Teuta Sadiku
**
Poezia të ngërthen
edhe të vret
po aq sa të mban gjallë.
Poezia helmon,
po aq sa shëron plagë.
Poetët godasin epokën,
vrasin fjalën ,
burra ,
gra ,
politikanë ,
fëmijë ,
me imagjinatë.
Unë kam dhe fëmijë dhe imagjinatë.
Nuk di kush do më braktisë më parë:
imagjinata
apo fëmijët e vrarë.
**
Ishte motra më e madhe,
i pëlqente të bënte punët e shtëpisë.
Në duar mbante lumin Vjosa
dhe varkat që po vonoheshin
të na mernin.
Në minder unë lexoja poetë rusë,
më shikonte nëna
dhe çuditej
me çmendurinë time.
Më e vogla motër,
një ditë hapi një kuti
dhe nxori që andej
një zemër të plagosur.
Ia lava me lotët e kripur
që rëshqisnin të nxehtë
deri në mjekër.
Nuk dija të mjekoja,
kisha frikë se lëndoja
dhe dhimbjen e saj e fusja thellë
në xhepin e trikos së leshit .
E fshihja,
askush
nuk duhej
ta merrte vesh.
Prill 2026
