Blerta Basha

Në Paros, këtu në ishullin ku jetoj,
Lëkundet shpirti im në detin blu.
Më tundon vendlindja jo pak as vakët,
Si zog shtegëtar dua të vij tek ju.
Malli zmadhohet e më bëhet det,
Në dritat e ishullit tret unë vetminë,
Ndërsa pres me padurim orën dymbëdhjetë,
Më ndizet shpresa për ditët që vijnë.
Në udhët e vendlindjes rinumëroj hapat,
Duke shënuar në to çdo kujtim,
I fsheh në gropat që lenë pas takat,
Unë, gruaja që nuk dorëzohet në asnjë stinë,
Është qiell i lindjes dhe qielli shpresës,
Ku lind dielli dhe tretet mbrëmjes në hënë.
Atje një yll është mbrojtësi im i jetës,
Perimetri i tij rrethon emrin Nënë.