“Takimi i brezave”  në Kallarat – një natë ku u bashkuan kujtesa, malli dhe gëzimi-Nga Besnik Gjonbrataj

– Reportazh nga “Takimi i Brezave”, Kallarat, 15 gusht 2026 –

Nga Besnik Gjonbrataj

Mbrëmja e 15 gushtit 2026 e gjeti Kallaratin të mbushur me njerëz, drita, muzikë dhe emocione. “Takimi i Brezave”, tashmë një traditë e bukur e përvitshme, mblodhi edhe këtë vit banorë të fshatit, bashkëfshatarë të ardhur nga Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana e qytete të tjera të vendit, si dhe emigrantë që kishin ardhur nga Greqia, Italia e deri nga Kanadaja.

Për shumë prej tyre, ardhja në Kallarat nuk ishte thjesht pjesëmarrje në një aktivitet festiv. Ishte një kthim te rrënjët, te kujtimet e fëmijërisë, te njerëzit e dashur dhe te vendi prej nga nis historia e familjeve të tyre.

Përgatitjet për këtë takim kishin nisur ditë më parë. Shoqata Atdhetare dhe Kulturore “Kallarati”, Këshilli i Fshatit dhe grupi organizator kishin marrë masa për sistemimin e sheshit, ndriçimin, krijimin e kushteve për pjesëmarrësit dhe koordinimin e gjithë veprimtarisë.

Një rol të rëndësishëm pati edhe publiciteti i vazhdueshëm në rrjetet sociale. Përmes faqes së shoqatës “Kallarati” u publikuan njoftime, foto, postera dhe numërimi mbrapsht deri në ditën e takimit, duke i bërë thirrje kallaratasve, kudo që ndodheshin, të bëheshin pjesë e kësaj nate.

Motoja “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro!” mori në këtë mbrëmje një kuptim edhe më të veçantë.

Në takim ishte i pranishëm edhe një staf i TV 6+1 Vlora, i cili ndoqi nga afër zhvillimin e aktivitetit, realizoi intervista me pjesëmarrës dhe organizatorë, si dhe fiksoi me kamera e fotografi momente të ndryshme të kësaj nate duke i transmetuar të nesërmen në televizionin lokal të Vlorës.

Veprimtaria u moderua nga Anxhela Hysaj, vajzë e Kallaratit, e cila edhe më parë ka qenë pjesë e moderimit të aktiviteteve të shoqatës. Me një komunikim të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë, ajo u uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve dhe nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve në një kohë kur shumë kallaratas jetojnë larg vendlindjes.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se “Takimi i Brezave”  është një mundësi për t’u takuar e për t’u çmallur, por edhe një mënyrë që të rinjtë të njihen me njëri-tjetrin dhe me historinë e traditat e Kallaratit.

Në emër të Kryesisë së shoqatës “Kallarati”, fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetari, z. Besnik Gjonbrataj.

Në fjalën e tij ai përmblodhi në pak fjali thelbin e kësaj mbrëmjeje: “Sonte Kallarati na ka mbledhur sërish bashkë. Na ka mbledhur vendlindja. Na kanë mbledhur kujtimet. Na kanë mbledhur rrënjët tona.”

Me një përshëndetje të veçantë Besniku iu drejtua banorëve që vazhdojnë të jetojnë në Kallarat dhe që, me praninë e tyre të përditshme, e mbajnë gjallë fshatin, por edhe bashkëfshatarëve të ardhur nga qytete të ndryshme dhe emigrantëve që kishin përshkuar qindra e mijëra kilometra për të qenë atë natë në vendin e origjinës.

Në qendër të fjalës ishte edhe brezi i ri. “Prania e fëmijëve dhe të rinjve i jep kësaj mbrëmjeje më shumë dritë, më shumë gjallëri dhe më shumë shpresë. Kur brezat takohen, kujtesa nuk humbet dhe lidhja me vendlindjen bëhet më e fortë,” u theksua në përshëndetje.

Një moment i veçantë dhe me shumë domethënie ishte prezantimi dhe shpërndarja e librit “Historiku i Kallaratit”, fryt i një pune të gjatë të grupit hartues, kryesuar nga Prof. Dr. Rami Memushaj.

Në fjalën përshëndetëse u cilësua jo thjesht si një libër, por si “kujtesa jonë e shkruar” dhe si një urë që lidh të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen.

Historiku u kushtohet veçanërisht brezave të rinj, që, kudo ku të jetojnë, të kenë mundësi të njohin historinë e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, traditat, sakrificat dhe rrënjët e origjinës së tyre.

Libri u shpërnda gjatë mbrëmjes dhe ngjalli interes te shumë prej pjesëmarrësve, të cilët e morën me vete si një kujtim të veçantë nga “Takimi i Brezave 2026” .

Mes gëzimit të kësaj nate pati vend edhe për kujtesën dhe respektin ndaj atyre që nuk janë më. Në fjalën e kryesisë së shoqatës u kujtuan bashkëfshatarët që ishin ndarë nga jeta që prej “Takimit të Brezave” të vitit të kaluar dhe iu shprehën ngushëllime familjeve të tyre. Mesazhi ishte i qartë: në një takim brezash, edhe ata që nuk janë më fizikisht mes nesh vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës së përbashkët përmes  kujtimeve dhe gjurmëve që kanë lënë.

Pjesëmarrësit i përshëndeti gjithashtu edhe kryetarja e Njësisë Administrative Horë–Vranisht, znj. Elena Memushaj, e cila vlerësoi organizimin, traditën e këtyre takimeve dhe rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve ndërmjet brezave dhe vendlindjes.

Pas fjalëve përshëndetëse, sheshi iu la muzikës dhe festës.

Ndryshe nga disa prej viteve të mëparshme, këtë herë nuk kishte këngëtarë të ftuar. Por këtë mungesë e kompensoi më së miri DJ ADI, i njohur në Vlorë, i cili me një repertor të larmishëm krijoi atmosferë dhe ritëm gjatë gjithë mbrëmjes.

Këngët popullore, muzika e jugut, ritmet moderne dhe vallet i përfshinë shpejt pjesëmarrësit, duke bërë që sheshi të mbushej me të rinj, të moshuar, gra, burra e fëmijë.

Nuk mungoi as kënga tradicionale labe. Një nga momentet e bukura të mbrëmjes ishin këngët e kënduara nga pjesëtarë të fisit Jonuzaj të Penkovës, me origjinë nga Kallarati, të cilët sollën në shesh tingullin e polifonisë dhe traditën e këngës labe. Marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja u ndërthurën me atmosferën festive, duke sjellë atë element që nuk mund të mungojë në një takim kallaratas.

Gjatë gjithë mbrëmjes pati përshëndetje spontane, intervista, fotografi familjare e shoqërore, takime mes miqsh të vjetër dhe njohje mes të rinjve. Dikush takonte pas shumë vitesh një shok fëmijërie, dikush prezantonte fëmijët me të afërmit, ndërsa emigrantët sillnin me vete mallin e viteve të kaluara larg.

Në këtë mënyrë, “Takimi i Brezave” e justifikoi edhe një herë emrin e tij. Në të njëjtin shesh u gjendën disa breza, secili me historinë e vet, por të gjithë me një pikë të përbashkët – Kallaratin.

Organizatorët shprehën falënderime për Këshillin e Fshatit, Njësinë Administrative Horë–Vranisht dhe Bashkinë e Himarës, për mbështetjen organizative dhe financiare që dhanë për realizimin e aktivitetit.

Mirënjohje iu shpreh edhe bizneseve private, si dhe të gjithë individëve që ndihmuan me punë, mjete apo kontribute financiare, duke bërë të mundur që mbrëmja të zhvillohej në kushte sa më të mira.

Në mesazhin për pjesëmarrësit u tha: “Kjo mbrëmje është e juaja. Le të takohemi. Le të çmallemi. Le të kujtojmë. Le të këndojmë e të kërcejmë. Le të ngremë dolli për shëndetin, për miqësinë, për familjet tona dhe për Kallaratin.” Dhe pikërisht kështu ndodhi. Muzika, këngët, vallet dhe bisedat vazhduan për orë të tëra, ndërsa nata e gushtit e mbajti gjallë sheshin e Kallaratit para lapidarit.

Takimi u mbyll me falënderime për pjesëmarrësit, organizatorët, DJ ADI-n, stafin e TV 6+1 Vlora dhe të gjithë ata që kontribuuan.

Por përtej mbylljes së aktivitetit, mbeti edhe një premtim dhe një shpresë, që vitin e ardhshëm “Takimi i Brezave” të jetë edhe më i bukur, më i pasur dhe me më shumë pjesëmarrës. Sepse njerëzit mund të jetojnë larg, brezat mund të ndryshojnë dhe vitet mund të kalojnë, por lidhja me vendlindjen mbetet. Dhe Kallarati, edhe këtë 15 gusht, e dëshmoi se di t’i mbledhë përsëri bijtë dhe bijat e tij rreth kujtesës, miqësisë, këngës dhe dashurisë për rrënjët.

Ec ngado, po Kallaratin mos e harro!