Duke pritur ty…Vullnet Mato

Vullnet Mato
DUKE PRITUR TY…
Syri u bë zog,
turret rreth e qark.
Veshi u bë ketër,
përgjon deri larg.
Zëri u bë pus,
hesht në thellësi.
Zemra u bë frut,
pikon ëmbëlsi.


Truri numëron
hapat që ti hedh,
sekonda në gjak
shkëndija po ndez.


Dhe ja tek dukesh,
porsi yll i largët.
Rrëshqet me shpejtësi,
po vjen fare afër;


Natës i dhe muzg,
muzgut i dhe dritë,
dhomën e mbulove
me shkëlqim kozmik.


Tek unë u lëshove,
gjithë elektrizim.
Kometa “Halley”
shkrive n’prehrin tim…


Ah, sa të kam pritur,
oh, sa të kam pritur,
sa, po të isha i vogël,
do bëhesha i rritur!
Tani që të kam,
nga muzgu në mëngjes,
s’të lë të bëhesh kometë,
deri sa të vdes!...