Holta Kellezi

korrik 1983
ne internim
Të dashur miq dhe jo miq!
Ata që më njohin mirë e dinë historinë e jetës sime. Por, për të gjithë ata që nuk e dinë:
Unë kam qenë vetëm 6-muajshe kur jam internuar. Ka nga ata që thonë: “Po gjyshi yt ishte kështu” apo “ishte ashtu”. Nuk më intereson aspak. Historisë i takon të vlerësojë gjyshin tim (unë, për vete, e kam vlerësuar).
Mbani mend: vetëm 6 muajshe. Njeriu dënohet e persekutohet për diçka që bën. E unë, 6-muajshja, çfarë kisha bërë?
Dhe kur kjo ndodhi, një popull i tërë e pranoi (mund të ketë pasur përjashtime), por mos harroni: isha 6 muajshe. Nuk mbaj mend kush ishte në kundërshtim.
Ndaj, kur më pyesni në sy (dhe këtë e vlerësoj shumë), apo mbrapa krahëve (dhe nuk e vras mendjen për këto gjëra), se pse unë kam prirjen të jem kundër politikave dhe politikëbërësve të çdo krahu politik që gjenerojnë sundim, përçarje, emigrim e denigrim; që krijojnë një popull të tërë të heshtë, të mos flasë haptazi (ndërsa mbrapa krahëve bëhet nami) për dukuri që na hanë shpirtin e bukur, që na vrasin edhe atë pak komunitet të ri që kemi arritur të krijojmë me forcat tona në këtë vend të ri, përgjigjja është e thjeshtë:
Unë ia kam borxh vetes sime, asaj 6-muajshes, të mbaj qëndrim.
E dini pse?
Sepse nuk dua që askush tjetër në këtë botë të ketë fatin tim.
Ata që më njohin në Kanada e dinë se, për komunitetin, në mundësitë e mia të vogla, bëj me shumë dashuri të pamundurën për të ndihmuar. Nuk pres asgjë mbrapsht, megjithëse marr aq shumë dashuri, sa ndonjëherë zemra s’ma mban dot dhe sytë më mbushen me lot.
Kam një gjë që disa ma quajnë të mirë e disa të keqe: unë i dua njerëzit. Edhe ata që mendojnë ndryshe nga unë. Sepse e di që jo të gjithë kanë qenë të internuar 6 muajsh dhe përjetimin e jetës e kanë krejt ndryshe.
Unë sot do të shkoj përsëri në protestë. Unë sot, dhe çdo ditë tjetër të jetës sime, do të mbaj qëndrim ndaj dukurive që, sipas meje, bëjnë që një popull, një komunitet apo edhe një individ të ketë frikë të flasë, të humbasë aftësinë për të gjykuar fenomene që ushqejnë oportunizmin.
Jo më për veten tashmë, por për atë 6-muajshen e internuar në Kotë të Vlorës në vitin 1975.
Ia kam borxh.
Me zemër plot dashuri dhe me mendje shumë të hapur për qëndrimet ndryshe, ju uroj një të diel të bukur.