Valë e bardhë-Poezi nga Josif Gjata


poezi
nga
JOSIF GJATA
……………………………………..

Valë e bardhë që përplasesh brigjeve,
si një kalë Troje, rrëshqet mbi tapetin blu të detit,
ç’farë më sjell nga larg, mistere të panjohura
a pabesi,
karvane kujtimesh shekullore ngarkuar, a mall
arbëreshësh?

Valë e bardhë që kaq ëmbël me bregun puthesh,
stuhitë të trondisin fuqishëm,
ciklone e dallgë të frikshme shfaqen nga thellësia,
si nga një luftë e tmerrshme kacafytëse,
dëshmitare ngjarjesh të përjetshme e
misterioze,
ndalesh brigjeve si me flamur të bardhë,
e dorëzuar, e lodhur si nga një barrë e rëndë,
paqe kërkon e puthesh me tokën ëmbëlsisht.

Valë e bardhë, valë e bardhë,
karvane malli a kujtimesh na sjell,
kur afroheshe brigjeve si një pulëbardhë.