Vajza tek burimi-Petro L. Sota.

 
Të pashë tek burimi,
Ujë ti mbushje vetë,
Sytë e tu nga gëzimi,
Më shihnin të qetë…
 
 
I qetë, të shikoja,
Me syrin nën qerpik,
Tharë, më ishte goja,
Nga vapa n’korrik…

 

Një pikë ujë e doja,
Për buzën e tharë,
Por, dot s’ta kërkoja,
U ngopa, duke t’parë…

 

Sa e bukur ishje,
Me t’bardhën shami,
Buza në ngjyrë vishnje,
Po m’bënte magji…

 

Magji po më bënë,
Me syrin gjithë shkëlqim,
Me shikimin tënd,
Që rrjedh si burim…

 

Harrova, çfarë desha,
Por, etja s’më iku,
Kur unë të buzëqesha,
Ty t’u drodh qerpiku…

 

Më shihje e habitur,
Dhe s’po më flisje,
Unë duke të pritur,
Dhe ti, mu më prisje…

 

Mbetëm ashtu të dy,
Sepse dot s’po flisnim,
Shiheshim ndër sy,
Njëri tjetrin prisnim…

 

Prisja gjithë gëzim,
Me buzën të tharë,
Uji rridhte n’burim,
Etja, më kish marrë…

 

Më kish marrë, e rrija,
Ty, duke të parë,
Buzën, pak ta vija,
Se më ishte tharë…

 

Uji, i qetë pikonte,
Siç rrjedh një burim,
Etja, s’po m’kalonte,
Ndezur, shpirti im…
 
S’më mjafton tani,
Gjithë uji, që buronte,
Etja, në buzë më rri,
Se buzën tënde donte…