që konsumojnë, apo t’a hedhin përpara këmbeve një shuk sekrecione hundësh apo të fyetit, ndonëse janë zotërinj të veshur firmato.

Duam qytetërim, por duam të ndërtojmë e të veprojmë sipas dëshirës, paguajmë për legalizim, e shajmë pastaj shtetin se nga shtesat s’behet dot udhë, nuk hyn dot ambulance, as zjarrfikësja etj, shohim policin që dhunon qytetarin e themi larg nesh, gjejmë makinën e parkuar në vendkalimet e vetme për këmbësorë dhe ulim kryet e kërkojmë ndonjë shteg për të kaluar. Ende e quajmë të tepërt t’i kërkojmë tjetrit të respektojë të drejtat tona, kurse informimin e organeve ligjore e quajmë spiunllëk, gjë që nuk mund të jetë kështu në kulturën e qytetërimin perëndimor ku duam të integrohemi. Qytetërimi dhe koncepti “ç’më duhet mua?”, apo “një gjarpër që s’më zë mua, u bëftë 100 vjeç!”, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Edhe unë e di se nuk është e lehtë kjo punë, se nga shkelësit merr kundërreagime personale, shpesh jo proporcionale, se organet e shtetit ndonjëherë edhe të ngatërrojnë, duke i thënë shkelësit: – Ç’ti bëj atij, se unë të fal?!, por pavarësisht këtyre, mendoj e këmbëngul përsëri se duhet guxuar, e duhet të përballemi me padrejtësitë. Duhet bërë kjo, nëse duam e përkrahim qytetërimin, ndryshe opingat në dorë e drejt e në maje të malit…

Që të zhvillohemi ne, duhet rikonceptuar urgjent e përmirësuar dukshëm e me guxim raporti qeveritar – të qeverisur, e padyshim që ky përmirësim duhet të fillojë nga ne, duke u qytetëruar për vete e kërkuar edhe nga të tjerët të njëjtën gjë, duke votuar më të mirët e duke e konsideruar se aty përfundon detyra jonë e nga aty duhet të filloje llogaridhënia e të zgjedhurve apo të emëruarve, duke menduar si qytetar të përgjegjshëm vetë e reflektuar këtë kudo e në çdo gjë rreth nesh. Nuk mund të ndryshohet shteti pa ndryshuar ne!

Le të bëhemi ne të përgjegjshëm, që të pretendojmë një shtet ligjorë, për popullin dhe të ndershëm.

Lezhë, tetor 2026