Të vërteta thelbësore ende të pathëna në mendimin shqiptar për një kulturë të re të mendimit-Robert Martiko

Robert Martiko

TË VËRTETA THELBËSORE ENDE TË PATHËNA NË MENDIMIN SHQIPTAR – PËR NJË KULTURË TË RE TË MENDIMIT.

LEONARDO E KAPËRCEU COPËZIMIN E DIJES PESË SHEKUJ MË PARË. PO MENDIMI AKADEMIK SHQIPTAR, KUR?

Sot filloj publikimin e fragmenteve të zgjedhura nga libri Rilindja Shpirtërore, që së shpejti del në qarkullim, në shqip dhe anglisht, në Botimet Jozef, të Aurel Kaculinit. Filloj me Leonardo da Vinçin, i cili mishëroi një mënyrë të menduari që mbetet sfidë për mendimin akademik shqiptar.
Historia, filologjia, letërsia, arti dhe shkenca janë fusha të domosdoshme të dijes. Por kur secila mbyllet brenda kufijve të vet, pjesët mund të njihen gjithnjë e më mirë dhe, megjithatë, të humbasë Njeriu që duhet të shfaqet përmes së tërës.
Kështu mund të dihet pothuajse gjithçka për figurat e mëdha shqiptare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza, dhe përsëri të mbetet e pazbuluar Bota e Ideve që ato mishërojnë: Liria, Dinjiteti, Ndërgjegjja, Përgjegjësia dhe marrëdhënia me Tjetrin. Dhe, mbi të gjitha, të mbetet pa përgjigje pyetja kryesore:
Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo dije për Njeriun shqiptar të sotëm?
KUR LEONARDO DA VINÇI SHIKON AKADEMINË SHQIPTARE
Leonardo da Vinçi nuk pyeste nëse ishte piktor, shkencëtar, anatomist, inxhinier apo filozof. Për të, këto nuk ishin botë të ndara. Ishin mënyra të ndryshme për t’iu afruar së njëjtës të vërtetë.
Natyra nuk ndahet në disiplina. Vetëm mendimi njerëzor e ndan atë.
Pikërisht këtu qëndron madhështia e Leonardos. Ai nuk kërkonte vetëm më shumë dije. Kërkonte unitetin e saj. E dinte se e vërteta është një, edhe kur shfaqet në forma të ndryshme.
Prandaj Leonardo nuk i përket vetëm historisë së artit dhe as vetëm historisë së shkencës. Ai i përket historisë së qytetërimit.
Nëse do të ishte vetëm piktor, do të humbiste shkencëtari. Nëse do të ishte vetëm shkencëtar, do të humbiste artisti. Nëse do të ndahej në disiplina, do të humbiste vetë Leonardo.
Ai kujton se kultura nuk rritet duke e copëzuar dijen. Ajo rritet kur arrin ta ribashkojë atë në një vizion të vetëm për njeriun.
Po të mund ta shihte sot Akademinë Shqiptare, Leonardo da Vinçi do të bënte vetëm një pyetje:
Po ndërtoni një dije gjithnjë e më të fragmentuar, apo një kulturë që e rikthen njeriun te uniteti i tij?