Xhemil Duka dhe mandolina e lirisë-Albert Habazaj

 

Albert Habazaj

 

Rrëzë maleve të larta të Lumit të Vlorës

Pushka dhe pena binjake kanë qenë,

Dhe bijtë e Vranishtit si zogjtë e shqiponjës

Emër me firmë në histori kanë lënë.

 

Nga Gurra e Vranishtit e kthjellët, e kulluar

Janë lartuar bredha të blertë, të bukur,

Një nga ata edhe Mësuesi i Merituar

Me “syrin në belxhik” që s’ luftoi për t’u dukur.

 

Nga rrënja – fisnik në udhëtimin për dritë

Shndriti për brezat Xhemil Veli Adem Duka,

Ajo derë e bardhë Plakun e Flamurit ka pritur

Në atë derë bujare kombëtare qe buka.

 

Dy abetaret e shenjta të Ismail Qemalit

Miku i Halim Xhelos dhe Jani Mingës

Ua mësoi Pishtari fëmijëve të fshatit

Me zë e shpirt dhe tingujt e mandolinës.

 

Ato abetare të Naum Veqilharxhit

Sa zjarre ndezën në Labëri e Vlorë,

Mësuesi në çetën e Sali Kapedanit

Luftoi si trimat me armë në dorë.

 

Ai që prind i dytë u bë për vogëlushët,

Ai që si vëlla i mësonte banorët e Lumit,

Ai që si kreshnik në zemra ndezi prushe,

Që me dritën e tij ia preu fuqinë plumbit.

 

Para tij Merçan Qejvani e Daut Seferi,

Dy llambadarë heroikë të arsimit,

Xhemil Duka me shtatë ngjyrat e ylberit

U shfaq në qiellin me vetëtima të Vranishtit.

 

Dhe stafeta e tij kalon nga bredhi në bredh

Dhe Vranishti me supe në mal të krenarisë,

“Do filloj duke menduar” vargje derdh

Me tingujt ëmbël të mandolinës së lirisë.

 

Tiranë, 04.04.2026