Ilirian Ali

As sot nuk arrij ta kuptoj se si, dhe me çfarë çmendurie, e nisëm atë rrugë unë dhe vëllai im i madh. Unë isha 8 vjeç, ai 12. Ishim fëmijë të dy.
Nëna na zgjoi që në mëngjes, na bëri për të ngrënë dhe, bashkë me babanë, na dhanë porosi se do të vonoheshin dhe ne nuk duhej të largoheshim nga shtëpia. Ata do të shkonin në një festë në Vlorë dhe do të udhëtonin me makinën e kooperativës.
Një zhurmë e madhe dhe një atmosferë gëzimi kishte mbuluar pothuajse të gjitha rrugët e lagjet e fshatit. Makina u nis e mbushur plot me gra e burra që këndonin, duke lënë pas një shtëllungë tymi e pluhuri. Kënga dhe hareja sikur udhëtonin mbi makinë, si të shkonin në dasmë, derisa ajo u zhduk matanë kthesës.
Ishte fundi i muajit maj. Në sheshin e fshatit dëgjuam për festën. Në Vlorë do të vinte Nikita Sergejeviç Hrushovi, kreu i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Sot e shpjegoj këtë, sepse atëherë nuk e kuptonim fare kush ishte dhe pse kishte ardhur.
Kjo ishte arsyeja e festës që ishte organizuar në të gjithë krahinën. Kooperativistë, punëtorë, nxënës, të rinj e të moshuar, të gjithë ishin mobilizuar për ta pritur.
Me sa duket, kjo ishte edhe arsyeja që unë dhe vëllai vendosëm të merrnim pjesë në “pritjen” e tij. Pa menduar gjatë dhe duke harruar porositë e prindërve, u nisëm në këmbë nga Tragjasi për në Vlorë.
Edhe sot më vjen për të qeshur, por edhe çuditem. Si u nisëm? Kush na e mbushi mendjen të braktisnim shtëpinë? Si morëm një rrugë kaq të gjatë pa asnjë lek në xhep?
Ishin rreth 20 kilometra. Dielli të binte përvëlues mbi kokë. Nuk kishte makina rrugës, nuk kishim bukë me vete, as ujë. Rrugët ishin të paasfaltuara, me shkurre e ferra nga të dyja anët, ndërsa në mes të ditës mbretëronte një qetësi e frikshme. Nuk lëvizte njeri. Ishte vapë përvëluese.
Rruga nuk po mbaronte kurrë. Ec e ec. Bashkë me lodhjen tonë, dielli u ul ngadalë drejt perëndimit mbrapa karaburunit dhe errësira filloi të mbulonte gjithçka. Lart në qiell, yjet nisën të shndrisnin e të dridheshin si xhevahire të vegjël.
Por Hrushovi, me siguri, kishte ikur prej kohësh.
Në fakt, ne e kishim harruar tashmë qëllimin për të cilin ishim nisur. Uria, etja dhe lodhja na kishin pushtuar aq shumë, sa mezi mbanim mend pse kishim dalë nga fshati.
Vonë në mbrëmje, nuk e di si, mbërritëm të lodhur e të rraskapitur në shtëpinë e hallës sonë, e cila edhe sot ndodhet në qendër të Vlorës.
Ndërkohë, babai dhe nëna ishin kthyer në shtëpi. Kur panë se nuk ishim aty, pyetën të alarmuar moshatarët tanë dhe morën vesh se ishim nisur për në Vlorë për të pritur Hrushovin.
I bardhi, i dashuri dhe i palodhuri baba nuk e mbante vendi. U nis menjëherë përsëri për në Vlorë, i shqetësuar për ne, për jetën tonë. Ku ishim? A kishim mbërritur? A ishim gjallë?
Shqetësim krejt normal për një prind.
Ai erdhi në mesnatë dhe na gjeti te halla. Sa shumë u gëzua kur na pa! Por, nga ana tjetër, donte edhe të na rrihte, sepse ishte bërë pikë e vrerë nga meraku dhe nënën e kishte lënë në ankth të madh.
Megjithatë, halla nuk e la të na prekte me dorë.
— Ku do t’i çosh tani? Nuk i sheh si janë bërë? U janë mbyllur sytë nga lodhja! — i tha ajo.
Atë natë fjetëm te halla dhe të nesërmen, herët në mëngjes, u nisëm për në fshat.
Përballjen me nënën e prisnim me frikë.
Nëna jonë ka qenë gjithmonë e rrethuar nga dashuria e fëmijëve të saj dhe e mbushur me dashuri për jetën. Fisnike në shpirt, me humor të hollë, e mençur dhe shakabërëse. Përgjigjen e kishte gjithmonë në majë të gjuhës. Ishte ironike me ata që e meritonin, por e dashur, fjalëmbël dhe mikpritëse me njerëzit e mirë. Ama, kur duhej, dinte të ishte edhe e rreptë.
Fytyra e saj engjëllore, kur mërzitej, mbulohej nga një tis i lehtë trishtimi.
Mëngjesi i asaj dite ishte një “happy ending”, një fund i lumtur.
— Erdhet, të keqen nëna? — tha ajo me një qetësi që na habiti. — E takuat shokun Hrushov?
Pastaj vazhdoi:
— Se nëna e takoi. Ai më tha t’ju bëj të fala, se e kishte marrë malli shumë për ju dhe donte t’ju shihte.
Ne po e shikonim të habitur. Vërtet ia kishte thënë kështu, apo po tallej me ne?
Ajo vazhdoi:
— Kot u munduat. Ai do të vijë prapë. Dhe më tha se, kur të vijë, do t’ju takojë vetë.
Pastaj na qortoi mirë e mirë, ashtu siç dinte ajo.
Për të na rrahur, nuk na rrahën. Ndoshta vlerësuan “sakrificën” tonë për të pritur mikun e madh.
Ha, ha, ha…
Edhe sot më vjen për të qeshur kur e kujtoj.
Kështu përfundoi edhe “takimi” im dhe i vëllait me Hrushovin, në ditët e fundit të majit të vitit 1959.