Rait Hila

02-30 SHTATOR 2026
PROGONATI
Një muaj në vendlindje
Një muaj në vendlindje dhe vjen dita që përsëri largohesh, larg, shumë larg, por i shmallur me vendlindjen, me njerëzit e tu, me shoqërinë dhe me gjithçka që të lidh me të.
Mëngjesi shoqërohet me kafenë nën hijen e rrepeve shekullorë, plot histori e kuvende, por edhe me kujtimin për Zenel Mehmetin, i cili i mbolli ato jo pa qëllim: për të bashkuar e mbledhur bashkëfshatarët në kuvende dhe për të marrë gjithmonë vendime së bashku, për të mirën e fshatit dhe të Shqipërisë.
Një fshat i shtrirë në një rrafsh, aq i bukur sa duket si një kështjellë. Pranë këtyre rrepeve ndodhet edhe kjo shkollë e bukur, me historinë e saj të veçantë. Për vite me radhë, prej saj kanë dalë specialistë të bujqësisë, ndërsa nga bankat e saj kanë vazhduar studimet agronomë, inxhinierë, mësues, ushtarakë, mjekë, piktorë, sportistë etj., të cilët më pas kanë dhënë kontributin e tyre në të gjithë vendin.
Këto dy monumente shikojnë njëri-tjetrin, të lidhur nga një histori e përbashkët. Atyre u bashkohet edhe obelisku madhështor i Dëshmorëve të Atdheut, të cilët vendimin për t’u bërë pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare e morën pikërisht nën hijen e këtyre rrepeve.
Çdo gjë është e bukur, tërheqëse dhe mbresëlënëse: kanione, shpella, lugina, lëndina, male të larta dhe rrugë të shtruara me asfalt. Por këto rrugë duket sikur kërkojnë të ringrihen, të mirëmbahen dhe të rikthejnë atë që koha dhe mungesa e mirëmbajtjes u kanë marrë.
Numri i vogël i nxënësve nuk do të thotë se ajo shkollë nuk ka më funksion. Çdo klasë mund të shërbejë si një muze i gjallë i punës dhe i jetës së dikurshme, por edhe i së sotmes.
Popullsia ka rënë ndjeshëm, por kjo nuk do të thotë se ata që banojnë atje nuk kanë nevojë për shërbim mjekësor.
Gjithsesi, ne që jemi larguar, e duam Progonatin ashtu siç është. Do ta duam sido që të jetë dhe dëshirojmë që gjithmonë të zhvillohet, të ruhet e të mirëmbahen pasuritë e tij: shkolla, spitali, rrepet dhe rrugët e fshatit.
PROGONATI
Të mobilizon, të frymëzon dhe të zgjat jetën kur e viziton dhe shijon bukuritë e tij.