Vështrim kritiko-letrar mbi vëllimin poetik “Krenar për origjinën”-Nga Agim Lika

HAJRI LAMAJ – POETI I ORIGJINËS, KUJTESËS DHE NDJESHMËRISË NJERËZORE

Nga Agim Lika-Poet, historian dhe studiues

Në letërsinë bashkëkohore shqiptare ka autorë që vijnë te poezia jo thjesht si ushtrim estetik apo si dëshirë për të ndërtuar vargje, por si nevojë e brendshme për të dëshmuar jetën, për të ruajtur kujtesën dhe për t’u dhënë zë përvojave njerëzore. Në këtë hapësirë krijuese vendoset edhe poezia e Hajri Lamajt, një autor që e ndërton universin e tij poetik mbi lidhjen me origjinën, vendlindjen, familjen, kujtesën dhe problematikat e shoqërisë bashkëkohore.

Vëllimi poetik “Krenar për origjinën” përfaqëson një dëshmi të kësaj bote shpirtërore. Në të ndërthuren kujtimet e fëmijërisë, malli për vendlindjen, dhimbja e mungesës, dashuria, familja, emigracioni, paqja, liria dhe reflektimi mbi sjelljen njerëzore. Poezia bëhet kështu jo vetëm shprehje e ndjenjës individuale, por edhe një mënyrë për të komunikuar me kohën dhe me shoqërinë.

Një jetë e lidhur me punën, dijen dhe krijimtarinë

Hajri Lamaj u lind në vitin 1959, në Çorrogjaf të Beratit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin tetëvjeçar në Prrenjas. Në vitin 1977 përfundoi arsimin e mesëm në degën e agronomisë, në Tiranë, ndërsa në vitin 1986 përfundoi edhe shkollën e mesme për mekanikë, po në Tiranë. Të dyja shkollat i përfundoi me rezultate shumë të larta.

Megjithëse kishte aftësi të spikatura dhe rezultate të shkëlqyera në mësime, për arsye të së ashtuquajturës “biografi”, atij iu mohua për një kohë e drejta për të vijuar arsimin e lartë. Më vonë përfundoi Fakultetin Ekonomik, në degën e agrobiznesit. Aftësitë e tij intelektuale ishin shfaqur që herët: për dy vjet radhazi ai ishte fitues në olimpiadën e matematikës në qytetin e Tiranës.

Për punën dhe kontributin e tij, në vitin 1986 u vlerësua për “Punë të mirë shtetërore dhe shoqërore”, ndërsa në vitin 1989 u dekorua me “Medaljen e Punës” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Në jetën profesionale ka ushtruar detyra të ndryshme. Gjatë viteve 1977–1979 punoi si agronom në Berat; në periudhën 1982–1993 si mekanik dhe përgjegjës reparti në Kombinatin e Autotraktorëve; ndërsa gjatë viteve 2002–2011 shërbeu si ekonomist në Brigadën e Xhenios.

Ky rrugëtim jetësor, i ndërtuar mes punës, përpjekjeve, pengesave dhe sfidave, ka lënë gjurmë të dukshme edhe në krijimtarinë e tij. Poezia e Hajri Lamajt nuk lind jashtë jetës së autorit. Përkundrazi, ajo ushqehet prej saj.

Poezia e tij e parë, me titull “Nënë, më linde, pse s’më rrite?”, i kushtohet nënës së tij të ndjerë. Vetë titulli dëshmon se zanafilla e krijimtarisë së tij lidhet me një plagë të thellë shpirtërore, me mungesën, mallin dhe kujtesën. Në këtë kuptim, poezia bëhet një mënyrë për të komunikuar me atë që mungon, për të rikthyer përmes fjalës atë që jeta nuk mund ta kthejë më.

Krijimtaria e Hajri Lamajt përfshin poezi dhe prozë. Ndër botimet e tij përmenden vëllimi poetik “Krenar për origjinën”, libri me tregime “Loti i pafajësisë” dhe vëllimi i dytë poetik “Mos e lëndoni jetimin!”. Ai është fitues i disa çmimeve letrare, ndërsa krijimet e tij janë botuar në faqe letrare, gazeta online dhe revista kulturore. Tri poezi për fëmijë janë përfshirë edhe në antologjinë “Lulëkuqet e globit”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Novara të Italisë.

“Nuk është kurrë vonë për të qenë ai që duhej të ishe”, ka thënë George Eliot. Kjo thënie mund të lexohet edhe si një çelës simbolik për të kuptuar rrugëtimin letrar të Hajri Lamajt. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, ai arriti të afirmohej si një zë poetik i vlerësuar nga kolegët dhe lexuesit.

Origjina si themel i identitetit poetik

Që në hyrje të librit, autori rikthehet te fëmijëria dhe vendlindja, te ajo hapësirë ku, siç shprehet vetë, kishte lënë “një pjesë të zemrës dhe arkivin e kujtesës”. Ky pohim është thelbësor për të kuptuar universin e tij poetik.

Për Hajri Lamajn, vendlindja nuk është thjesht një pikë gjeografike. Ajo është kujtesë, identitet, dhimbje, krenari dhe përgjegjësi morale. Fshati, mali, rruga, kalaja dhe njerëzit shndërrohen në shenja të një bote që poeti kërkon ta ruajë nga harresa.

Kjo ndjeshmëri shfaqet fuqishëm në poezinë “Krenar për origjinën”, prej së cilës vëllimi merr edhe titullin:

“…U çudit kalaja, kur këngës ia mora,Më pyet Mangalemi: ‘Mos je gjë nga Vlora?’Gjysma është Berati, gjysma Tepelena,Bir i dy kalave që mbartin bedena…”

Në këto vargje, origjina shndërrohet në një urë poetike ndërmjet Beratit dhe Tepelenës. Kalaja, Mangalemi dhe bedenat nuk janë vetëm elemente të peizazhit historik; ato bëhen simbole të trashëgimisë, të përkatësisë dhe të vazhdimësisë ndërbreznore.

Poeti është krenar për rrënjët e tij, por kjo krenari nuk mbetet një deklaratë personale. Ajo shndërrohet në një amanet për brezat e rinj: të mos harrojnë prejardhjen, vendin ku kanë lindur dhe historinë që mbartin mbi supe.

Kështu, titulli “Krenar për origjinën” nuk është vetëm emërtimi i një poezie apo i një vëllimi. Ai përmbledh një filozofi të tërë poetike: njeriu mund të ecë larg, mund të ndryshojë vendbanim dhe mënyrë jetese, por rrënjët mbeten pjesë e identitetit të tij.

Vendlindja dhe kujtesa

Një vend të veçantë në krijimtarinë e Hajri Lamajt zë Çorrogjafi, fshati i lindjes:

“I bukur është ÇorrogjafiKur nga mali shikoj larg,Hidhje sytë nga Tomorri,Shpirti të binte rehat.

Rrëzë malit, shtrirë së gjati,Nga Selenica në Lekër,Lagjet, ngritur nga të parët,S’krahasohej me fshat tjetër.”

Këtu peizazhi nuk përshkruhet vetëm për bukurinë e tij. Ai përjetohet emocionalisht. Tomorri, mali dhe lagjet e ngritura nga të parët përbëjnë hartën shpirtërore të poetit. Hapësira fizike shndërrohet në hapësirë të kujtesës.

Megjithatë, poeti nuk e idealizon verbërisht të shkuarën. Ai njeh vështirësitë, varfërinë dhe padrejtësitë e përjetuara. Kujtesa e tij është njëkohësisht nostalgjike dhe kritike. Ai e do vendlindjen jo sepse ajo ka qenë e përsosur, por sepse ajo është pjesë e pandashme e identitetit të tij.

Në vargjet:

“Çorrogjaf, fshati rrëzë malit,Tomorri të çon haber,Mblidhi djemtë që ke shpërndarë!Mos i lini tokat djerrë!”

poezia shndërrohet në apel. Thirrja për rikthimin e bijve të larguar është një nga temat më aktuale të shoqërisë shqiptare. Braktisja e fshatit, emigracioni dhe tokat e lëna djerrë nuk trajtohen vetëm si dukuri ekonomike, por edhe si plagë shpirtërore dhe shoqërore.

Kurbeti dhe drama e largimit

Motivi i largimit nga vendlindja shfaqet edhe në poezinë “Rrugë e bukur e harruar”:

“S’kam parë pamje më të bukur,Kur ngjitesh mbi Gllavën lart,Gjarpëron një rrugë e bukur,Nga Përmeti në Berat.

Djemtë na ikën në kurbet,Lanë vatanet me shumë dhimbje,Prindërit tani çojnë haber:Fëmijë, kthehuni në vendlindje!”

Kontrasti ndërmjet bukurisë së natyrës dhe zbrazjes njerëzore krijon tensionin emocional të poezisë. Rruga është e bukur, por është edhe “e harruar”. Vendlindja është madhështore, por bijtë e saj janë larguar.

Në këtë mënyrë, poezia e Hajri Lamajt fiton edhe një dimension social. Ajo bëhet dëshmi e një kohe dhe e një realiteti që ka prekur mijëra familje shqiptare. Pas fjalës “kurbet” qëndrojnë ndarja, pritja, vetmia e prindërve dhe boshllëku që mbetet në vendlindje.

Poeti nuk e trajton emigracionin vetëm si largim fizik. Për të, largimi mund të sjellë edhe rrezikun e shkëputjes nga kujtesa dhe rrënjët. Prandaj thirrja për kthim merr edhe një kuptim simbolik: është një thirrje për të mos harruar prej nga vijmë.

Dashuria si pranverë e shpirtit

Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim zënë edhe poezitë e dashurisë. Në to, poeti shfaq një ndjeshmëri të butë dhe një prirje për ta lidhur emocionin njerëzor me elementet e natyrës.

Në poezinë “Erdhe ti dhe Hëna iku!” shkruan:

“…Erdhe ti dhe Hëna iku,E ndjeu veten në siklet,Bukurinë që pa te ti,Ishte bukuria që vret.

Iku vetëm për pak çaste,Shkoi të fliste pak me erën:‘Eja, shiko dy të rinj,Që në zemra mbajnë pranverën!’”

Personifikimi i Hënës dhe erës i jep poezisë një frymë romantike. Dashuria paraqitet si një fuqi që ndryshon rendin e natyrës. Hëna tërhiqet përpara bukurisë njerëzore, ndërsa pranvera zhvendoset nga stina në zemrat e të dashuruarve.

Në këto poezi, dashuria nuk është vetëm emocion individual. Ajo është burim drite, ripërtëritjeje dhe shprese. Natyra bëhet bashkëbiseduese e ndjenjës njerëzore, ndërsa Hëna, yjet, era dhe pranvera marrin funksion simbolik.

Poezia si mjet ndërgjegjësimi

Hajri Lamaj nuk e sheh poezinë vetëm si shprehje të ndjenjave personale. Për të, fjala poetike ka edhe një mision shoqëror dhe moral.

Kjo shfaqet qartë në vargjet:

“Një zë i vetëm është një klithmë,Një zë i bashkuar është një stuhi,Ndaj thirrjen për paqe motiv ta kemi,Se kemi ende popuj pa liri.

Fjala vret më shumë se plumbi,Zërin ta ngremë fort anembanë!Jemi pro paqes dhe kundër luftës,Që liri të gëzojnë dhe fëmijët tanë.”

Në këto vargje, poeti del përtej kufijve të përvojës personale dhe merr qëndrimin e qytetarit. Ai flet për paqen, lirinë dhe përgjegjësinë njerëzore.

Fjala poetike shndërrohet kështu në akt ndërgjegjësimi. Poeti beson se zëri individual mund të duket si një klithmë, por bashkimi i zërave mund të bëhet “stuhi”. Në këtë mënyrë, poezia fiton një dimension etik dhe qytetar.

Objekti i zakonshëm dhe simbolika poetike

Një shembull interesant i mënyrës se si Hajri Lamaj i jep kuptim poetik objekteve të zakonshme është poezia “Lapsi”:

“…Si e do të ta them emrin?E do ‘laps’, apo ‘kalem’?Veç një gjë besoje mirë!Unë larg teje nuk do t’jem.

Të përdorin pa kursim,Sa herë për ty kanë nevojë,Më çudit, më bën përshtypje,Emrin pse s’ta zënë në gojë?”

Lapsi këtu nuk mbetet një objekt i zakonshëm. Ai merr një dimension simbolik, sepse përfaqëson mjetin e kujtesës, të dijes, të shkrimit dhe të krijimit. Nëpërmjet një objekti të thjeshtë, poeti ndërton një reflektim mbi marrëdhënien e njeriut me fjalën dhe me aktin e krijimit.

Kjo dëshmon se poezia mund të lindë edhe nga gjërat më të zakonshme, kur ato shihen me syrin e ndjeshmërisë dhe të përfytyrimit poetik.

Tiparet tematike dhe stilistike

Motivet e poezisë së Hajri Lamajt janë të larmishme dhe vijnë te lexuesi në trajtën e kujtimeve, meditimeve, këshillave, përshkrimeve poetike dhe reagimeve ndaj realitetit.

Në krijimtarinë e tij zënë vend të rëndësishëm dashuria për vendlindjen dhe origjinën, malli dhe kujtesa, figura e nënës dhe e babait, familja dhe përgjegjësia njerëzore, emigracioni dhe braktisja e vendit, dashuria, paqja dhe liria, si edhe kritika ndaj zilisë, mosmirënjohjes dhe padrejtësisë.

Në themel të kësaj poezie qëndron shpesh përplasja ndërmjet dëshirës dhe realitetit, arritjes dhe së paarriturës, gëzimit dhe hidhërimit, guximit dhe frikës, jetës dhe vdekjes. Përballë këtyre kundërshtive, poeti zgjedh fisnikërinë përballë makutërisë, idealin përballë banalitetit, mirësinë përballë ligësisë dhe shpresën përballë dëshpërimit.

Gjuha e tij poetike është përgjithësisht e drejtpërdrejtë, komunikuese dhe e mbështetur në metafora, epitete, krahasime dhe personifikime. Një element karakteristik është edhe prania e rimës, veçanërisht e rimës së alternuar ABAB, e cila u jep shumë prej poezive ritëm, muzikalitet dhe lehtësi komunikimi me lexuesin.

Hajri Lamaj nuk kërkon një hermetizëm të sforcuar. Poezia e tij synon të komunikojë. Ajo kërkon të arrijë te lexuesi përmes ndjenjës së sinqertë, kujtesës dhe mesazhit të kuptueshëm. Pikërisht kjo drejtpërdrejtësi përbën një nga tiparet dalluese të krijimtarisë së tij.

Ndër krijimet që spikatin në këtë vëllim mund të përmenden: “Krenar për origjinën”, “Vendlindja”, “Metamorfozë”, “Një poezi e munguar”, “Poezia lëshon dritë”, “Erdhe ti dhe Hëna iku”, “Me duar Zoti të qëndisi”, “Ku po shkon, dollibash?”, “Ziliqarët”, “Kështu e desh Zoti”, “Keqardhje”, “Di t’i mbledh rrahjet e zemrës”, “Dashuria nuk është drogë”, “Hëna dhe yjet qëndruan bashkë me ne”, “Ta ndezim zjarrin këtë natë behari” dhe “Fati i vajzës s’është këtu”.

Përfundim

Jevgeni Jevtushenko ka thënë: “Biografia e një poeti është poezia e tij. Të gjitha të tjerat janë poshtëshënime.” Në rastin e Hajri Lamajt, kjo thënie merr një kuptim të veçantë.

Në poezinë e tij gjendet jeta që ka jetuar, fëmijëria që ka kujtuar, nëna që i ka munguar, vendlindja që nuk e ka harruar, padrejtësitë që ka përjetuar, dashuria që ka ndier dhe shpresa që ka ruajtur.

Vëllimi “Krenar për origjinën” është, në këtë kuptim, më shumë se një përmbledhje poezish. Ai është një dëshmi shpirtërore dhe një rrëfim poetik mbi njeriun që kërkon të ruajë lidhjen me rrënjët e veta, edhe kur koha, largësia dhe ndryshimet e jetës përpiqen ta dobësojnë atë.

Poezia e Hajri Lamajt buron nga përvoja e jetuar. Ajo nuk kërkon të fshihet pas një hermetizmi të sforcuar, por synon komunikimin e drejtpërdrejtë me lexuesin. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e saj: lexohet natyrshëm, por mesazhi i saj mbetet në kujtesë.

Nëpërmjet larmisë tematike, ndjeshmërisë njerëzore dhe lidhjes së fortë me vendlindjen, familjen dhe realitetin shoqëror, Hajri Lamaj ndërton profilin e një poeti që e sheh fjalën si kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi.

Në poezinë e tij, origjina nuk është thjesht e shkuara. Ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet e tashmja. Kujtesa nuk është vetëm nostalgji, por një formë qëndrese ndaj harresës. Ndërsa poezia nuk është vetëm varg, por një mënyrë për të ruajtur atë që koha rrezikon të humbasë.

Urimet më të mira i shkojnë poetit Hajri Lamaj për botimin e këtij vëllimi dhe për rrugëtimin e tij krijues. Për lexuesin dashamirës të fjalës poetike, “Krenar për origjinën” është një ftesë për t’u kthyer te rrënjët, te kujtesa dhe te ato vlera njerëzore që koha nuk duhet t’i zbehë.

Suksese autorit në krijimtarinë e tij të mëtejshme dhe sa më shumë botime!