Kozeta Zylo

Për një çast, Mezhgorani u bë përsëri ai i dikurshmi,
me zërat, me këngët, me të qeshurat, me dritat e mbrëmjes dhe me atë ndjesinë e rrallë se këtu, në këtë vend, gjithçka ka kuptim.
Eshte magji të kthehesh atje ku ke lënë një pjesë të fëmijërisë!
Të ecësh ngadalë nëpër rrugët që dikur i përshkoje me vrap. Të prekësh një mur të vjetër dhe të mendosh sa duar e kanë prekur para teje. Të ulesh në një vend ku dikur janë ulur prindërit, gjyshërit, miqtë dhe të parët tanë.
Aty ndjen se vendlindja eshte zemra e kuqe.
Është zëri i një nëne te mrekullueshme që të thërret në mbrëmje edhe pse kane mbetur rralle, si Hena, Baria, puthja ne balle e Xha Selmanit 90 vjec, Xha Brahimit, Babos, motrave te mrekullueshme, femijeve te bukur.
Është një prag shtëpie.
Është një aromë buke.
Është një këngë që nuk e ke harruar.
Jane fytyra miqesie që koha nuk t’i fshin dot, si Bujari, Metua, Astriti, Cimoja, Enveri, Hodoja, Hysniu, Veledini, Hasani, Hakiu, Gazmendi, Perparimi, oh sa shume frigohem, e pamundur t’i permend te gjithe…
Eci drejt shtepise, eci jo me kembe: por Lot!
Është një gur kalldrëmi mbi të cilin ke hedhur hapat e parë. Ajo është kujtesë. Eshte Drita ime e perjetshme. Mezhgorani eshte një libër i hapur i jetës sonë. Gurë të vjetër, të lëmuar nga shiu, nga dielli dhe nga mijëra hapa njerëzish, sikur ende ruajnë jehonën e atyre që kanë kaluar dikur mbi ta. Hapat e fëmijëve që vraponin të shkujdesur, hapat e nënave që ktheheshin nga puna, hapat e burrave që mblidheshin në mbrëmje, hapat e të rinjve që ëndërronin një të ardhme me te bukur.
Sot, kur kthehemi në Mezhgoran, duket sikur cdo gur kalldrëmi na njeh.
Na pret në heshtje dhe, me gjuhën e tij të lashtë, na thotë:
“Këtu keni qenë dikur…”
Dhe ne kujtojme! Kujtojmë njerëzit që sot mungojnë.
Ata që dikur ishin aty, mes nesh, me një buzëqeshje, me një këngë, me një shaka, me duart e tyre të lodhura nga puna. Sot janë kujtim, por në ditë të tilla duket sikur kthehen përsëri. I sjellin kënga, një fotografi, një emër i përmendur mes miqsh, një rrëfim i vjetër.
Dhe ndoshta kjo është magjia e vendlindjes: nuk lejon askënd të largohet përgjithmonë.
Mjafton të kthehesh dhe gjithçka zgjohet.
Takimi i brezave në Mezhgoran ishte pikërisht një zgjim i tillë.
Një ditë ku e shkuara dhe e sotmja u ulën në të njëjtën sofër. Ishim bashke me vellezerit dhe mesues Beqon ne nje tavoline, ku thinjat u përzien me rininë. Ku duart e vjetra u kapën me duart e reja ne valle. Ku brezat nuk ishin më larg njëri-tjetrit, por një familje e madhe që kishte ardhur të kujtonte prej nga kishte ardhur.
Aktivitetin me plot mireseardhje e hapi z. Hasan Kalemaj.
Një zë u ngrit i pari nga orkestra pastaj një tjetër. Dhe, dalëngadalë, kënga per Mezhgoranin e krijuar enkas u bë e të gjithëve, hyri ne shpirt.
Ajo kaloi mbi shtepite, u ngjit drejt maleve Trebeshina dhe Shendellia dhe u tret në ajrin e Mezhgoranit.
Pastaj vallja.
Një dorë kapi një dorë tjetër. U krijua rrethi. Dhe në atë rreth nuk kishte më vite, moshë apo largësi. Kishte vetëm njerëz të bashkuar nga i njëjti vend, nga të njëjtat kujtime, nga e njëjta dashuri.
Të rinjtë vallëzonin pranë të moshuarve dhe dukej sikur koha kishte harruar të ecte.
Për një çast, Mezhgorani u bë përsëri ai i dikurshmi.
Me zërat, me këngët, me të qeshurat, me dritat e mbrëmjes dhe me atë ndjesinë e rrallë se këtu, në këtë vend, gjithçka ka kuptim.
Mezhgorani është histori, eshte kujtesë.
Kujtesë që ecën mbi male, gurgullon ne Vjose, këndon nëpër breza dhe jeton në zemrat e atyre që, edhe pasi janë larguar, e mbajnë vendlindjen me vete.
Prandaj këto takime janë kaq të çmuara dhe mirenjohje organizatoreve si: Metos, Enverit, Hasanit, Bujarit etj…, Malkos dhe TV “Alba Life” me kamera.
Keto aktivitete nuk na mbledhin vetëm për të festuar. Na mbledhin për të mos harruar.
Dhe ndërsa mbrëmja bie mbi fshat, kënga vazhdon dhe malet perhapin jehonen dhe behen si dëshmitarë të palodhur të kohës.
Ndoshta nesër rrugët do të jenë sërish të qeta. Ndoshta hapat do të largohen përsëri dhe secili do të marrë rrugën e vet.
Por ajo ditë do të mbetet në fotografi, në kujtime, në këngët që do të këndohen përsëri dhe mbi të gjitha në zemrat tona.
15 Gusht, 2026
Mezhgoran, Albania
Plot kalldrëme me plagë malli,
Midis malesh ndrit si nuri,
Si xixëllonjat në ngjyrë zjarri.
Drithërohem nga një zë burri,
Zëri i gjyshit i thotë të tëra,
Shtëpia do jetojë sa guri…

