Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Është kënaqësi e veçantë për mua që, në përvjetorin e 80-të të lindjes, ta uroj mësuesen dhe motrën Tatjana, në cilësinë e ish-nxënësit të saj.
Unë sot i përkas një brezi tjetër dhe nuk mund të jem gjykatës i kërkesave dhe vështirësive që përballuan mësuesit tanë në ato vite. Por jam dëshmitar i aftësive të tyre intelektuale, i ndershmërisë dhe i përkushtimit të palodhur në misionin fisnik të mësimdhënies. Për përpjekjet e saj ndjej respekt e mirënjohje të thellë dhe, me bindjen e nxënësit-vëlla, mësova të shihja e të ndërtoja të ardhmen. Ne nuk kërkonim dobësi te mësuesit tanë, sepse ata na mësonin dijen dhe na ngulitnin virtytet më të mira të popullit tonë.
Duke përkujtuar këtë moment, vlen t’i rikthehemi freskisë, realizmit dhe frymëzimit të mesazheve të vyera që na përcollën mësuesit tanë të talentuar e të përkushtuar. Kur kthejmë kokën pas në vite, gjejmë rreze drite që edhe sot ndriçojnë udhën tonë, forcë mendore e morale për të përballuar jetën – kjo ishte trashëgimia që na lanë ata.
Në fund të fundit, ajo që ne, nxënësit, kemi marrë nga mësuesit tanë është bërë pjesë e gjakut tonë; nuk shitet dhe nuk harrohet, pavarësisht privacioneve të kohës dhe sfidave të shoqërisë. Besimi i viteve të shkollës dhe figura e mësuesit mbeten të pashlyeshme.
Më kujtohet se gjatë një ekskursioni, një kushëri më pyeti: “Si të duket motra-mësuese, të qorton apo jo?” U përgjigja se ajo “të vret me pambuk”, por nuk t’i fal gabimet. Gjithmonë e kam vlerësuar këtë qëndrim të drejtë dhe kërkues në punën e mësueses-motër në klasat e treta dhe të katërta të shkollës fillore.
Në ato vite, arsimtari ishte intelektuali i parë në fshat e qytet, një figurë me rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe kulturore. Ata nuk ishin vetëm mësimdhënës të mirë, por edhe veprimtarë shoqërorë, përkrahës të së resë dhe të mendimit përparimtar. Në çdo hap ishin edukatorë të së mirës, të figurës morale dhe të pastër. Kjo u jepte peshë fjalës së tyre dhe i bënte të respektoheshin e të donin si “njerëz të kënduar”.
Sot, në Ramicë, duhet të ketë diell. Por edhe po të mos ketë, dielli është këtu, në zemrat tona. Nga Ramica ngrihet një rreze drite që na pushton të gjithëve: dashuria dhe mirësia jonë për mësuesen-motër Tatjanën. Një mjergull e bardhë kujtimesh të bukura rri varur mbi supet e së kaluarës sonë të përbashkët.
Ju mësuese Tatjana ende nuk e keni mbyllur misionin Tuaj, sepse ne kemi ende “borxhe” ndaj teje. Kujtimet dhe mirënjohja do të na mbajnë gjithmonë në lëvizje dhe në reflektim.
Duke të uruar sot, ndihem krenar që kam mësuar abc-në nga mësuesja-motër dhe që fillesat e dijes i mora në bangat e shkollës 8-vjeçare “Sadik Zotaj” në Ramicë të Vlorës, në krahinën e bukur e të shtrenjtë të Smokthinës.
Urime dhe gëzuar 80-vjetorin e lindjes, motra dhe mësuesja ime e dashur, Tatjana!