Manushaqe Hoxha Laçi

aty ku mali ruan plagë,
ngrihet një dritë që askush s’mund ta ndalë.
Bulqizë e së nesërmes
nuk je thjesht krom dhe gurë.
Ti je…
shkollë që hapet,
shtëpi që ndriçohet,
punë që vlerëson mundin,
jetë që nuk trembet nga galeritë.
Ju bulqizakë,
jeni të pasur me zemër,
me dijen e punës,
me dinjitet që nuk blihet.
Bulqizë,
ti ngrihesh çdo ditë,
jo vetëm me duar të lodhura,
por me zemra që s’plaken kurrë.
Në çdo dritare ndizet një shpresë e vogël,
si qiri që nuk e fik as era, as nata.
Dhe ti,
do të ngrihesh mbi dhimbjet,
ashtu si dielli që del mbi malet,
e sjell një agim më të ngrohtë.
Bulqizë,
nuk je vetëm galeri.
Ti je,
ëndërr që ende rritesh,
premtim që merr frymë,
vend ku varfëria nuk i tremb njerëzit,
sepse ata janë më të pasur
se çdo mineral nën tokë.
Ti ke zemër prej zjarri,
të pastër, të ngrohtë, të fortë.
E di se shpresa është si pranvera:
merr kohën e saj,
por kur vjen,
e gjallëron çdo gjë që prek.
Dhe do të vijë dita
kur do të flasësh vetëm me dritë,
jo me varfëri, jo me frikë,
por me mirënjohje për njerëzit që të ngritën
me duar, me shpirt dhe me besim.
Ti je një vend i vogël me shpirt të madh,
çdo zemër e bijve tu është një fanar.
Ndonjëherë dridhet, por nuk shuhet.
Bulqizë,
ti ke lindur për të qëndruar,
për t’u ngritur,
për të ecur drejt së mirës.
Dhe shpresa jote nuk është ëndërr,
por është premtim
prej njerëzve, për njerëzit.
Dhe kjo ditë do të vijë.
Sa të ketë zëra që besojnë,
duar që punojnë,
zemra që nuk tremben.
Ti Bulqizë
do të çelesh si dritë
mbi të gjithë Shqipërinë.
Se aty ku mali ruan plagë,
ngrihet një dritë
që askush s’mund ta ndalë.