
filmi:”Rrugë të bardha”tregimi i V.Koreshit
Gezim Llojdia
1.
Kush e ka parë filmin shqiptar“Rrugë të bardha”?A ju ka ndodhur që pas shikimit të tij, pyetjet të fillojnë të ngrihen vetvetiu?
-Çfarë ndjesish dhe përjetimesh ju ka lënë ky film, i xhiruar në thellësinë e dimrit shqiptar, mes dëborës dhe akullit?
“Rrugë të bardha” është një film është një udhëtim në heshtjen e maleve.Dhe një reflektim mbi sakrificën e njerëzve të thjeshtë dhe një kujtesë e gjallë për kohët kur lidhjet njerëzore vareshin nga një tel telefoni dhe zëri i një centralisteje.Por dhe të kuptojmë pse edhe sot, pas shumë vjetësh, “Rrugë të bardha” mbetet një kujtim i gjallë në historinë e kinematografisë shqiptare.Ky film shqiptar ka qenë ndër më të shikuarit e kohës së vet dhe, edhe sot mbetet një nga veprat e rralla kinematografike shqiptare që të fton ta ndjekësh me vëmendje.
2.
E diel, 9 prill 1967. Gazeta kulturore e kohës, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”botoi një tregim të jashtëzakonshëm me titull:“Si një këngë që u këndohet trimave.”Autori:shkrimtari Vath Koreshi.Një emër i njohur për fuqinë emocionale të prozës së tij dhe për ndjeshmërinë me të cilën i qaset figurës së njeriut të thjeshtë, por heroik.Tregimi mban një dedikim që vetë tingëllon si një himn i heshtur.
“Fillrojtësit trim, Pjetër Llesh Doda, që ra në krye të detyrës.”Është një përulje e thellë përballë një jete të thjeshtë.Një kujtesë ku heroizmi është në fjalët por në hapat e heshtur që shkelin borën për të mbajtur gjallë një fije zëri.Është poezi e shkruar në prozë. Dhe në secilën fjalë të saj ndjehet përkushtimi, respekti, dashuria për figurën e një njeriu që jetoi dhe iku në heshtje, por që la gjurmë të thella.
…Ja disa pasazhe nga ky tregim, të mbushura me figuracion, mall dhe nderim.
…Një herë në dy-tri ditë në deriçkën e oborrit të postës hynë një njeri me rroba tërë baltë me një të ecur të lodhur e të ngadaltë. Prapa tij perëndon dielli dhe ai hedh mbi çakullin e udhëzës mes gëmushave të trëndafilave, një hije të gjatë e të stërmadhe. Fytyrën eshtake e ka të argasur nga erërat e cikmat e maleve,në sup i varet një aparat prove e në brez i tringëllijnë kambalecat e hekurit, që i bien gjer tek kofshët.Është fillrojtësi i linjës telefonike, që kthehet nga puna,që pyet në postë si vjen zëri e që pastaj shkon në shtëpi, po nëpër atë udhëz të shtruar më çakëll…
Dhe ne e pwrfytyrojmw kwshtu:Në sup i varet një aparat prove, në dorw tringëllijnë kambalecat prej hekuri .Është aifillrojtësi i linjës telefonike.Kthehet nga puna i heshtur, ndalet në postë për të pyetur me zë të ulët: “Si vjen zëri?”, dhe më pas nis rrugën drejt shtëpisë. Po nëpër atë udhëz të shtruar me çakëll, ku çdo hap i tij është një dëshmi përkushtimi.”Ky fragment nuk tregon vetëm për një njeri. Tregon për një brez të tërë që ndërtoi jetën mbi sakrificë. Është një ftesë për ta ndjerë heshtjen e atij hapi të ngadaltë, për ta dëgjuar tringëllimën e kambalecave si një këngë për punën, për nderin, për detyrën. Një këngë që nuk këndohet me zë por që dëgjohet në shpirt.
-O erdhe xha Liko- i thërret centralistja nga dritarja.Zëri i saj kumbon gëzueshëm e fillrojtësi e kupton, që atje tej se punët venë mirë.Kjo do të thotë se linja është në rregull dhe se zëri shkon e vjen për bukuri.Ndryshe nga centralistja një vajzë e re plotë prenka të kuqe në fytyrë, nxjerr kokën në dritare dhe thotë:
-Aman mor xha Liko! Vdiqëm me këtë të shkretë linjë ,na plasi.Por sot në këtë mëngjes të ftohtë dhjetori centralistja qëndron parapa shpinës së Likos dhe heshtë…
-Alo ,Alo!
-Hë ti xha Liko je?
-Unë moj çupë unë jamë.A vjenë zëri?
-Po vjen xha Liko vjen.Po ku je mor xha Liko se na bëre merak.Po erret dhe ti akoma je andej…Kështu vijon tregimi me thëniet e njohura nga dialogu mes centralistes dhe xha Likos,që janë batuta të njohura në film.
Ky dialog, me thjeshtësinë e vet, është bërë tashmë pjesë e kujtesës së një brezi. Janë batuta të njohura nga filmi “Rrugë të bardha”, të lindura nga tregimi i Vath Koreshit, që ngërthen në to jo vetëm një moment teknik, por një lidhje njerëzore të ndjerë, të vërtetë.
3.
Kush ishte fillrojtësi?Fillrojtësi.
Emri: Pjetër Llesh Doda
Vendbanimi: Domgjoni i Fanit,Mirditë.
Dita e largimit nga jeta: 31 dhjetorit 1966.
45 vjeç.
I martuar me pesë fëmijë.
Një jetë e heshtur, e përkushtuar, e ndërtuar mbi sakrificë.Ai ishte vetëm një punonjës i linjës telefonike dhe ishte nyja lidhëse e urës që bashkonte njerëz dhe lajme, jetë dhe shpresë.Por në thelb të saj qëndron zëri i një njeriu që, mes borës, dhe errësirës,nuk e ndërpreu asnjëherë detyrën.Ky është xha Liko. Ky është Pjetri.Ky është njeriu i zakonshëm që bëri një jetë të jashtëzakonshme.
4.
…Si e kujtojmë Pjetrin? Rrëfimi i tyre, marrë nga faqja: “Aktorët shqiptarë”.
…“Im atë quhej Pjetër, Pjetër Llesh Doda. Ishte 45 vjeç dhe në atë kohë ne banonim në fshatin Domgjon të Mirditës”, rrëfen rehatuar në një kolltuk në shtëpinë e vet dykatëshe në Kamëz, Zef Lleshi, pikërisht ai djali 5-vjeçar që në ngjarjen reale, mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, shoqëroi të atin deri në fund të shtëpive të fshatit. Familja e varfër kishte si burim jetese pikërisht rrogën prej fillrojtësi të Pjetrit, ndërkohë që gruaja e shtëpisë, Liza, nuk punonte, pasi kujdesej për fëmijët, më i madhi 8 vjeç dhe më të vegjlit, dy binjakë motakë, djalë e vajzë.Ndërsa Zefi ishte djali i madh nga tri të tillë. Prandaj i ati kishte pranuar që vocërraku ta shoqëronte deri në fund të fshatit në rrugën e pakthim. “Ishte mëngjesi i ditës së festës së Vitit të Ri, 31 dhjetori 1966, kur Pjetri u bë gati, veshi çizmet e mori pajimet, këmbalecët, mushamanë, aparatin telefonik dhe u nis për në punë.E kishin lajmëruar se linja me Kukësin ishte prishur. Duke u veshur më tha që të shtroja tryezën dhe darka e festës së Vitit të Ri të niste edhe nëse ai do të vonohej”, rrëfen Liza, bashkëshortja e Pjetrit, që tashmë jeton me njërin nga djemtë në Durrës. Gruaja shpjegon se në kohën kur Pjetri humbi jetën ishte vetëm 29 vjeçe dhe se drithërohej sa herë që i ai nisej nëpër borë të rregullonte linjën telefonike me Kukësin.
…“Ik e martohu se sivjet do ngel në borë”, i kishte ngrirë ai gjakun edhe atij mëngjesi.
“Kështu më thoshte gjithmonë sa herë nisej në punë, ndërsa unë bëhesha gjysmë njeriu duke e pritur. Sepse e dija se mund të ndodhte”, rrëfen gruaja që, përkundër asaj dëshire për humor të të shoqit, nuk u martua kurrë pas vdekjes së tij duke ia kushtuar jetën rritjes së fëmijëve. Sipas Lizës, me Pjetrin ishin martuar me shkuesi, por gjithsesi ajo e kishte njohur edhe më parë fillrojtësin. Në kohën që ndodhi ngjarja ata ishin duke ndërtuar shtëpinë e tyre në Domgjon të Mirditës, madje sapo ishin futur në dhomën e vetme të rregulluar.
“Nuk kthehem pa e lidhur linjën”, kishte qenë fjala e fundit që nëna e pesë fëmijëve ka dëgjuar nga bashkëshorti. Një vendim që në ato kohëra përzihej me kurajon e malësorit për të realizuar gjithçka të mundshme, por edhe me kërkesat e kohës, pasi ajo linjë telefonike ishte lidhja e vetme me Kukësin, ai fill i hollë prej metali bakri mbante gjallë, mbante me shpresë, gjithë zonën e rrethuar nga bora. Por në pritje që Pjetri të kthehej, fëmijët dhe nëna e tyre do shtroheshin në darkën e Vitit të Ri pa njeriun e tyre të afërt. Ndërsa ushqimi ishte konsumuar si në darkë zie. Gjatë gjithë natës Liza nuk vë sy në gjumë duke menduar më të keqen, ndërkohë që në mëngjes, lajmi se linja me Kukësin ishte rregulluar i kishte sjellë shpresë.
Kohë të vështira. Rivendosja e lidhjes me Kukësin dhjetë orë pasi Pjetri ishte larguar nga shtëpia, pra në mbrëmjen e ditës së fundit të vitit 1966, kishte zgjuar shpresat e familjes Leshi një ditë më pas. Por nuk ishte e thënë që Pjetri të kthehej as gjatë gjithë ditës dhe natës tjetër. Dikur ishin hapur fjalë se ai ishte arratisur për në Jugosllavi. “Pas një jave i thanë nënës se dyshohej që Pjetri kishte tradhtuar atdheun për t’u arratisur”, rrëfen Zefi, djali i madh i fillrojtësit nga Domgjoni. “Një javë pas zhdukjes së Pjetrit në fshat erdhën ata të Sigurimit të Shtetit dhe u hapën fjalë se e gjithë familja jonë do të arrestohej”, tregon Liza duke këmbëngulur se në të njëjtën kohë ishte gëzuar shumë. “Unë kërcënimin që po na vinte e mora me gëzim. U gëzova, pasi mendova se Pjetri ishte gjallë. Sepse ata të Sigurimit kishin mundësinë e informacioneve të sakta”, rrëfen gruaja që i ishte përgjigjur njeriut që i kishte sjellë lajmin: “Vetëm të jetë gjallë Pjetri, pa le të shkoj në burg”.
Kërkimet kishin nisur pas një jave të shkuar. Grupe të ndryshme nga fshati ishin nisur të kërkonin gjurmët e Pjetër Lleshit duke ndjekur linjën e shtyllave që mbanin telat e telefonit. E njëjta linjë, nga Fani në drejtim të tunelit të Thirrë-Kalimash, ku tashmë po ndërtohet autostrada Durrës-Kukës. Por penguar edhe nga bora që atë dimër kalonte mesataren 2 metër trashësi, njerëzit që kërkonin nuk kishin pasur fat të gjenin trupin e fillrojtësit. Ai ishte gjetur vetëm pas pesë javësh, në Kolsh të Kukësit, në fillim të shkurtit 1967, nga një bari dhe falë shkrirjes së borës.
“Çobani e gjeti të padëmtuar. Gojëdhënat e zonës thoshin se trupi i njeriut nuk prishet derisa ta shohë dikush. U gjet i ruajtur nga bora, nën njërën nga shtyllat. Grupe të shumta kërkuesish i kishin kaluar sipër pa e vënë re”, rrëfen Zefi, i biri.
“Erdhën përfaqësuesit e shtetit që më dhanë lajmin e gjetjes së trupit të Pjetrit. Erdhën nga Kukësi, pasi Tirana ishte larg dhe rrugët ishin të bllokuara nga bora”, rrëfen Liza, një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Një moment kur mendja kishte nisur t’i bënte llogari të vështira. Kishte pesë fëmijë të mitur për të rritur krejt e vetme. Ndërsa kohët ishin të papërballueshme mes një varfërie ekstreme dhe përpjekjesh për të siguruar vetëm mbijetesën. Trupi i Pjetrit kishte mbërritur për tu varrosur në Domgjon të Mirditës nga Kukësi, pasi i ishte bërë autopsia zyrtare. Kishte mbërritur i mbyllur në arkivol, ndërsa Liza dhe prindërit e Pjetrit, të cilët ishin ende gjallë, nuk kishin këmbëngulur ta hapnin.
“Nuk këmbëngulëm se na thanë që trupi është i dëmtuar. Por edhe nuk e hapëm që të mos e shihnin dashakeqët”, rrëfen Liza. Shpejt lajmi i gjetjes së fillrojtësit të ngrirë, pasi më parë kishte mundur të bënte punën e vet duke lidhur linjën e dëmtuar telefonike me Kukësin, kishte rënë në vesh të krerëve të shtetit komunist në Tiranë. U kishte rënë në vesh në një kohë kur propaganda raste të ngjashme i kërkonte me qiri. I kërkonte për t’i bërë shembuj, frymëzim për të tjerët. Shembuj frymëzimi për të drejtuar turmën atje ku ata kishin paracaktuar të shkonte. “Varrimi u bë madhështor. Me shumë respekt. Ndërsa Enver Hoxha na dërgoi dhurata”, rrëfen Zefi që edhe pse në atë kohë ka qenë vetëm 5 vjeç, betohet se pamjet vizive të ngjarjeve i ka shumë të qarta.
Ndihma nga shteti nuk kishte vonuar të dukej. Sipas Lizës, kooperativa kishte marrë një fond për rregullimin e shtëpisë së mbetur në mes të fillrojtësit Pjetër Lleshi. “Shtëpia u bë model. E beri shteti me fondet e veta. Më të njëjtin fond u blenë edhe pajisjet e mobilimit të brendshëm. Kuptohet, mobilim si në fshat”, sqaron Zefi. Bashkë me këto lëvizje, shteti komunist kishte ndihmuar pafundësisht familjen mirditore të mbetur në pikë të hallit pas vdekjes së burrit të shtëpisë. Me urdhër nga lart e shoqja, Liza, ishte punësuar si centraliste, një vend pune që kishte lidhje me atë të të shoqit të vdekur, ku kishte shërbyer edhe pas fitores së demokracisë, deri më 1994. Por edhe fëmijët ishin ndihmuar për arsimim. Fëmija më i madh i Lizës dhe Pjetrit, që ishte vajzë, ishte dërguar nga shteti të përfundonte shkollën pedagogjike, ndërsa vetë Zefi kishte mbaruar gjimnazin për të nisur punë si gjeolog. Surprizat nuk kishin të sosur.
Në të njëjtën periudhë në shtëpi troket edhe një letër e shkruar nga vetë Enver Hoxha. “Në letër ai shkruante për aktin heroik të babait e të tjera të ngjashme. Letrën e kam ruajtur deri vonë, por për fat të keq më ka humbur bashkë me do sende të tjera gjatë kohës kur ndërruam vendbanim”, shpjegon i biri i fillrojtësit Pjetër. Gjithsesi nuk kishte mbaruar këtu, sepse pak kohë më pas kooperativës i kishte mbërritur edhe një kamion “ZIS”, krejt i ri, si dhuratë për aktin heroik të Pjetër Lleshit, shoqëruar nga porosia që të reklamohej si dhuratë e dërguar nga vetë Enver Hoxha. Njëkohësisht kooperativa e Domgjonit kishte marrë emrin “Pjetër Llesh Kola”…
5.
Poezia e Ismail Kadares.
Në 21 maj 1967 shkrimtari dhe poeti ri Ismail Kadare ka shkruar në gazetën :”Drita’ këtë poemë të shkurtër titulluar :
”Fillrojtësit”,Pjetër Lllesh Doda.
Ja disa vargje nga poezia e Kadaresë.
…Sa herë që ngre receptorin e telefonit
Më duket dorën tënde.Pjetër kap.
Alo.Është vonë e di.
Ti ke rënë diku në dëborë,tej një gryke .
Bëj një mundim të fundit ngrije receptorin
Si ushtari i vjetër armën besnike
Alo…
Por ty dora të ka ngrirë.
Ti s’lëviz më
Ti që gjithmon përgjigjeshe:” jam këtu
Tani s’je më askund.
Je kudo.Kudo përherë në ecje
Nën telat e gjatë, që ikin drejt peizazheve të shetësuara
Nën biseda të ngrohta njerëzore, si nën çatin më të bukur
Na ikën e na ikën gjithmonë
Të themi “kthehu’ e s’kthehesh…
6.
Filmi “Rrugë të bardha”.Nga rrëfimi te aktorët shqiptar;
…“Ne nuk dinim asgjë deri në kohën kur në shtëpi na erdhën nga Kukësi ca përfaqësues të Komitetit të Partisë dhe na thanë se për Pjetrin ishte bërë një film”, rrëfen Liza. Ndërsa sipas Zefit, filmi ishte realizuar në vitin 1973, pra rreth 6-7 vjet pas ngjarjes. Por filmin fillimisht do ta shikonte vetëm Liza, për të cilën ishte dërguar një makinë nga Kukësi. “Filmi më rikujtoi Pjetrin. Ishte e dhimbshme. Mos më pyesni kot, se nuk qava. Kisha qarë boll deri në atë kohë dhe nuk më dilnin më lot. Pastaj njeriu duhet të durojë. Unë jam mirditore dhe kam ruajtur respekt për zakonet. Në ato kohëra gratë nuk duhet të përloteshin”, rrëfen gruaja e fillrojtësit. Fëmijët e kishin parë filmin pak vite më vonë, më 1977, ndërsa surpriza më e madhe ishte shënuar në dasmën e Markut, djalit të dytë të Pjetrit dhe Lizës.
“Në dasmë na erdhi vetë Rikard Ljarja me ca të tjerë të Kinostudios. Ishte një ditë e vërtetë gëzimi, sepse Rikardi me figurën e vet në film, na dukej si ta kishim baba të dytë”, rrëfen Zefi duke shtuar se marrëdhëniet me artistin e njohur i ka ruajtur deri vonë. Mbërritur në erën tonë, historia vetësakrifikuese e Pjetër Lleshit, pothuaj është harruar. Harruar nëse shumëkush nuk do të përdorë capak batuta nga filmi si
“Alo Dedë?”
apo “Na ishte se ç’na ishte, na ishte një njeri që çante arra tek dera e kinemasë, kush na ishte?
Dedaaa…”.
Ose, ose përdorimi i asaj shprehjes krahasuese:
“Ngriva si Deda majë shtyllës”.
Por kaluar perceptimit kolektiv, në jetë ka ende një grua të vjetër, e veja e ish-fillrojtësit real, historia e të cilit u bë film, e cila bluan në mend më shumë se këto batuta. “Më vjen shumë keq që tashmë historia dhe sakrifica e Pjetrit është harruar nga e gjithë shoqëria. Atij nuk i përmendet më emri kurrkund. Madje thonë se edhe dokumentet për aktin e tij në dobi të shtetit kanë humbur që të gjitha. Por tani nuk ka më mirënjohje. Ajo është varrosur”, përfundon Liza…
7.
Filmi:”Rrugë të bardha”.Prodhim i Kinostudios:”Shqipëria e Re”,viti i prodhimit- 1974.
Regjizor :Viktor Gjika
Skenari:Vath Koreshi
Muzika:Limoz Disdari
Kameraman: Lionel Konomi
Interpretojnë
Rikard Ljarja, Deda
Elida Cangonji, Zana
Ilia Shyti, Xha Rizai
Robert Ndrenika, Ganiu
Sali Doçi, Mezani
Minella Borova, Bato
Agim Qirjaqi, Profesori
Lec Bushati,Fshatari
Në episode.
Antoneta Fishta, Nëna.
7.
Një histori e bukur, e interpretuar mjeshtërisht nga disa prej aktoreve të kinematografisë shqiptare.Një film i papërsëritshëm, që edhe sot, pas dekadash, të fton ta shikosh me ëndje, me mall, me admirim.Edhe pse është xhiruar në një kohë e nën një regjim jo gjithmonë tolerant ndaj lirive krijuese, në këtë film gjithçka rrjedh natyrshëm pa retorikë të zbrazët.
Është vetë jeta që flet përmes borës, heshtjes, përmes zërit që udhëton në telat e akullt të dimrit.
Në qendër të frymëzimit është akti i guximshëm i fillrojtësit Pjetër Llesh Doda, 45-vjeçar, nga Domgjoni i Fanit, që ra në krye të detyrës më 31 dhjetor 1966.
Shkrimtari Vath Koreshi, i ndjeshëm ndaj këtij akti, solli në letër një tregim të frymëzuar nga ngjarja reale.Por në shiritin e celuloidit kjo histori merr një trajtë tjetër më poetike, më simbolike, më universale.
Personazhi Deda, që mund të jetë vetë Pjetri, paraqitet si një figurë që vjen nga thellësia e maleve, nga fshati, për të shërbyer me përkushtim në një qytet të vogël verior, mbërthyer nga suferina dhe dëbora pa mbarim.Në atë postë të vogël e të ngrohtë.Dhe që sfidon të ftohtin e pamëshirshëm të dimrit alpin, e pret një vajzë e re, centralistja, me një zë të ëmbël dhe fytyrë të ndritur, që ndriçon më shumë se vetë dritat e zbehta të postës.
Aty gjendet dhe Gëzimi një poet i përhumbur që shkruan vargje mes akullit e borës, si për të ngrohur shpirtin.Një grua e sëmurë shpëtohet falë përkushtimit të Dedës. Një grup të ardhurish gjejnë strehë në një godinë alpine ku jeta rrjedh me të qeshura, me shaka, me njerëzillëk.Është një ambient i ngrohtë mes të ftohtit ekstrem një mikrokosmos njerëzor që sfidon vetminë, dëborën dhe egërsinë e natyrës.Rrugët janë të bllokuara por jo rrugët e shpirtit.Një bardhësi e dendur përmbi qytetin alpin një bardhësi që mbulon gjithçka, që s’e mbulon dot dashurinë për jetën, sakrificën, njeriun.
“Rrugë të bardha” është thjesht një film. Është një kujtesë. Është një përulje para një figure të thjeshtë, që bëri një akt të madh. Është një këngë e bardhë, e kthyer në kujtim për një kohë që iku që nuk harrohet. Një bardhësi përmbi qytetin alpin.
8.
Ato emërtoheshin zyrtarisht PTT Postë, Telegraf, Telefon por për ne, thjesht, ishin posta.Të gjithë i njihnim ato godina me ngjyrë jeshile të zbehur, mure që mbartnin zërat dhe pritjet tona. Brenda tyre, kabina druri me numra të mëdhenj: 1, 2, 3… një botë e veçantë, ku çdo fjalë e thënë përmes telefonit mbante emocion.Kabinat kishin nga një derë që hapje ngadalë, sikur po hyje në një vend të shenjtë sepse, në një mënyrë, ishin të tilla.Në brendësi, punonte një central i vogël me fishat e tij, që për ne fëmijët ishin një mister i vërtetë. Ishim të mësuar me thirrjet karakteristike të centralisteve:
-Alo!
Nuk punojnë linjat moj shoqe…”
-Ora 15: Kabina nr. 2.
-Me jugun… kabina nr. 4…
-Me Tropojën… s’ka linjë!
-Me lidhini me jugun shoqe,kabina s’ka linjë,ose nuk dëgjohet mirë!
-Ç’të bëjnë ne është kohë e keqe dhe linja nuk punon.
-Shok mbaroni shpejt se është radha e thirrjes së orës…
…
Këto ishin vetëm fraza teknike.Ishin ritmi i ditës,zëri i lidhjes midis njerëzve që jetonin larg, por prisnin me ankth një “alo” të thjeshtë.
Mbaj mend postën e madhe të kryeqytetit. Ishte si një stacion i zhurmshëm emocionesh. Plot me kabina. Ne, që prisnim me orë të tëra,që të vinte thirrja. Fytyra të përkulura drejt dritares, veshët në pritje të një “je në linjë”.
Dhe Dedat ata burra të heshtur, që i njihnim nga kambalecat e hekurta dhe aparatet e zinj me leva që rrotulloheshin. Ata ishin heronjtë tanë të heshtur, që përmes borës, shiut, baltës, ecnin kilometra për të kontrolluar telat që shtriheshin tej e tej si damarët e një trupi të gjallë që lidhte vendin.Në fëmijërinë tonë, filxhanët izolues që mbanin telat na duken thjesht si lodra. I thyenim për lojë, pa e kuptuar se ishin pjesë e një sistemi që mbante të gjallë lidhjen ndërmjet njerëzve.Tani, gjithë ky mekanizëm i madh, me tela, shtylla dhe fisha, është zëvendësuar nga një aparat i vogël celulari.
Asgjë nuk fishkëllen më Asgjë nuk tringëllin. Asnjë fishë nuk kërkon më dorën e një njeriu, që di si t’i lidhë fijet.Aparatet e atëhershëm tani ndodhen në muze. Bashkë me to, edhe një pjesë e shpirtit tonë.Sepse në një kabinë telefoni nuk komunikoje thjesht prisje, shpresoje, mbaje frymën, lidhe zemrën.
9.
Zana e bardhë mes dëborës dhe Elida Cangonji në “Rrugë të bardha”.Filmi “Rrugë të bardha” nuk është i bukur vetëm falë interpretimit mjeshtëror të Rikard Larjes, një nga aktorët më të njohur të kinemasë shqiptare në vitet ’70, me një galeri rolesh të paharrueshme.Jo. Ajo që i jep filmit një dritë të veçantë, një ndjeshmëri delikate, është centralistja bukuroshe Zana një emër që për shumë shikues është bërë sinonim i ngrohtësisë dhe ëmbëlsisë.Në të vërtetë, pas këtij personazhi qëndron aktorja Elida Cangonji.Kur sheh filmin, është e pamundur të mos të mbetet në mendje prania e saj zëri i saj i qetë, sytë e kthjellët, dhe fytyra e pastër si dëbora që e rrethon. Ajo është ajo vajza e postës, që pret me fishat në dorë, që përjeton dimrin e gjatë e të acartë .Elida Cangonji, në këtë film, është një figurë që të mbetet në kujtesë si një kujtim i bukur nga një kohë e ftohtë,por njerëzisht e ngrohtë.
Për bukurinë dhe natyrshmërinë e saj në këtë rol, mund ta krahasojmë me njw aktore si Katerina Xhons një bukuri klasike, e thjeshtë, por magjepsëse.Të mos harrojmë se filmi është xhiruar në kushte jashtëzakonisht të vështira, në veri, në mes të dimrit, mes dëborës dhe acarit, në një kohë kur arti ishte i mbështjellë me kufizime e censurë.Aktorët nuk kishin luksin e lirive që kemi sot. Nuk kishin kostume të sofistikuara, as dritë të mjaftueshme, as teknologji të avancuar. Kishin vetëm përkushtimin. Dhe pikërisht ky shpirt ndjehet edhe sot, kur e shikon këtë film në sistemin dixhital, me një cilësi të përmirësuar .
Elida Cangonji, me lojën e saj të pastër, me bukurinë dhe hijeshinë e thjeshtë, është Zana që mbetet një kujtim i bardhë mes dëborës. Si një dritë, që nuk fiket.Me një kamerë plotë dritë me lojë e bukur të aktorëve natyrshëm bazuar mbi një skenar të një shkrimtari të madh si :Vath Koreshi.
Elida Cangoni.Lindur në 31 tetor 1953 në Tiranë. Larguar nga jeta në 28 nëntor 2016.Ishte një mjeke aktore brilante me pak role, por tepër e spikatur.
Filmografia
Në kufi të dy legjendave – (1981) – Eleni
Njeriu me top – (1977)
Rrugë të bardha – (1974)….Zana
Shtigje lufte – (1974)
Në fillim të verës – (1975)…..Vera
Shpërthimi – (1974)
10.
Diku, mes borës që binte pa pushim dhe heshtjes që e mbulonte qytetin si një batanije e ftohtë.Dhe një njeri ecte vetëm, me kambalecat që tringëllinin në rrugët e ngrira .Një fillrojtës, që jetonte për t’i lidhur njerëzit me njëri-tjetrin edhe kur gjithçka ishte e shkëputur nga bora, largësia dhe koha.
Filmi “Rrugë të bardha” është thjesht një vepër artistike e realizuar në kushte të vështira. Është një dëshmi njerëzore për sakrificën, përkushtimin dhe bukurinë që lind edhe në realitetin më të ftohtë.Një fillrojtws humbet jetwn për të rregulluar linjat ,por sepse kjo ishte detyra e tij, dhe ndërgjegjja e tij.Një vajzë në një central të vogël.Dhe një grup njerëzish në një qytet të vogël, dhe mbi të gjitha, një histori e madhe në heshtje.
Në fund, borën mund ta ketë shkrirë koha.Linjat mund t’i ketë zëvendësuar teknologjia. Por ajo ndjenjë ,ajo lidhje shpirtërore që ky film përcjell mbetet.Sepse janë disa rrugë, që edhe kur mbulohen nga dëbora, ato harrohen .