
Zakoni i mikpritjes dhe receta tradicionale autoktone e gatimit në Mirditë.
Bukë, kripë e zemër! Me këto fjalë të shenjta mirëseardhjeje pritej miku në Mirditë, e vetmja krahinë në Shqipëri, ku nuk ka pasur hane apo vendpushime për udhëtarë vendas apo të huaj, kur kalonin në rrugët e saj, pasi konsiderohej e turpshme që udhëtari të mos pritej, nderohej dhe respektohej si mik në familjen e çdo Mirditasi, i varfër apo i pasur të ishte ai. Çdo udhëtar që e zinte nata përjashta, trokiste në derën e parë që e zinte rruga, dhe pritej e gostitej me çdo lloj ushqimi që i gjendej brenda asaj shtëpie.
Zakonisht në raste të tilla priteshin vetëm shpendë, kurse bagëtitë thereshin vetëm në rastet: për festa, Pashkë, Krishtlindje dhe festa fetare, për gëzime familjare siç ishin pagëzimet, fejesat dhe martesat, në raste hidhërimi siç ishin ceremonitë mortore, dhe kur bëheshin kuvendet e mëdhaja të burrave të krahinës, por në këtë rast shpenzimet e ushqimit i hiqte Kapedani, pasi servirej mishi i një prej bagëtive të tija, të therura për këtë gjë.
Në fillimin e pritjes së udhëtarit si mik në shtëpi, shtroheshin mezet dhe rakija, pastaj buka dhe ushqimi. Ka pasur disa lloje mezesh dhe ushqimesh që servireshin në raste të tilla, por gatimi dhe ushqimi më tradicional dhe autokton që ka pasur Mirdita, ka qenë Karrabeci. Përbëhej nga fasulja, mielli i misrit, ujë dhe kripë, e sipas dëshirës i shtohej arra dhe gjalpi ose yndyra e ruajtur nga mishi i bagëtive. Gatimi i saj bëhej në një enë balte e pjekur posaçërisht për atë punë dhe quhej vorbë, zihej në zjarr të avashtë dhe pasi të përfundonte së zieri shpërndahej në tasa të pregaditur po me të njëjtën procedurë si vorbat, që quhej sahan.
Vendosej sahani i mbushur me karrabec në sofrën rrumbullake ku ishin të ulur përreth saj, miku dhe burrat e shtëpisë, dhe shtrinin krahët me lugët e drunjta duke ngrënë në të. Gratë dhe fëmijët hanin veçmas në kësi rastesh. Pasi mbaronin së ngrëni, ngrihej sofra me enët dhe ushqimet e mbetura aty, dhe njëra nga gratë e shtëpisë ju hidhte ujë burrave për të larë duart, me një enë të posaçme që quhej ibrik, duke ju vendosur një enë tjetër poshtë duarve legenin, për të pritur ujin që mos të binte në dyshemenë e banesës, dhe lanin duart të gjithë me rradhë, dhe pastaj uleshin për të fjetur. Ky ishte zakoni, tradita dhe kultura e dikurshme e pritjes, respektit dhe gatimit për mikun në Mirditë.
Disa krahina të vendit tonë, shquhen për gatimin e tyre të veçantë me receta tradicionale siç janë: Shkodra me tavën e krapit, Dibra me jufkat, Kukësi me flinë, Tirana me fërgesën, Elbasani me ballokumet, Pogradeci me tavën e koranit, Korça me lakrorin, Labëria me mishin e pjekur në hell, etj. Mirdita ka gatimin e saj të veçantë recetën tradicionale autoktone, Karrabecin!