Migel Flor

Pinelopat sarandiote
në brigje ku Joni digjej në kaltërsi
prisnit Odise të humbur nëpër porte
me sytë mbërthyer në horizontin gri.
Mbrëmjeve deti jua krihte flokët
me krehër të njomur lagështie
pulsi i dallgëve mbi kyçet tuaja
tingëllonte si kambanë nostalgjie.
Mjeshtre të avlëmendit persian
thurnit në qilima stinët e shpirtit
me gjalmë malli e pritjeje
gra që dinin alfabetin e trishtit.
Në motivet persiane të endura hollë
fshihnit zjarret që s’guxonit t’i thoshit
dashuritë që iknin si anije nate
dhe ëndrrat që i ujiste loti.
Ju, vajza të lindura nga kripa e Jonit
Me shputa të njoma që qëndisnin brigjet
mbartnit në ijë lëkundjen e valës
drita e hënës ju tregonte shtigjet
Rinia juaj pulëbardhë e plagosur
fluturonte mbi çatitë bukovilëse të jugut
koha, si marinar i dehur prej stuhish
jua vidhte ngadalë ëndrrën e bukur
Lotët tuaj, të kripur si deti
rridhnin tatëpjetë kodrave të thinjura
dhe pllakat e vjetra të qytetit
lageshin nga stërkalat me lot të pabindura
Sot ju kujtoj si legjenda yjesh,
sixhade të varura në muret e harresës
nyjat e qëndisura u bënë mall i djegur
ngjyrat një rrugë pa kthesë.
Vajza të detit të thellë,
sirena të buta të brigjeve joniane
ju nuk endët vetëm qilima
por fate të dashurive mesdhetare.
Kur mërgimi fishkëllen nëpër porte
emrat tuaj kthehen bashkë me dallgët
rini që s’do të plaket kurrë
pulëbardha që endën ëndrrat mbi Sarandë.