Trëndafili në gotë-Shkurte Berisha

Shkurte Berisha

TRËNDAFILI NË GOTË

Mbi tryezën e vjetër, aty në një qoshe,
Një trëndafil i kuq po hesht në vetmi,
I burgosur i ëmbël brenda një gote,
Ku uji i pakët i fal pak jetë, pak rini.

Petalet i hapen si fjalë që janë thënë,
Që mbetën në ajër, që s’gjetën udhë,
Mbi xhamin e ftohtë, ndriçon drita e hënës,
Vizaton një hije dhe pakëz rrudhë.

Ai nuk ka rrënjë, as tokë ku të rritet,
Po ka aq aromë sa mbush një kujtim,
Në gotën e qelqtë, ku koha po fshitet,
Ai pret një dorë, një çast, një shikim.

Dhe kur një petal t’i bjerë ngadalë,
Mbi drurin e vjetër si lot i ngrirë,
Do mbetet aroma, si e fundit fjalë:
Një jetë në gotë, por prapë i bukur, i lirë.

Shkurte Berisha, 10 Shtator 2026