POEZI NGA ANDI MEÇAJ

QYTET PA NJERËZ
I hypi një qeni
më shpie rrugicë më rrugicë,
kazan më kazan,
gjej ndonjë hedhurinë që hahet,
gjej ndonjë pikë uji që pihet,
gjej një dyshek ku flihet,
gjej një palë këpucë pak të hapura,
gjej një batanije pak të ngrënë.
Kënaqemi me ato që marrim,
ikim e ikim drejt një qosheje,
larg syve të njerëzve
që s’na shohin,
larg këmbëve të atyre
që na shqelmojnë,
larg duarve të disave
që na godasin,
larg fjalëve të helmuara
të djelmoshave
me pantallona të shkurtra,
tani pushojmë,
i jap të hajë qenit,
ha dhe vetë.
Nuk na lë një kovë
me ujë të ndyrë,
që na i vërvisin nga dritarja
aty ku rrimë.
I hypi qenit tim
që i ulërrin dritares,
i hypi durimit tim
që po merr flakë,
mbërrijmë e mbërrijmë
drejt një qoshku tjetër,
që nuk e dimë si do na presë.
Qeni im më flet
në gjuhën e tij,
duket shumë i inatosur,
më thotë:
-Në këtë qytet
nuk ka qytet
dhe ndër këta njerëz
nuk ka njerëz.
Shkurt 2024