Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
- Vlerësimet në librin e Pandeli Bardhit “Në rrjedhën e jetës – nga Kapo e Hançe te Skënder Lena”


Një vizitë mbresëlënëse në qytetin turistik të Gramshit; një foto sa njëmijë fjalë tek memoriali kushtuar patriotit gramshiot Kapo Lena, ish – komandant i Batalionit Vërçë – Sulovë dhe veçanërisht vlerësimi i gjeneral Ismail Shulkut, ish zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe komandant i Frontit Verilindor, do më përforconte bindjen për personalitetin e Skënder Lenës si simbol i mirësisë njerëzore.
Para më shumë se një dekade për Skënderin, si mishërues dhe përçues i vlerave më të spikatura njerëzore, intelektuale dhe profesionale, më ka folur miku im i ngushtë, ish-mësuesi e drejtuesi shembullor i disa shkollave në Gramsh, Ismet Llapushi (me të cilin kishin lidhje të afërta gjaku). Ndërsa sot këtë vlerësim ma përforcon një tjetër personalitet i arsimit në rrethin e Gramshit, Abedin Bici, teksa më pohon se busti i patriotit Kapo Lena dhe ai i antifashistit Antonio Gramshi, të ideuara dhe ndërtuara me fondet e Skënder Lenës, janë përmendore të historisë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ideimi dhe ndërtimi i tyre, si dhe i dhjetra veprave infrastrukturore, pallate, rrugë, lulishte (në Gramsh e Tiranë) kanë një emër të spikatur të këtij qyteti. Ai është Skënder Kapo Lena, “Qytetar Nderi” i Gramshit, “Ambasador i paqes” dhe anëtari themelues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gramshi”.
Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin krenari. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet. E pikëtisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën Ing. Skënder Lena, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.
Si të tillë e gjejmë personalitetin e tij edhe në librin (monografi) të sapobotuar nga shkrimtari Pandeli Bardhi, me titullin sinjifikativ “Në rrjedhën e jetës – nga Kapo e Hançe te Skënder Lena”. Siç shkruhet në përcjelljen e këtij libri për lexuesin: “biznesmeni, patrioti dhe biri i denjë i Rashtës, Skënder Lena, me punën, mirësinë dhe përkushhtim qytetar u bë urë mes brezave, nga drita e etërve, te drita e njerëzve që e nderojnë sot emrin shqiptar”. Më tej, në parathënien e librit, redaktori i tij Ali Jaupi Normandi, i mrekulluar gjithmonë nga mënyra e të folurit të Skënderit me njerëzit, me shokët e vjetër, me bashkëmoshatarët, me ish-kuadro e punëtorë të thjeshtë, ndër të tjera shkruan: “Ai (Skënder Lena) është nga ata njerëz që gjënë më të bukur e sheh te dhënia, te ndihma, te kujdesi për tjetrin. Në shumë raste ndihma e tij ka mbrritur pa bujë, ashtu si krojet që shuajnë etjet tona në heshtje. Kjo është bamirësia e vërtetë, ajo që lind prej dashurisë dhe mbilllet me modesti”.
GJENERAL ISMAIL SHULKU: “SKËNDER LENA ËSHTË NJË PATRIOT I MADH…”

Skënder Lena u lind në fshatin Rashtan të Gramshit, në një familje atdhetare me kontribute të spikatura gjatë LANÇ. Pas mbarimit të shkollës teknike, Skënderi punoi si specialist dhe si drejtues në ndërmarrje e institucione të ndryshme në Gramsh.
Gjeneral Ismail Shulku, në miqësi të ngushtë me të e familjen e tij që prej 30 vitesh kur ishte komandant i Brigadës së XVI të Këmbësorisë, Gramsh, (për pesë vjet nga 1977 e deri në fundin e vitit 1981), për librin monografik “Në rrjedhën e jetës – nga Kapo e Hançe te Skënder Lena”, ndër të tjera shkruan: “Figura e Skënder Lenës është shumëdimensionale. Jo vetëm unë, por çdo njeri do ta kishte shumë të vështirë të përshkruante ashtu si duhet në mënyrë të plotë figurën, cilësitë dhe meritat, punët e mira e të shumta që ka bërë Skënderi në dobi të vendlindjes së tij Gramshit si dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë sa herë që i kanë kërkuar ndihmë” (fq.140). Më tej gjeneral Shulku vlerëson se “Skënder Lena është patriot i madh edhe pse është biri i Kapo Lenës. Gramshi, në dijeninë time ka shumë biznese, madje dhe shumë të fuqishme, por asnjëri prej tyre nuk ka shpenzuar dhe ndërtuar në Gramsh më shumë se sa Skënder Lena”.
Pas vitit 1992 krijoi një kompani ndërtimi dhe punoi në Gramsh e Tiranë. Skënderi është dalluar për shpirtin e tij human. Ai ka ndihmuar familje e individë në nevojë, ka dërguar kompjutera në dy shkolla etj. Dhe nuk mburret si djali i patriotit të madh Kapo Lena, por ecën vendosmërisht në gjurmët e tij.
KAPO LENA, KOMANDANTI LEGJENDAR I LANÇ NË ZONËN E GRAMSHIT


Nga libri “Në rrjedhën e jetës – nga Kapo e Hançe te Skënder Lena” që sapo ka parë dritën e botimit, ndër të tjera mësojmë për jetën dhe veprimtarinë patriotike të ish – komandantit të Batalionit Vërçë – Sulovë, Kapo Lena. “Ai ka lindur në fshatin Rashtan të Gramshit në vitin 1893 në një familje patriotike atdhetare. Prindërit e tij kanë luftuar e ndihmiar për Pavarësinë e Shqipërisë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste e priti me urrejtje, po kështu edhe regjimin antipopullor të Zogut. Ka qenë pjesëmarrës në Revolucionin Demokratiko-Borgjez të vitit 1924; ishte i lidhur me idetë e revolucionit të Fan Nolit, për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike.
Kapo Lena, e ndjente shpirtërisht se Atdheu i zaptuar nga Italia fashiste, duhej çliruar me luftë e armë në dorë, ndaj u lidh qysh në fillim me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Mori armën në dorë bashkë me luftëtarët e tjerë të rrethit, në luftë kundër postës së Snosmit dhe ushtrisë italiane në shkurt të vitit 1943 në Kodovjat, e në shumë beteja me gjermanët. Më vonë Komandant i Vendit në komandën e Kukurit mbas Operacionit Armik të Dimrit 1943-1944 dhe me organizimin e Batalionit Vërçë – Sulovë, në pranverë të vitit 1944, u emërua komandant i këtij batalioni, detyrë që e kreu me devotshmëri, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Kapo Lena kishte virtute e zakone burrërore, ishte i dashur dhe i respektuar, me çdo moshë, i njëllojtë për çdo besim, seks e ngjyrë. Ishte i dashur e i respektuar me kuadrin e batalionit partizan, i dashur me të gjithë partizanët, besnik i fjalës, trim në luftën kundër armiqve dhe bashkëpuinëtorëve të tyre.
Kapo Lena nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë ushtarake ose shkollë politike, por përvoja, burrat e mençur, prindërit e tij, tarafi i miqësisë, urrejtja kundër armikut dhe vendosmëria për të çliruar atdheun, e bënë atë një ushtarak të zotë e politikan të matur, të dashur me gjithë popullin e rrethit tonë…Kapo Lena (1893-1995) dhe familja e tij nbas çlirimit të vendit, kanë mbajtur një qëndrim shumë të mirë dhe kanë dhënë një kontribut të shquar për edukimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare, por edhe për të gjitha moshat…. Ai, me gruan e tij të nderuar Hançen, lindën dhe rritën tetë fëmijë që sot, punojnë në punë të ndryshme shtetërore dhe private. Ata janë të nderuar, të respektuar nga i gjithë rrethi familjar dhe e gjithë shoqëria që i rrethon…”. (Fq.43 – Nga fjala në ceremoninë e varrimit, mbajtur nga miku, shoku e bashkëluftëtari, Haki Musai, ish-zëvendëskomnadant i batalionit Vërçë-Sulovë).
SKËNDER LENA, MISHËRUES DHE PËRÇUES I VLERAVE
MË TË MIRA NJERËZORE, INTELEKTUALE DHE PROFESIONALE

Skënder Lena vlerësohet nga bashkëkohësit si mishëruesi dhe përçuesi i vlerave më të spikatura njerëzore, intelektuale dhe profesionale. Por gjithësesi në monografinë e shkruar me dashuri, pasion e talent nga Pandeli Bardhi, del më i plotë profili i tij si simbol i mirësisë njerëzore. Kjo, falë mjeshtërisë dhe talentit të autorit Bardhi, i cili e plotëson profilin e Skënder Lenës me vlerësimet e atyre që kanë punuar me të ose që e kanë njohur nga afër. Kështu Jean – Luc EMERY – Administrator i Fondacionit “Komiteti i Ndihmës Mjekësore” i cili ka ardhur në Shqipëri në vitin 1999, si humanitar nëpërmjet organizatës “ Commite d’ Aide Medicale”, në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës, veçmas e vlerëson Skënder Lenën si një nga bashkëpunëtorët më të mirë, me të cilin ka punar prej rreth 25 vitesh dhe për të mbetet një mik i mirë. “Firma ‘LISECI’ që z. Skënder drejton, ashtu si mali nga ku ka marrë emrin qëndron hijerëndë në trevat e Gramshit, për të dëshmuar lidhjen e ngushtë me vendlindjen, me nevjat e patriotëve gramshiotë dhe për t’u shërbyer atyre me përulësi, sikurse vetëm z.Skënder Lena di”, shkruan Jean – Luc EMERY. (fq.143). Ndërsa ish – kryetari i Bashkisë Gramsh, Klodian Tace veçon si një nga veprat më të bukura që lidhet me emrin e Skënder Lenës, parkun e vogël me shatërvanë, i cili sot është kthyer në një oaz gëzimi për të rinjtë dhe të moshuarit. Kjo sipas tij se çdo pikë uji që buron prej atij shatërvani të kujton shpirtin bujar të Skënderit, që deshi t’i dhurojë Gramshit një hapësirë të thjeshtë, por me shumë domethënie, një vend ku njerëzit të pushojnë, të bisedojnë, të qeshin dhe të gjejnë pak freski në ditët e nxehta…

“Skënder Lena, ose njeriu me dy zemra” ,-kështu e personifikon gramshiotin emërndritur Kryetari Federatës së Paqes Universale Shqipëri, Defrim Methasani, mjeshtër moderimit të eventeve dhe i dokumentarit televiziv. “Njëra zemër i punon për familjen e tij dhe tjetra për miqtë e njerëzit në nevojë…Njerëz si Skënder Lena janë asete njerëzore për familjen dhe shoqërinë, por mbi të gjitha janë edhe vlerë për Shqipërinë”, shkruan ndër të tjera ikona e gazetarisë sportive Defrim Methasani.
Fjalë zemre, dashuri dhe respekt për Skënder Lenën shprehin në shkrimet e tyre, pjesë e kësaj monografie, edhe Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm Gramsh, Greta Lena; Dr. Kastriot Hasa; Margarita Llapushi Zeneli; gazetari imirënjohur Bashkim Koçi e dhjetra të tjerë.
Vetë Skënderi e ndjen veten të lumtur që mbi të gjitha ka një familje të mrekullueshme dhe çdo sukses në punë ia dedikon bashkëshortes shembullore, Lirisë, e cila për të dhe fëmijët ka kontribute të veçanta, që jo çdokush nënë dhe bashkëshorte i ka. Ai kujton veçanërisht periudhën mbi tri vjeçare, kur e gjithë barra e ekonomisë në familje dhe shtëpi i ra Lirisë, e cila me shumë mund e përballoi me sukses, duke rritur dhe dy fëmijët e tyre, djalin Orgesin dhe vajzën Odeta, si dhe përkujdesjen shembullore ndaj vjehrrit Kapo Lena deri në çastet e fundit të jetës në moshën 102 vjeçare.
Sot Skënderin dhe Lirinë, me të drejtë i gëzojnë arritjet e djalit Orgesit që ka qenë dhe mbetet shumë i angazhuar, duke ndihmuar në firmën “Liseci”, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Arjola ka një biznes parukerie që e menaxhon me shumë sukses, si dhe të vajzës, Odetës që e martuar me Landi Çamin kanë një harmoni të shkëlqyer me njëri-tjetrin dhe që kanë dy djem, Aleksandrin dhe Andrean.
Ndaj edhe bashkëshortët Liri e Skënder Lena vlerësojnë mbi të gjitha pasuritë, dashurinë dhe harmominë mes tyre, djalit dhe vajzës.., por edhe me miqtë e shokët e shumtë në Gramsh, Tiranë e në gjithë Shqipërinë.