Nga Feti ZENELI
Skulptori i mirënjohur dhe pedagogu i përkushtuar i Universitetit të Arteve, Vladimir Llakaj, qëndron sot si një nga zërat më të fuqishëm dhe më ndritshëm të artit pamor shqiptar. Me duar që i japin frymë gurit, shpirt bronzit dhe ngjyrë ylberi cohës së bardhë, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin artistik të vendit tonë. Çdo vepër e tij, qoftë skulpturë apo pikturë, mban vulën e dritës së brendshme që ai i fal lëndës së ngurtë, duke krijuar ura të padukshme mes shpirtit njerëzor dhe përjetësisë së materies. Arti i tij shkon përtej teknikës dhe mjeshtërisë; ai është një pelegrinazh shpirtëror ku ndjenja, kujtesa dhe bukuria shkrijnë kufijtë mes reales dhe metafizikes, duke u bërë një trup i vetëm në heshtjen solemne të përjetësisë.
Për Vladimir Llakajn, arti nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme, por një thirrje e brendshme, një dritë që ndizet vetvetiu në thellësi të shpirtit dhe kërkon rrugën drejt jetës. Që në bankat e shkollës “Jakov Xoxa” në Fier, ndjenja për të bukurën i rridhte nëpër gishta si ujëvarë, duke këndvështruar çdo faqe libri e fletoreje si një horizont imagjinate. Lapsi ishte fryma e tij, ndërsa vijat mbi letër – pulsi i shpirtit që kërkonte të shfaqej në dritën artistike të së ardhmes.
Ai është nga ata njerëz që, sapo i njeh, të mbeten gjatë në kujtesë jo vetëm për artin që krijojnë, por për dritën që përcjellin me shpirtindritësinë e tyre. Me origjinë të hershme nga Tepelena, ai mbart në vetvete fisnikërinë e heshtur dhe zjarrin krijues të peziazheve të serta jugore, ku legjenda dhe historia flenë nën të njëjtin gur, e ku çdo pëllëmbë toke mban gjurmën e një këngë heroike.
Rrugëtimi jetësor dhe artistik
Historia e jetës së Vladimirit Llakaj është një udhëtim i gjatë përmes hapësirave të ndryshme shqiptare e më tej, drejt brigjeve të Italisë, ku arti dhe jeta u shkrinë në një mozaik përvoje, përkushtimi dhe ëndrre. Ai lindi në një familje që, për shkak të detyrës ushtarake të të atit, Çumanit, ishte e dënuar me lëvizje të shpeshta dhe me kujtime që pasuroheshin e pluhuroseshin nëpër stacione. Çdo transferim i të atit ishte një fillim i ri për të, një copëz e re harte që fëmijëria e Vladimirit e mbushte me ngjyra, njerëz e rrugë të shumta.
Në Gramshin e qetë, mes heshtjes së lashtë të maleve dhe kodrave të Krahinës së Vërçës, ai hodhi hapat e parë të jetës. Aty, në prehërin e natyrës, ndoshta u mboll fara e shikimit artistik; aftësia për të soditur formën, dritën dhe paqen e peizazhit; për ta lexuar botën si një tablo të gjallë. Por fëmijëria nuk qëndroi gjatë në atë kornizë idilike. Pas dy vitesh, rruga e jetës i çoi në Durrës, atje ku deti përplaset në brigje me madhështi dhe zhurmë, ku era ka aromë kripë e lirie. Katër vjet në këtë qytet mjaftuan që ai të kuptonte se lëvizja është vetë fryma e jetës, ashtu si dallgët janë zemra që rreh e detit. Durrësi i dhuroi shijen e hapësirës, të horizontit që s’ka fund dhe të thirrjes së përhershme përtej vetvetes.
Më pas, familja u vendos në Fier, qytetin ku ai do të kalonte periudhën më të gjatë dhe më formuese të rinisë. Në rrugicat e këtij qyteti të gjallë, mes zhurmës së punës e aromës së mëngjeseve të Myzeqesë, Vladimiri njohu njerëzit e thjeshtë të tokës, gjuhën e heshtur të përpjekjes dhe bukurinë që fshihet pas përditshmërisë. Në bankat e shkollës, lapsi nisi të bëhej zëri i shpirtit të tij, duke vizatuar jo thjesht fytyra, por jetë.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, si gjithë bashkëmoshatarët, ëndërronte auditorët e universitetit – tempullin e dijes e të lirisë. Por shteti i asaj kohe ia fashiti ëndrrat, duke e mbyllur në kazermat e Librazhdit. Dy vite nën britmat e komandave ushtarake, i mësuan gjakftohtësinë e durimit, forcën e vendosur dhe aftësinë për të mos u përkulur para asnjë vështirësie. Megjithatë, përtej uniformës dhe ideologjisë që i mjegullonte ditët, arti vazhdonte të rridhte brenda tij, si një lum i fshehtë që kërkon me ngulm detin e vet, duke i ushqyer shpirtin me ëndrrën e kaltër të lirisë.
Në vitin 1990, me vendosmërinë që e karakterizonte, ai konkurroi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën e Skulpturës. Aty nisi kapitulli i parë i ëndrrës së madhe. Por koha ishte e trazuar. Shqipëria po përjetonte ndryshime të thella, dhe në marsin e vitit 1991, Vladimiri mori një tjetër rrugë: atë të emigracionit.
Në L’Aquila të Italisë, jeta filloi nga e para. Ishte një realitet i huaj, shpesh i ashpër, por i mbushur me mundësi për ata që dinin të ëndërronin syçelur. Ai, me zemrën që digjej nga dashuria për artin, konkurroi dhe fitoi në Akademinë e Arteve të Bukura të këtij qyteti. Ishte një triumf që vulosi kthesën e jetës së tij.
Në auditorët e mbushur me frymën e mjeshtrave të mëdhenj, ai mësoi se arti nuk është vetëm lëndë materiale, por mendim, shpirt dhe guxim për të parë në thellësi. Në vitin 1996, udhëtimi i tij artistik e çoi në Bolonjë, ku përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera. Tashmë ishte një skulptor i formuar, me duar që dinin t’i jepnin jetë materies. Katër vitet pas diplomimit i kaloi në Firence – qyteti i Rilindjes, i Mikelanxhelos e i dritës që frymëzon çdo artist. Aty, punoi dhe ekspozoi krah artistëve italianë e të huaj, duke ndarë me ta një gjuhë universale: gjuhën e artit.
Në vitin 2000, pas një dekade përvoje e frymëzimi, ai u kthye në atdhe, tashmë si një artist i kompletuar me një horizont të gjerë. Shqipëria e atyre viteve po përpiqej të rindërtonte jo vetëm rrugët, por edhe shpirtin e saj të lodhur nga diktatura. Në këtë klimë rindërtimi, Vladimiri gjeti frymëzimin e vet të ri: qytetin shqiptar si organizëm i gjallë, si pasqyrë e gjendjes shpirtërore të shoqërisë.
Për tre vite me radhë, iu përkushtua me dashuri temës së infrastrukturës urbane, duke e parë jo thjesht si arkitekturë betoni, por si rrjetë ndjenjash dhe kujtimesh. Tiranën e soditi me syrin e artistit që sheh përtej fasadave – në çdo dritare një frymëmarrje, në çdo rrugë një kujtim, në çdo ndërtesë një rrëfim kohe. Punimet e asaj periudhe, të përmbledhura në një ekspozitë personale, ishin si një dialog i ndershëm mes artistit dhe qytetit të tij; mes së kaluarës që nuk shuhet dhe së tashmes që po rindërtohej mes problematikash të shumta.
Në çdo vepër të tij ndihet përpjekja për të kapur pulsimin e qytetit: rrugët që zgjaten si damarë të një trupi të gjallë, fasadat që flasin me dritën, njerëzit që vijnë e shkojnë si hije përditshmërie. Ekspozita e tij me këtë temë nuk ishte thjesht një paraqitje artistike, por një reflektim i thellë mbi mënyrën se si hapësira ndikon në psikologjinë e njeriut dhe si arkitektura formëson vetë mënyrën e të jetuarit.
Krijimtaria e skulptorit Vladimir Llakaj nuk u kufizua kurrë në korniza të ngushta. Ai mori pjesë në konkurse kombëtare e ndërkombëtare, ku u vlerësua për origjinalitetin dhe fuqinë shprehëse. Skulpturat e tij, shpesh monumentale, mbartin një solemnitet të gjallë – sikur guri apo bronzi, të marrë frymë përmes duarve të artistit. Në pikturë, ngjyrat e përdorura flasin për njeriun si pjesë e një universi që kërkon ekuilibër.
Në vitin 2003, filloi punën si pedagog në degën e Skulpturës pranë Akademisë së Arteve në Tiranë – një dëshmi e vlerësimit dhe besimit që arti i tij kishte fituar. Ishte koha kur përvoja italiane, kultura evropiane dhe shpirti krijues shqiptar u shkrinë në një mision të vetëm: formimin e brezave të rinj të artistëve. Në çdo leksion apo dhe bisedë të lirë, ai përpiqej t’u mësonte studentëve se arti nuk është vetëm teknikë, por mënyrë të menduari, moral, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
Në punën e tij pedagogjike, ashtu si në krijimtari, ka ruajtur frymën kërkuese dhe besimin se çdo brez duhet të ketë zërin e vet, por pa harruar rrënjët, traditën dhe shpirtin kombëtar. Kështu, jeta dhe arti i Vladimirit Llakajt ndërthuren në një rrëfim që flet për qëndrueshmëri, dritë dhe largpamësi.
Dy “Davidët” e Tepelenës
Skulptori Vladimir Llakaj është një nga ata mjeshtëra të rrallë që ka ditur ta ngrejë figurën kombëtare në një shkallë të tillë lartësie, ku fryma shqiptare përzihet me finesë në estetikën e përkryer të artit evropian. Gjatë qëndrimit të tij në Firence – qytetin ku njerëzit flasin me sytë e statujave dhe ku heshtja e mermerit tingëllon më elokuente se çdo fjalë – ai nuk mësoi vetëm teknikën e skalitjes, por edhe filozofinë e brendshme të artit: se çdo skulpturë është një rrëfim i shpirtit, një frymëmarrje artistike e gurit që shndërrohet në jetë. I përkulur mbi mermerin dhe bronzin e ftohtë, ai, me ngohtësi e përkushtim, u përpoq të depërtonte në misterin e “Davidit” të Mikelanxhelos – asaj kryevepre që prej shekujsh mbetet simbol i forcës, i bukurisë dhe i guximit njerëzor përballë kolosit të së keqes. Me ndjeshmërinë e tij të thellë shqiptare, e kuptoi, se “Davidi” nuk është thjesht një figurë biblike, por një arketip i përjetshëm i qëndresës dhe i guximit që lind në çdo shpirt që ngrihet kundër fatit, pushtetit apo padrejtësisë. Në këtë përkthim shpirtëror të materies, ai gjeti mënyrën për ta bërë artin e vet një pasqyrë të qenies njerëzore – shqiptare në rrënjë, por universale në frymë.
Në horizontin e miteve dhe historisë njerëzore, figura e Davidit qëndron si një simbol i besimit të pastër dhe i guximit që sfidon pamundësinë. Edhe kombi shqiptar, një popull i vogël në numër, është përballur ndër shekuj me perandori të mëdha e ushtri të pamata, duke dalë fitimtar falë “Davidëve” që ka nxjerrë nga gjiri i vet. Këtë frymë dhe model të heroizmit të pashoq e mëse të motivuar, skulptori shqiptar e ka realizuar, përveë të tjerash, edhe përmes shtatoreve të Selam Salarisë dhe Tafil Buzit.
Kështu, “Davidët” e skulptorit shqiptar nuk lindin më nga faqet e shenjta të Biblës, por nga thellësitë e historisë sonë kombëtare. Ata marrin trajtë në shtatoren e Selam Musa Salarisë, heroit të vitit 1920, që me pushkën në dorë dhe me zemrën plot zjarr atdhedashurie, sfidoi “Goliathin” e përtej Adriatikut. Në atë figurë të ngurtë e fisnike, shpaloset jo vetëm trimëria, por edhe qëndresa e palëkundur e njeriut të thjeshtë që mbi supe mban peshën e fatit të një kombi. Po aq “David” mbetet edhe Kapedan Tafil Buzi, prijësi i kryengritjeve kundër perandorisë osmane në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, i gdhendur nga dora e mjeshtrit me një madhështi malesh.
Në këta dy heronj shqiptarë, skulptori nuk ka derdhur muskuj mitikë, por forcën morale të njeriut që s’përkulet; jo shkëlqimin e lavdisë, por fisnikërinë e sakrificës. Në çdo tipar e në çdo rrudhë të bronzit ndien të rrahurat e zemrës së një kombi që ka luftuar tërë jetën për ekzistencë, për nder e për dritë.
Sa “Davidë” ka, pra, në figurën e Selam Musa Salarisë dhe atë të Tafil Buzit? Aq sa ka dhe zemra shqiptare që nuk pushojnë së rrahuri për liri; sa ka frymë që nuk pranon robëri dhe sa ka shpirtra që refuzojnë të shuhen me dredhi. Në duart e Vladimir Llakajt, këta “Davidë” të kombit tonë s’janë më gurë e bronz, por janë frymë që jeton, kujtesë që s’mund të shuhet, dritë që përshkon shekujt.
Skulptori Vladimir Llakaj, që kishte prekur peizazhet e Firences – qytetit ku çdo gur mban frymën e Mikelanxhelos, Botiçelit e Donatellos – solli në mermerin shqiptar atë shpirt të dritës që ushqen përjetësinë e artit. Aty ku Mikelanxhelo krijoi “Davidin” – simbolin e triumfit të shpirtit mbi trupin, të mendjes mbi dhunën – Llakaj ngriti “Davidin” shqiptar, Selam Musa Salarinë, që vetflijohet duke i vënë gjoksin topit të pushtuesit për të mbrojtur integritetin e Atdheut në Luftën e Vlorës.
Në një mënyrë të ngjashme, por me një ndjeshmëri tjetër, skulptori shqiptar ka realizuar edhe shtatoren e “David” – Kapedan Tafil Buzit, të vendosur në Tepelenë. Në këtë vepër, artisti ndërthur heroizmin historik me fisnikërinë shpirtërore të një udhëheqësi popullor. Tafil Buzi, figurë e shquar e kryengritjeve shqiptare kundër pushtuesve osmanë, paraqitet si një burrë që del nga thellësitë e kohës për të na kujtuar se liria kërkon gjithnjë sakrificë. Në duart e Ladit, bronzi shndërrohet në frymë – trupi i kapedanit ngrihet me madhështi, por pa pompozitet; qëndrimi i tij është i thjeshtë e njerëzor, ndërsa shikimi i prerë përçon vendosmërinë e një udhëheqësi që ka jetuar për idealin e bashkimit dhe të dinjitetit kombëtar.
Kështu, historia e njerëzimit shfaqet si një rrjet i padukshëm lidhjesh, ku fijet e besimit dhe të përkushtimit enden përmes shekujve: Davidi i lashtësisë që i besonte Zotit, Selami i Labërisë dhe Tafili i Toskërisë që i besonin Shqipërisë. Të tre, bij të tokës dhe të maleve të tyre, ngjiten nga heshtja e natyrës në jehonën e historisë, duke shndërruar jetën e thjeshtë në një testament të përjetshëm që lartëson ëndrrën e lirisë. Fëmijëria e tyre e varfër, por e pasur me ndjenja të thella atdhedashurie e qëndrese titanike, u bë themel i madhështisë që i udhëhoqi drejt përjetësisë. Në universin e “Davidëve” shqiptarë, toka labe kishte lindur trima si Zenel Gjoleka, Çelo Picari e Hodo Nivica – burra që kishin tronditur themelet e Tanzimatit dhe kishin zgjuar, më parë tek kapedani Tafil Buzi e më pas tek Selam Musa Salaria, ndërgjegjen e një kombi ende pa shtet, por me shpirt të papërkulur e të lirë.
Kur Llakaj preku lëndën për të gdhendur Tafil Buzin dhe Selam Musanë, dora e tij nuk punonte vetëm me artin, por me kujtesën. Ai u dha formë dy trupave që tashmë ishin bërë legjendë, ku brenda bronzit frymonte edhe hija e Davidit biblik. Tre “Davidë”, të ndarë nga shekujt, por të bashkuar në përjetësi: njëri në luginat e Betlehemit, kurse dy të tjerët në trojet e lashta arbërore. Njëri luftoi për nderin e Zotit, ndërsa dy të tjerët për nderin e Shqipërisë – të tre me gurin e besimit në dorë.
“Të dashurit e mi” – një unviers social
Nëpërmjet veprave të tij, Vladimir Llakaj dëshmon se arti është gjuha me të cilën ai dialogon me kohën. Në pikturë; si, fjala vjen, tek “Kërcënim i ndërsjelltë”, “Kaosi urbanistik”, “Pështjellim i mundimshëm”, “Qetësi utopike”, “Qyteti i shpenguar” e të tjera; qyteti nuk është thjesht një subjekt artistik, por pasqyra e shpirtit kolektiv, metafora e një kohe në lëvizje të pandalur. Ndërsa në skulpturë, me vepra si “Monumenti i Arben Brocit”, “Portreti i Skënderbeut”, “Portreti i Nënë Terezës”, “Shtatorja e Selam Musa Salarisë” dhe “Shtatorja e Tafil Buzit”, ai i jep formë trupore idealit dhe kujtesës. Çdo krijim i tij është një përpjekje për të gjetur ekuilibrin mes materies dhe mendimit, mes përkohshmërisë dhe përjetësisë.
Në një kohë kur jeta shpesh synon të tronditë ose të habisë, Llakaj, nëpërmjet artit, zgjedh të qetësojë, të përkujtojë e të falë dritë. Fjala vjen, gjatë pandemisë së “Covid-19”, ai realizoi dhjetë skulptura në bronz dhe tetë në mermer, duke hulumtuar thellë në qenien njerëzore përmes ciklit “Të dashurit e mi” – një rrugëtim që nis nga familja dhe shtrihet deri në universin e gjerë shoqëror. Këto vepra janë një homazh i butë për ata që i japin kuptim çdo dite, por edhe një kujtesë e përbotshme se arti më i madh buron nga dashuria: ajo e thjeshta, e përditshmja, e pafundmja.
Në këtë cikël, lindur në njërën nga periudhat më të zymta të njerëzimit, skulptori i njohur dëshmon se arti nuk njeh kufizime. Ai vazhdon të jetojë edhe i izoluar nga pandemia, edhe i lirë nga ati, sepse, siç shprehet përmes veprave të tij, fryma krijuese lind aty ku dashuria është më e fortë se frika.
Por Vladimir Llakaj nuk është vetëm një artist që flet me vepra artistike. Ai është një zë qytetar i fortë, një ndërgjegje që refuzon të heshtë përballë padrejtësisë dhe rrënimit shpirtëror të shoqërisë. Në periudha të ndryshme, veçanërisht gjatë protestave studentore të vjeshtës së vitit 2002, ai u shfaq si një intelektual i angazhuar, që nuk kërkon të mbulojë me art realitetin, por ta ndriçojë atë me dritën e së vërtetës, duke e quajtur rrebelimin studentor “një lëvizje të të gjithë shqiptarëve”, sepse për të arsimi nuk është thjesht shkolla, por vetë themeli mbi të cilin ngrihet shteti.
Ai nuk kurseu fjalët për të dënuar politikat që, sipas tij, kishin shkatërruar arsimin dhe kishin zbehur ndjenjën e emancipimit. Udhëheqjen politike e përshkroi me tone simbolike, si një diktaturë moderne të maskuar me ngjyra të rreme, ku palma dekorative dhe fasadat e lyera mbulonin boshllëkun moral dhe rrënimin e vlerave.
Fjalët e Llakajt nuk janë thjesht akuza politike, por një thirrje morale për ringjallje shpirtërore. Ai fton qytetarët të ngrihen përballë “errësirës së re”, të mos pranojnë shkeljen e dinjitetit, të mos lejojnë që dija të shndërrohet në mall tregu. “Duhet të përqafojmë Europën,” thotë ai, “jo si një gjeografi, por si një frymë emancipimi”.
Në këtë qëndrim të palëkundur, skulptori i njohur dëshmon se arti i tij nuk mbaron në stiudio e atelie, por vazhdon në sheshin e protestës, në auditorët e studentëve, në ndërgjegjen e një populli që ende kërkon dritë shprese. Ai mbetet një zë që ngjizet nga dhembja, por buron nga dashuria; e njëjtë si ajo që frymon në ekspozitën “Të dashurit e mi”, vetëm se kësaj here dashuria është për atdheun, për lirinë dhe për dijen. Në figurën e tij bashkohen dy botë që rrallë takohen me kaq natyrshmëri: ajo e artistit që krijon në skulpturë e pikturë dhe ajo e qytetarit që lufton për të vërtetën. Kështu, ai del si një nga ata shpirtëra të rrallë që nuk ndahen nga populli, por ecin përkrah tij, duke e udhëhequr me dritën e artit dhe zjarrin e ndërgjegjes.
***
Nëpërmjet veprave të tij, skulptori Vladimir Llakaj dëshmon me një qartësi të rrallë se arti nuk është luks apo zbukurim i përkohshëm, por një nevojë e thellë shpirtërore -– një frymëmarrje që i jep jetës kuptim e njeriut përmasë hyjnore. Për të, artisti nuk është thjesht krijues i përmendoreve, por ruajtës i kujtesës dhe përkthyes i heshtur i asaj që ndien zemra dhe sytë nuk arrijnë ta shohin. Ai e sheh artin si një akt sakral, ku dora e njeriut bëhet mjet për të shfaqur të shenjtën që banon brenda çdo qenieje.

Skulptori Vladimir LLakaj

Shtatorja e Selam Musa Salarisë tek
“Komana e Parisit”, Tiranë

Shtatorja e Tafil Buzit në Tepelenë

Me skulptorin Vladimir LLakaj tek shtatorja e Tafil Buzit