
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë “Në korridor”, Natasha Lako nis nga një hapësirë e thjeshtë, pothuaj e padukshme, për të hapur një përjetim të thellë njerëzor. Korridori nuk mbetet vend kalimi, por bëhet një vijë e brishtë ku takohen ardhjet dhe largimet, pritja dhe kujtesa, heshtja dhe dashuria. Sendet qëndrojnë aty të qeta, por mbartin kohë, hapa dhe mungesa, ndërsa çasti zgjatet si një frymëmarrje e ndalur mes dy njerëzve. Poezia ndërton kështu një hapësirë intime ku imazhi, ndjenja dhe koha shtresëzohen ngadalë, duke e kthyer përvojën e zakonshme në përjetim shpirtëror. Ndoshta pikërisht sepse gjithçka ndodh në një hapësirë kaq të vogël, poezia arrin të hapë një brendësi që lexuesi e ndjen sikur e ka përjetuar dhe vetë.
1. Poezia hapet pa ngjarje të dukshme, duke vendosur lexuesin përballë një hapësire të vogël që mbart një ngarkesë të brendshme ndjesore. Që në vargjet e para, sendi dhe vendi nuk shfaqen si elemente të zakonshme, por si shenja të një përjetimi që sapo nis të marrë formë.
Te vargjet: “Vetëm një varëse në korridor,
atje në çdo stinë”
korridori nuk shfaqet thjesht si vend fizik, por si një vijë e hollë që ndan e bashkon ardhjen me largimin si një prag i padukshëm i jetës së përditshme. Është një nga ato hapësira që në jetë i kalojmë pa i parë, por që në poezi fillojnë të na shohin ato neve. Ai shfaqet si një hapësirë ku edhe hapat hezitojnë, sikur të ndalonin për të dëgjuar veten para se të vazhdojnë.
Varësja rri aty si një prani e qetë, pothuaj e gjallë në heshtjen e saj, si një roje që nuk flet por mban mend, si shumë sende që në jetën tonë dinë më shumë se ne vetë. Në të nuk varen vetëm rrobat, por edhe kthimet dhe mungesat që nuk thuhen lehtë.
“një plaçkë që tregon udhët varet”
dhe këtu sendi nuk mbetet send, por kthehet në kujtesë që rri pezull. Korridori, pa u zgjeruar në dukje, zgjerohet brenda vetes si një hapësirë që e thith jetën ngadalë.
2. Figura e tjetrit vjen e përzier, si një prani që nuk shpjegohet plotësisht, por ndjehet si gjendje. Ai hyn në korridor duke mbartur mbi vete dy skaje të jetës.
“herë i lagur nga qielli,
herë i lyer nga balta”
Ai nuk është as vetëm i lehtë, as vetëm i rënduar, por një trup që i mban të dyja bashkë, si dy kujtime që nuk ndahen dot dhe pikërisht nga kjo përzierje lind prania njerëzore e poezisë.
Pastaj ndodh një kthesë e qetë, por e thellë:“fytyra jote bëhet qiell” dhe këtu fytyra nuk qëndron më si kufi i trupit, por hapet si hapësirë. Është sikur ndjenja ta ketë shtyrë formën e saj përtej vetvetes, duke e kthyer njeriun në një hapësirë më të madhe se vetja.
3. Në poezi koha nuk ecën në mënyrë të zakonshme, por ndalet dhe zgjerohet brenda vetes, si të mos pranonte të kalonte pa lënë gjurmë.
“ka një sekondë të madhe,
ka një sekondë në korridor”
dhe kjo sekondë nuk është më matje, por përjetim që mban brenda vetes gjithë peshën e takimit. Kjo sekondë duket sikur nuk i përket më kohës së orës, por kohës së zemrës.
Ajo rri pezull, si një pikë uji që nuk bie, sepse rënia do të ishte fundi i çastit.
“Me asnjë çast dashurie
s’mund ta këmbesh këtë”
dhe këtu koha bëhet e pakëmbyeshme, sepse ka kaluar nga matja në ndjesi.
4.Marrëdhënia “unë – ti”nuk ndërtohet mbi fjalë, por mbi një ndjeshmëri të qetë që e njeh tjetrin para se ai të afrohet. .
“unë i ndjej që larg,
kollën tënde dhe hapat”
dhe këtu dashuria nuk shfaqet si shikim, por si dëgjim i brendshëm që kap shenjat më të vogla të pranisë. Vërtet dashuria shikon para se të shohin sytë. Ajo nuk flet, por njeh. Si në jetën reale, ku dashuria shpesh na njeh përpara se ne ta kuptojmë se po dashurojmë. Nuk kërkon prova, sepse njohja e vërtetë ndodh përpara arsyes, por mjafton një ritëm, një tingull i njohur, që gjithçka të bëhet e afërt. Kjo afërsi nuk ka nevojë për plotësi fizike, sepse lind nga një kujtesë që zgjohet vetë.
5. Kjo poezi nuk qëndron në një gjendje të vetme, por lëviz dhe i bashkon gjendjet në një rrjedhë të vetme.
“Mblidhet vera dhe dimri,
malli dhe pritja, puthja dhe vrulli”
dhe këtu stinët nuk ndahen më, sepse ndjenjat kanë humbur kufijtë e tyre dhe janë përzier në një hapësirë të përbashkët. Dashuria nuk shfaqet e qetë, por e gjallë, e përzier, si një frymëmarrje që nuk ndalet dhe që e mban poezinë në një gjendje të vazhdueshme lëvizjeje.
6. Nga një hapësirë e vogël korridori, nis një lëvizje që shkon përtej saj, duke e kthyer vendin e kalimit në vend nisjeje.
“në korridor nis dashuria rrugët e mëdha,
hapat e para ose të fundit”
dhe këtu gjithçka mbetet e hapur, sepse nuk ka më kufi të qartë mes fillimit dhe fundit, por një bashkëjetesë e të dyjave. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse korridori nuk mbetet më vend kalimi, por bëhet vend kujtese- një vend ku jeta rikthehet për të kuptuar vetveten.
Kjo poezi i përket qartë modernizmit intim dhe simbolik, dhe njëkohësisht i qaset edhe më thellë rrymës moderne të intimitetit dhe simbolikës, ku përvoja e brendshme nuk shpjegohet, por shndërrohet në imazh dhe ndjesi. Në këtë mënyrë, një korridor i thjeshtë bëhet hapësirë shpirtërore, ku sendi, koha dhe ndjenja ndërthuren dhe marrin frymë së bashku, duke e kthyer jetën në një çast të zgjatur përjetimi.
7. Shtresëzimi i figurave: si lindin imazhet nga ndërthurja e figurave të tjera dhe zgjerojnë botën e poezisë
Në këtë pikë poezia duket sikur fillon të zbulojë mekanizmin e saj të fshehtë. Në poezinë e Natasha Lako, figuracioni nuk ndërtohet si një vijë e vetme, por si një grumbull shtresash që rriten njëra mbi tjetrën, duke e kthyer imazhin në një organizëm të gjallë që nuk mbyllet dot në një kuptim të vetëm. Poezia nuk ecën përpara si rrëfim, por thellohet si një frymëmarrje që gjen gjithmonë një shtresë tjetër nën atë që sapo u hap, dhe çdo figurë duket sikur lind nga bashkimi i dy figurave të tjera që nuk shihen më veçmas.
“Vetëm një varëse në korridor”
Në pamje të parë kemi një send të thjeshtë, por ky send nuk mbetet kurrë i vetëm në kuptim, sepse që në çastin e parë ai fillon të mbartë mbi vete një figurë të dytë, atë të kujtesës që nuk shprehet, dhe një figurë të tretë, atë të pritjes që nuk mbaron. Kështu varësja nuk është më objekt, por një nyje e vogël ku takohen kohët që kanë kaluar dhe ato që ende nuk kanë ardhur. Që nga ky moment, çdo varg duket sikur e rindërton poezinë nga brenda.
a.Te vargu:“një plaçkë që tregon udhët varet” ndodh shtresëzimi i parë i dukshëm, sepse sendi bashkohet me udhën, dhe udha vetë bëhet kujtim, ndërsa kujtimi merr formën e një objekti që rri i varur si të kishte mësuar të mbante mbi vete peshën e largimeve. Këtu imazhi nuk formohet nga një figurë e vetme, por nga bashkimi i sendit me lëvizjen, dhe nga lëvizja me kujtesën, duke krijuar një imazh të tretë që nuk i përket më as njërës prej tyre veçmas.
b.Më tej, figura e tjetrit nuk vjen e pastër, por si një bashkim i dy gjendjeve që e ndërtojnë trupin e tij në mënyrë të dyfishtë.
“herë i lagur nga qielli,
herë i lyer nga balta”
Këtu imazhi formohet nga përplasja e dy figurave të mëdha, qiellit dhe tokës, të cilat nuk qëndrojnë si përshkrime të thjeshta, por mbivendosen mbi njëra-tjetrën duke krijuar një trup që nuk i përket vetëm dritës apo vetëm rëndesës. Ai bëhet një shtresim i gjallë i dy botëve që nuk ndahen dot, dhe pikërisht nga ky bashkim lind figura e njeriut të dyzuar, që mban brenda vetes të gjithë horizontin e përzier të ekzistencës.
c.Pastaj, në një çast të qetë por thellësisht transformues, ndodh një zgjerim i papritur i figurës: “fytyra jote bëhet qiell”
Këtu imazhi nuk ndërtohet më nga bashkimi i figurave, por nga shkrirja e tyre në një hapësirë të vetme, ku fytyra dhe qielli nuk dallohen më si dy realitete, por si një shtresë e re ku ndjenja e zgjat formën e saj përtej trupit. Kjo është një pikë ku figura nuk përshkruan më, por hapet dhe e thërret hapësirën të bëhet pjesë e saj.
ç.Edhe koha hyn në këtë proces shtresëzimi, duke humbur natyrën e saj lineare dhe duke u shndërruar në një gjendje të përthyer. “ka një sekondë të madhe”
Këtu sekonda nuk është më një njësi e vetme, por një bashkim i kohës me ndjenjën, ku çasti dhe përjetimi mbivendosen deri në atë pikë sa nuk mund të ndahen më. Ajo zgjatet si një shtresë e hollë drite që mban brenda vetes peshën e një takimi të plotë.
d.Në fund, të gjitha këto shtresa figurative fillojnë të afrohen dhe të bashkohen në një nyje të vetme ku imazhet humbin kufijtë e tyre fillestarë.“Mblidhet vera dhe dimri,/malli dhe pritja, puthja dhe vrulli”
Këtu nuk kemi më figura të veçuara, por një bashkim të figurave që krijojnë një imazh të ri, ku stinët bëhen ndjenja dhe ndjenjat bëhen lëvizje. Është sikur vetë korridori t’i ketë mbledhur këto shtresa dhe t’i ketë ulur pranë njëra-tjetrës, duke i kthyer në një peizazh të vetëm të brendshëm.
Në këtë mënyrë, poezia nuk ndërton imazhe të thjeshta, por krijon një proces të vazhdueshëm shtresëzimi, ku çdo figurë lind nga një tjetër dhe e çon më tej kuptimin e saj. Dhe pikërisht në këtë bashkim të figurave që nuk mbyllen, por hapen vazhdimisht, poezia e Lako-s fiton atë thellësi të qetë ku një send i zakonshëm fillon të marrë frymë si një botë më vete. Dhe në fund kuptojmë se korridori nuk është më një vend kalimi, por një hapësirë që merr frymë bashkë me kujtesën, dashurinë dhe vetë jetën.
Sarandë, prill 2026
Në korridor
Vetëm një varëse në korridor,
atje në çdo stinë,
një plaçkë që tregon udhët varet,
(ne të dy gjithmonë,
aty ngatërrojmë shallet).
Ti drejt meje vjen,
herë i lagur nga qielli,
herë i lyer nga balta,
unë i ndjej që larg,
kollën tënde dhe hapat.
Pastaj më pikon shiu yt në ballë,
(fytyra jote bëhet qiell)
ka një sekondë të madhe,
ka një sekondë në korridor,
që tregon udhët dhe ndarjet.
Me asnjë çast dashurie
s’mund ta këmbesh këtë,
as heshtje,
as zë.
Mblidhet vera dhe dimri,
malli dhe pritja, puthja dhe vrulli,
në korridor nis dashuria rrugët e mëdha,
hapat e para ose të fundit.