Petro L. Sota

Roman
————
ZHDUKJA MISTERIOZE E FAN KRIPTHIT
Kapitulli i ll
——————–
“……. Thesi i zbrazët nuk qëndron
në këmbë, kush njeh vetveten,
njeh edhe perëndinë…….”
Marga, e shoqja e Tasi Shtëmbarit hyri në kafen e Lak Brukës së bashku me të birin dhjetëvjeçar Orionin, për të marrë Tasin. Ai kishte dalur nga shtëpia, tre orë më parë, duke i thënë gruas se nuk do të vonohem shumë, sa të pi një kafe me shokët tek Laku, ( e vetmja kafe në atë fshatin e vogël ) dhe do të kthehem. Ajo ishte e shqetësuar se kishte ditë që sillej ndryshe, që kur kishte humbur lekët në firmat piramidale.
Ngrihej ndonjëherë natën dhe dilte nga shtëpia. Ulej tek stoli afër mënit të madh aty pranë pusit dhe rrinte me orë të tëra duke menduar.
Ky ishte një mën i bardhë, kokërr madh, me një kurorë të madhe rreth tridhjetë metra katrorë. Ishte më i madhi dhe më i vjetër në fshat. Kur binte shi aty strehoheshin qindra zogj për tu mbrojtur.
Në kohën e kooperativës, vajzat dhe djemtë që punonin në arat aty rreth e rrotull, kur linin punën në drekë, vinin këtu, mblidheshin së bashku në hijen e mënit, duke u freskuar në ujin e freskët të pusit dhe duke bërë shaka, hanin disa kokrra mëna.
Ndonjëherë edhe burrat, kur linin punën dhe çonin qetë me qerret tek stalla, ktheheshin për të ngrënë ndonjë kokërr mëni.
Shtëpia e Tasit ishte buzë rruge dhe gardhin rrethues të oborrit e kishte bërë, duke e lënë jashtë mënin, që çdo njeri që kalonte të.hante ndonjë kokërr mëni.
Pleqtë e fshatit thoshin se kështu e kishin parë gjithmonë këtë mënë. Fisi i Shtëmbarëve, thoshin vetë ata, se e kishte mbjellë gjyshi i tyre Trifon Shtëmbari, kur kishte ardhur këtu në këtë fshat, që nga fshatrat matanë kodrës para njëqind e ca vjetësh. Ja kishte sjellë si fidan, një krushk i tij nga fshatrat e Elbasanit dhe të gjithë i thoshin mën Elbasani, kokërr madh.
Marga disa herë e kishte gjetur duke qëndruar vetëm në darkë vonë dhe kishte frikë se mos pësonte ndonjë gjë, duke kaluar ndoshta në depresion dhe vriste veten ose mund të mbytej në pus. Ajo ia kishte frikën se mos ikte edhe andej nga këneta dhe nuk i dihej se çfarë mund të bënte në atë gjëndje që ishte.
Para dy javësh i kishte ndodhur e njëjta gjë edhe Gjek Dyfekut. Kishte ikur natën nga shtëpia dhe dy ditë e dy netë, kishte dalë i gjithë fisi duke e kërkuar dhe më në fund e kishin gjetur në një bunkier. Nuk donte që të kthehej në shtëpi. E kishin marrë me forcë dhe e shoqëronin gjithmonë sa herë që dilte nga shtëpia, nuk e linin vetëm.
Fisi i Dyfekëve ishte fisi më i madh aty në fshat, ishin punëtor të gjithë dhe njerëz pa llafe. Nëpër mbledhje që bënte fshati për probleme të ndryshme, flisnin rrallë, vetëm njërin e kishin si të parin të tyre Dhorin, që ishte orator dhe diskutonte në mbështetje “ të vijës së partisë “ siç i thoshte me shaka Rik Vodo.
Kishte qenë kapter para shumë vjetësh, me banim në Tiranë, por e kishte kapur reforma dhe e kishin prurë në fshat rreth viteve gjashtëdhjetë e shtatë duke e caktuar si magazinier i prodhimeve bujqësore të fshatit. Ai thoshte gjithmon se i ishte bindur fjalës së partisë dhe kishte shprehur dëshirën për të ardhur vetë në fshat pranë vëllezërit e tij.
Por e vërteta qëndronte ndryshe, thoshte Kol Ziu, se e kishin hequr nga vendi i punës se merrte ryshfet nga ushtarët duke i favorizuar me ndonjë ditë leje, duke e zëvëndësuar me një të ri dhe Dhorit i kishin thënë, se kështu ka menduar partia që ti të kontribosh në fshat. Ai çdo herë e kundërshtonte Dhorin nga që kishte qenë komunist, ndërsa vetë ai ishte demokrat.
Marga e pa Tasin që ishte ulur në atë tavolinë ku ishte edhe prifti, papa Sako, sikur u qetësua pak dhe po afrohej e qetë pranë tyre, duke u përshëndetur me të gjithë por në veçanti me papa Sakon.
– Si të kemi uratë.?
– Mirë, moj bijë e perëndisë, – iu përgjigj me atë zërit e tij të veçantë prifti. Ai kështu u thoshte të gjithëve edhe pse nuk ishte në një moshë më të madhe prej tyre. Kishte veshur veladonin e priftit në vitin njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre pasi, kishte bërë një kurs njëvjeçar në metropolitanën e Tiranës.
I shkonte uniforma e priftit, sepse edhe kur ecte edhe kur fliste, kishte atë qetësin, urtësinë dhe zërin në predikimin e fesë orthodokse, sikur të ishte i lindur për atë punë.
Në kohën e kooperativës, kishte mbaruar shkollën e mesme për zooteknik, dhe merrej me mënyrën e te ushqyerit të blegtorisë. Kishte punuar shtatë vjet si zooteknik pastaj e kishin emëruar si brigadier i deleve dhe të mbarështimit e kultivimin e bletëve. Atë detyrë e kishte kryer mirë dhe ishte i apasionuar sidomos i bletëve. Edhe tani në shtëpinë e tij kishte rreth tridhjetë koshere blete.
Kishte një grua shumë punëtore. E dashur dhe zemërbardhë. Priste dhe përcillte miqtë si një grua nikoqire. Kishte qenë shumë e bukur në rininë e saj. E quanin Vita. Ishte nga fshatrat e Fierit. Ishin njohur me Sakon, në një seminar për blegtorinë organizuar nga ministria e bujqësisë në fshatin Sheq i madh në Fier.
Kur erdhi nuse në fshat u mahnitën nga bukuria e saj. Edhe pse i ka kaluar të pesëdhjetat, i ka ruajtur akoma tiparet e bukurisë. Njerëzit në fshat nuk i thonë gruaja e priftit, por “ priftëresha e bukur “.
Kanë një djalë dhe një vajzë të martuar, që të dy në Itali. Djali ka një vajzë shtatë vjeçe ndërsa vajza ka një vajzë nënte vjeçe dhe një djalë gjashtë vjeç. Prifti dhe priftëresha i gëzohen nipit dhe dy mbesave, që njëherë në vit vijnë këtu në fshat.
– Hajde Marga, hajde, po bisedojmë me Tasin, se është mërzitur shumë për humbjen e atyre lekëve të mallkuara, ashtu qe thënë nga i madhi zot, dhe zoti do të bëjë më mirë, kini besim. Të humbësh besimin tek vetja, është më keq se të humbësh besimin tek zoti, – po i thoshte papa Sako.
Marga po e dëgjonte me vëmëndje dhe tundte kokën.
– Po hirësia e juaj, keni të drejtë, po ja nuk qenka e lehtë, të humbësh gjithë kursimet e disa viteve, kishim shpresë të ndërtonim shtëpi të re, se ajo që kemi është duke u rrëzuar.
– Eh, moj bijë e perëndisë, duhet në radhë të parë të faleni zotit, qe te jeni mirë me shëndet, të keni mirë fëmijët se të tjerat do të vijnë dalëngadalë, duke punuar. – po u jepte këshilla prifti edhe pse ndonjëherë nuk i besonte as vetë, se një ditë do të bëhej më mirë.
-Thesi i zbrazët nuk qëndron më këmbë, kush njeh vetveten, njeh edhe Perëndinë, – i tha prifti duke i rënë me lehtësi shpatullave të Tasit, që rrinte duke vështruar dhe pa folur.
– O Tasi, mblidhe mëndjen tani, – po i thoshte Miço Brava, – kjo humbje nuk qe vetëm për ty, se edhe shumë të tjerë kanë humbur, shyqyr unë nuk pata lekë se mund ti kisha futur në firmat dhe do ti kisha humbur.
– Në disa qytete kanë humbur edhe shtëpiat dhe kanë mbetur me fëmijët jashtë në rrugë. Boxhanjaku im nga Vlora e humbi shtëpinë, mbeti me tre fëmijët dhe gruan në rrugë. Tani i ka strehuar tek vëllai i tij në Skelë. Prandaj qetësohu se ka edhe më keq. Shyqyr të jeni mirë vetë ju, të keni fëmijë me shëndet po do rregullohet çdo gjë.
– Po, po ashtu është,- e përforcoi fjalën e Miços edhe Koli Veliu.
– Eh, more vëllezër keni të drejtë, – po thoshte Tasi, duke e ngritur kokën dhe duke shikuar në drejtim të djalit të tij.
– Unë gabova dhe s’më falet, hyra në gjynahet e fëmijëve të mi, – dhe sytë iu mbushën me lot.
– Jo ore, Tasi jo, nuk qe ti i pari që gabove, të gjithë ne gabuam, – foli nga tavolina tjetër Dhori Dyfeku, që kishte dhjetë minuta që kishte ardhur në lokal dhe po pinte kafen duke e shoqëruar me një gotë raki se e kishte dëgjuar bisedën.
– Nuk gabuam, o Tasi – e përsëriti edhe njëherë Dhori, -por na mashtruan që të gjithë, që nga presidenti, qeveria e me radhë deri poshtë.
Në atë moment hyri në kafe kryetari i fshatit Trifon Gjoli i nervozuar dhe duke sharë nëpër dhëmbë ngaqë kishte dëgjuar disa krisma automatiku që i kishin fishkëlluar tridhjetë metra pranë, kur po kalonte tek kallëmat e gardhit të Koz Thikës.
Pasi shikoi rreth e rrotull të gjithë ata që ishin ulur aty, duke i përshëndetur me dorë dhe me një “ mirëmbrëma” nuk e pa të ulur në asnjë tavolinë atë që kërkonte dhe u drejtua tek banaku. Tek banaku ishte e shoqja e Lakut, Olimbia duke bërë kafe dhe kur po afrohej Trifoni ajo i foli e para dhe duke e pyetur:
– Mirëmbrëma, Trifon.! – kafe me raki, – e pyeti ajo për tu siguruar se ai kafen e shoqëronte gjithmon me një gotë raki rrushi.
Ai para se të përgjigjej e pyeti për Lakun:
– Po Lakun, ku e ke moj, se nuk po e shikoj?
– Laku është brënda në shtëpi se ka ardhur Klea ti bëjë gjilpërën vjerrës dhe po e ndihmon.
Në faktë Klea kishte mbi dhjetë minuta që kishte ardhur dhe kishte hyrë me Lakun në shtëpi e tij, për ti bërë gjilpërën të ëmës së tij. Trifoni, tundi kokën duke e miratuar atë që tha e shoqja e Lakut dhe i tha:
– Po, po, më bëjë një kafe turke dhe një gotë raki.
Shikoj edhe njëherë rreth e rrotull dhe u ul tek tavolina që ishte më afër, ku ishte ulur Dhori Dyfeku se ai po e ftonte që të ulej tek tavolina e tij.
– Hajde o Trifon, hajde. Nuk të shoh mirë, më dukesh pak i mërzitur, mos ke ndonjë problem nga shtëpia. ? – e pyeti Dhori kur ai u ul në tavolinë se po e shikonte pak të mërzitur.
– Eh, more Dhori, çfarë probleme familjare thua, ato po e po, por na janë shtuar edhe të tjera, më duket sikur jemi në gjëndje lufte tani. Po ku paskan qenë gjithë këta horra që na janë shfaqur tani me armë si bandat e një kohe, – foli gjithë inat Trifon Gjoli.
– Ashtu është o Trifon vëllai, ke të drejtë, po kemi frikë në shtëpitë tona tani, nga bandat se të vijnë dhe të vjedhin bagëtinë, – po thoshte Dhori.
– Edhe djali im i madh, se ku e kishte blerë një automatik dhe e mbanë gjithmonë poshtë krevatit. E bën gjumin me ëndrra. Sa herë dëgjon qenin që leh natën, ngrihet dhe kontrollon kasollen me automatik në dorë, ku kemi lopët dhe disa krerë dele. Është bërë jeta e vështirë dhe qeveria teknike e Bashkim Finos nuk ka çfarë të bëjë tani për tani. Eh, Sali çfarë na bëre.?
Nga tavolina pak më tutje e dëgjoi Rik Vodo kur Dhori përmëndi Saliun duke u përgjigjur si me inat.
– Nuk e ka fajin Saliu o Dhori, por e keni fajin ju socialistët. Ju bëtë sherrin të parët.
– Rri o Rik, pi një gotë raki, dhe kulloti mirë ato lopë, që të japin më shumë qumësht, se nuk di mirë këto probleme të politikës, dhe mos bëjë petulla me ujë, – i tha Dhori.
Prifti e dëgjoi debatin e Rikut me Dhorin dhe po fliste, me kokën të ulur si me veten e tij :
-Kush pranon këshilla, është më i mençur se ai që i jep.
Sapo e mbaroi fjalën prifti, Marga u ngrit si me sustë nga karrikja duke thënë :
-Uaa, u bë vonë, ne të na falni se do të ikim, hajde Tasi se kemi lënë vajzën vetëm tek shtëpia me djalin tjetër dhe duhet të mbyllin mirë lesat e kasolleve të shpendëve se është ngrysur fare jashtë.
Tasi kishte dhe një vajzë njëzet e dy vjeçe dhe një djalë gjashtëmbëdhjetë vjeç. U përshëndetën me papa Sakon, me Miço Bravën dhe Koli Veliun dhe u nisën për të dalur.
Në atë moment tek dera hynë dy djem me mjekër dhe flokë të gjata me nga një automatik në krah. Njëri biond i gjatë, me fytyrën pikaloshe dhe pëllëmbën e dorës së majtë e kishte të lidhur me një fasho, siç duket ishte i plagosur ndërsa tjetri, vinte më i shkurtër dhe zeshkan, me mjekër dhe mustaqe pak të gjata, që dukej si banditë i filmave të temave meksikane. Kur hynë brënda shikuan rreth e rrotull në lokal dhe pastaj u drejtuan tek banaku.
Të gjithë sa ishin brënda në kafe i ndërprenë bisedat dhe po i vështronin ata të dy që hynë sepse nuk përshëndetën asnjë. U afruan tek banaku ku ishte e shoqja e Lakut, Olimbia dhe i folën:
– Ç’kemi.? – me sytë të përqëndruar tek vitrina, duke vështruar shishet me pije të ndryshme.
Biondi i gjatë, duke mbështetur bërrylin e dorës së majtë me fasho tek banaku, u afrua më afër të shoqes së Lakut, Olimbisë dhe i tha me zë të ulët, që mos ta dëgjonin të tjerët, se kërkonin një shok, Rik Gurin.
E shoqja e Lakut pak si e trembur, si nga pamja e tyre por edhe se si i foli me atë zërin e tij të çjerrë si një sorrë i tha:
– Kam disa ditë, që nuk e kam parë të vij tek lokali, as tek shtëpia nuk e kam parë më.
– Ku e ka shtëpinë,? pyeti zeshkani i shkurtër me mjekër dhe mustaqe të gjata si kaubojs të filmave meksikan.
Olimbia ishte në dilemë në atë moment se nuk donte t’ia tregonte shtëpinë, por nuk donte as që të krijonte ndonjë sherr ma ata dhe mbeti ngushtë, si një grua e padjallëzuar ajo i tha me gjysëm zëri:
– Ja ajo atje, për matan atij gardhi, tek janë ato kallëmat, – duke treguar me dorë në drejtim nga ishte shtëpia.
Ishte pak errësirë, por nga reflektimi i dritës së hënës së majit që kishte dalë nga kodra përballë kishës së Shënkollit dukeshin siluetat e kallëmave dhe çatia e shtëpisë dy katëshe nga dera e hapur e lokalit.
Kur Olimbia po i tregonte me dorë në drejtim të shtëpisë, ata kthyen kokën në atë drejtim, duke shikuar për dy tre minuta dhe i thanë vetëm “ ok “ dhe u nisën të dilnin. Por esmeri i shkurtër e kapi prej krahu shokun e tij duke i thënë:
– O Kapo, prit ore të marrim ndonjë birrë, se na u tha gurrmaci, – duke treguar fytin me dorë.!
– Ok, ke të drejtë plako, – dhe u kthya mbrapsh duke i thënë Olimbisë : – na jep dy birra me shishe,!
Kur ajo hapi frigoriferin për të marrë dy shishe birre, zeshkani i foli shokut:
– Kapo merr katër, edhe dy për ata që po na presinj në makinë.!
– Po, po , desh harrova fare, zonjë bëj katër dhe lekët do ti pagoi Riku.
Pasi i mori birrat iku duke i thënë Olimbisë:
– Ok, çiao.!
Olimbia pak e trembur nuk foli fare, por i shoqëroi me sy kur dualën nga dera dhe lëshoi një psherëtimë lehtësimi duke marrë frymë:
– Oh, moj nënë.! O, zot çfarë po ndodh kështu në këtë vënd.
Në atë çast erdhi Laku me gjithë Klean dhe e panë Olimbinë që kishte ndryshuar pamjen, dukej pak e zverdhur në fytyrë, ndërsa të gjithë sa ishin brënda në kafe po pëshpërisnin me zë të ulët se akoma nuk ishin të bindur, se ata që dolën nga lokali kishin ikur. Vetëm kur pas pak dëgjuan zhurmën e makinës që xhiroi rrotat dhe iku me shpejtësi duke e shoqëruar me disa breshëri automatiku.
Laku e dëgjoi xhirimin e rrotave të makinës dhe breshërinë e automatikut, ngriti supet në mënyrë të pavetëdijshme duke vështruar nga njerëzit që ishin brënda në kafe, për të parë reagimin e tyre.
Të gjithë rrinin në heshtje pa folur, sikur prisnin, që dikush ta thyente këtë heshtje mortore. Ata e kishin parë të gjithë skenën, por vetëm Laku me Klean nuk dinin asgjë çfarë kishte ndodhur.
Në atë çast heshtjen e theu prifti papa Sako. Ai u ngrit me ngadalë dhe tha:
– Po iki edhe unë tani, se më pret gruaja tek shtëpia , se është vetëm dhe ajo e shkreta. Trembet nga krismat e armëve. Ujku mjergull kërkon. Natën e mirë, bëfshit të gjithë. Ruajuni që t’ju ruaj perëndia.
– Natën e mirë, papa Sako. ! – thanë të gjithë sa ishin brenda në kafe.
Kur doli prifti nga lokali, Olimbia e kishte marrë veten dhe po ia tregonte të gjitha Lakut, për dy banditët që kishin hyrë në lokal dhe që kërkonin të vëllain e Kleas Rikun. Po e dëgjonte edhe Klea dhe po rrinte e menduar, pa folur fare, sepse i vinte turp për sjelljen e vëllezërve të saj si banditë nëpër fshat.
Laku e dëgjonte me vëmëndje, i menduar duke i miratuar fjalët e saj me një tundje të lehtë të kokës, duke vështruar në një pikë të vetme. Pasi qëndroi disa minuta ashtu, u kujtua që nuk e kishte përshëndetur kryetarin Trifon Gjolin, as Dhorin që ishin ulur aty në tavolinën afër banakut.
– Eh, nuk sheh syri, por mëndja, – përsëri me veten e tij me gjysëm zëri.
– Si jeni, o shokë! A jeni mirë nga shtëpia.?
– Mirë o Laku, mirë duhet thënë,- iu përgjigj si i mërzitur Trifoni.
– Eh, Lak vëllai, në këtë kohë duhet mbajtur mëndja, nuk e dimë çfarë do bëhet, – iu përgjigj duke kollitur, duke dredhur një cigare edhe Dhori.
– Desha të pyes o Laku, ka qenë gjë Fani sonte për të pirë kafe këtu,
– e pyeti Trifoni.
– Po, po Trifon, se desh harrova, ishte dhe më tha që do të kthehet përsëri, se të kishte disa lekë për të dhënë ty. Shkoj diku, dhe do të kthehet.
Klea ishte duke biseduar me Olimbinë, kur Laku po i jepte përgjigje Trifonit, dhe e përshëndeti duke i thënë natën e mirë dhe u largua në drejtim të derës për në shtëpi.
Rik Vodo po i thoshte Tan Bitit që të iknin dhe ata. U ngritën për të dalur nga lokali duke kaluar pranë banakut duke i thënë Lakut, që t’i çonte nga një gotë raki Trifonit dhe Dhorit dhe nxori lekët për t’i paguar.
Trifoni e dëgjoi dhe e kundërshtoi Rikun:
– Jo, jo Riku, faleminderit, nuk më shkon sonte, ndonjë herë tjetër.
– Mirë, – i tha Riku, – po ta paguaj, pije nesër mbrëma, edhe për Dhorin, e keni të paguar, ika natën e mirë, – dhe doli nga dera.
– Natën e mirë, – iu përgjigjën të dy.
-Bëfshë hallall o Riku, – i tha Dhori kur Riku doli nga dera.
Dalngadalë lokali filloj të zbrazej. Kishin mbetur edhe një tavolinë andej nga fundi, ku ishin ulur Gjergj Dyfeku, që kishte një muaj që kishte ardhur nga Greqia me Lan Kripthin, djalin e xhaxhait të Fan Kripthit dhe Maku i Dafinës së Pil Grëmit, babai i të cilit mbeti i humbur në malet e Greqisë, nuk u gjet trupi i tij fare, duke lënë gruan të ve dhe tre fëmijë jetim.
Në derën e lokalit u pa duke hyrë Nasi Çerepi duke fshirë djersët. Pasi e përshëndeti Lakun i kërkoi një birrë. Mori birrën dhe u ul në tavolinën ku ishin ulur Trifoni Gjoli dhe Dhori Dyfeku duke i përshëndetur të dy me një “ mirëmbrëma, si po ja kaloni” .
– Mirë o Nasi, – i tha Trifoni dhe e pyeti, – po ti nga po vjen kështu, paske nxituar , se qënke djersitur.
– Po shkoja deri tek shtëpia e Fanit , se kisha vjelur pak kokëlakër , që të ma merrte dhe të ma sheshin në tregun e qytetit, por nuk ishte në shtëpi. Takova rrugës Zak Dëllinjën dhe ai më tha se e kishte parë që po ikte me nxitim për në spitalin e qytetit se e kishin plagosur në shpatullën e manjtë dhe ishte gjithë gjak.
Makinën po ngiste Ben Groshi. Disa që ishin në rrugë më thanë që para një gjysëm ore kishin parë një benz të zi me katër persona që s’ishin nga fshati, pasi kishte xhiruar rrotat e makinës kishin qëlluar disa herë me breshëri me automatik dhe ata thoshin se mund ta kishin qëlluar, ndoshta e kishin plagosur Fanin.
-O zot, – klithi Olimbia e Lakut, aty tek banaku, kur dëgjoi këto që tha Nasi Çerepi.
– Unë e mbylla lokalin o Laku, nuk punohet në këtë situatë. – tha me një fytyrë të tridhtuar Nasi.
– Më erdhën para dy netësh shtatë persona të armatosur, hëngrën e pinë çfarë deshën deri në mesnatë dhe ikën pa më dhënë asnjë lek, duke më thënë se do të vijnë nga java tjetër dhe do të më pagojnë. Kështu o vëllezër.!
– Si në kohën e luftës, – tha Dhori që ishte më i madhi në moshë.
– Më ka treguar babai, kështu vinin disa banditë dhe të merrnin çfarë kishe në shtëpi, eh, çfarë kohe ka ardhur.