“Ngjyra në Vargje”-Shon Malaj

Shon Malaj

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Poetëve Shoqata e Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” Vlorë mori pjesë në veprimtarinë letrare me titull “Ngjyra në Vargje”, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Lushnjës, aktivitet i cili u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Lushnjës.

Në këtë takim poetik morën pjesë përfaqësues nga disa qytete të vendit, mes tyre Lushnja, Vlora, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina. Shoqata “Petro Marko” u përfaqësua nga poetët Flora Meçaj, Shon Malaj, Vullnet Bilbili dhe Kozma Billa, të cilët interpretuan krijimet e tyre përpara publikut dhe pjesëmarrësve.

Të ftuar nderi në këtë aktivitet ishin Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prof. Dr. Shyqyri Galica, si edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Albi Lushi. Në veprimtari mori pjesë gjithashtu edhe Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e cila mbështeti organizimin e këtij aktiviteti kulturor.

Aktiviteti u çel nga kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Lushnjës, Emine Boriçi, ndërsa konkursi poetik mblodhi rreth 51 krijues nga qytete të ndryshme të vendit. Poetët prezantuan poezitë e tyre në një atmosferë artistike dhe mjaft emocionuese.

Në përfundim të konkursit, juria shpalli fituesit, ku u vlerësua me çmim edhe poetja e Shoqatës “Petro Marko” Vlorë, Flora Meçaj, duke sjellë një tjetër sukses për krijuesit vlonjatë. Fituesit u nderuan gjithashtu edhe me shpërblime monetare.

Një element i veçantë i kësaj veprimtarie ishte botimi i përmbledhjes poetike “Ngjyra në Vargje”, ku ishin përfshirë krijimet e poetëve pjesëmarrës. Gjithashtu, të pranishmëve iu shpërnda edhe numri i pestë i revistës letrare “Magjia e Fjalës”, botim periodik që pasqyron jetën kulturore dhe krijimtarinë letrare.

Veprimtaria u karakterizua nga një organizim i kujdesshëm dhe një frymë e ngrohtë bashkëpunimi artistik, ndërsa në fund organizatorët shtruan edhe një drekë për të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit