Si ikin njerëzit? Bohemi i fundit-Migel Flor

SI IKIN NJERËZIT?

Për poetin Ilmi Sadi Cani
Si ikin njerëzit?
Papritur…
Po poetët si ikin?
Na lënë një lamtumirë që ne nuk dimë ta lexojmë. Një mesazh, një poezi, një fjalë të zakonshme,
të cilën koha, më pas, na e përkthen në dhimbje.
Një mëngjes, poeti im i preferuar, Ilmi Cani më dërgon një mesazh:
«Shikoje këtë poezi, e shkrova për ty.»
Atkina e bardhë.
E bardhë si shpirti i tij.
E vërtetë si vetë Ilmiu.
Nuk e dija se poeti do të largohej.
Nuk e dija se ajo poezi do të mbetej një nga ato dhurata që marrin një kuptim tjetër pas ikjes së autorit.
E quajta poet të madh edhe atëherë,
jo tani që nuk është më mes nesh.
E përqafova poezinë e tij si timen.
E shpërndava, e reklamova, e analizova, e mbrojta me dashurinë që i kushtoj poezisë së vërtetë.
Nuk përqafoj kurrë emra.
Përqafoj të vërtetën që mbart fjala.
Dhe Ilmiu ishte i vërtetë.
Në poezi dhe në njerëzi.
Sot kam një thirrje për miqtë, poetët dhe lexuesit:
Mos e lini murin e tij në Facebook të heshtë.
Shkruani aty. Ndani krijimet e tij,
kujtimet, dedikimet.
Bëjini tag në çdo poezi që i kushtohet,
në çdo fjalë që e rikthen mes nesh.
Ndoshta ai nuk mund të na përgjigjet më,
por fjala e tij vazhdon të na flasë.
Poezia ka këtë privilegj të rrallë:
t’ia zgjasë jetën njeriut përtej kohës së tij.
Qofsh i parajsës Ilmi Sadin Cani
Ilmi Poeti ….
Poet dhe njeri.
Të përqafova poezinë kur ishe këtu.
Sot përqafoj kujtimin tënd.
Me nderim për ju:
Migel..
@highlight
Nuk kam shqetësuar kurrë me tag “të gjithë”
Per Ilmiun dua t’ju shqetësoj…
**********************************
Nuk vdes poeti, kur mbyll sytë
fjala i bëhet përjetësi mbi një yll,
qiellit gri i lë një dritë,
e në çdo perëndim i këndohet një himn.

Migel Flor

Shënim
“Një poet i madh, që shkruante madhështinë dhe merrte, më së shumti, 30 pëlqime.
Kjo botë e të paaftëve, që zhurmojnë në gazetat letrare e revistat, e mohoi…
Shumica e poetëve nuk e përkrahën. Pse? E kishin frikë vargun e tij.
Ishte i fortë, i ndjeshëm, origjinal, me varg që mbetej…
Po ku të mbetej?
Aty ku duhet të vlerësojmë poezinë, vlerësojmë emrin, veshjen, dikushin, kurrkushin.
Ne jemi bota e pistë. Ilmiu, shpirti i poezisë së bardhë…
Mjeshtrat dhe analistët shqiptarë merren me bejdexhinj e poezi pa bosht, pa jetë, pa fruta.
Detyrë e jona ta çojmë poezinë e tij atje ku e meriton: në qiell.
Sa për mua, kam punë. Fillova përkthimin e poezive të tij dhe shpërndarjen kudo.
Ndoshta u dalin përpara qorrave të letërsisë!”
(Kërkoj falje për mëyrën rrebeluese)