Ikim e vijmë, e ikim përsëri…Tomi Buzi

 
Ikim, vijmë, ikim e kthehemi sërish si shiu ,
Ngarkuar me halle,
derte, psherëtima pa fund..
mbuluar nga dallgët e jetës,
e pastaj zhduken përsëri,

Sikur shkojnë tjetërkund..
Ikim, bashkë me ne, vjen e ikën
edhe malli..
si psherëtima jonë që lëm pas
hijeve të shpirtit tonë
Ikim, ikim largë
ku rrugët kryqëzohen nën drita verbuese ,
e jeta rrokulliset tutje,
si një planet i fshehur thellë,
atje ku veç klithma rënkon.


Ikim, ikim njëri pas tjetrit nën vorbullën
e mëndjes së çoroditur
Ikim atje ku asgjë nuk na pret,
veç disa psherëtima
më shum,
Mbytur në pasthirrma të heshtura..
Që ngrihen, e zhyten përsëri shpirtit,
përfund !


Ikim, ikim larg truallit ku hodhëm
hapat e parë,
ku thirrëm të parën herë,
Nën ! Bab !
Ku klithmat e heshtura të tyre përmbyteshin thellë në t’qarat tona..
E cimostra e djepit mbështillte
shpargun,
bashk me hapat e tyre në prag !!


Ikim, ikim e vijmë si beduin,
të lagim buzën e tyre të holluar nga erërat
pa fund të jetës që lam pas,
t’ju shuajmë pak mallin sa jan gjall,
aty ku i lam,
pran oxhakut pa zjarr, dimërave të ftohtë,
pran pragut verërave përvëluese,
pran mallit, që se shuan kurrë,
asnjë lot !


Ikim !
Ikim e vijmë aty te pragu i vjetër ,
aty ku ndërtuam shtëpi të bukura,
të reja ,
vijmë e shkojmë të heshtur,
të turpëruar nga vetja ,
kur s’kemi kë thërrasim më,
vijmë aty, ku dhe pragu i plakur nga heshtja, nuk shkëlqen si dikurë..
sikur na thotë:
Ata, s’ju përgjigjen dot më..
Ikim, vijmë, e përsëri ikim larg, larg ,
duke mar me vete mall,
mall dhe psherëtima,
ndërsa dhimbja,
gurëzohet ç'do ditë si varg..
Tomi Buzi.
Itali.
01.05.2026.