Analizë shpirtërore mbi lirikat e mrekullueshme të mikes sime poete:Lumturi Lapardhaja Demiri-Migel Flor

Migel Flor

Nuk e di pse e ndjeva kaq të nevojshme të shkruaj për poezinë e saj. Ndoshta sepse ka njerëz që, para se t’i njohësh si poetë, i ndien si shpirtra ëngjëllorë.. Lumturi Lapardhaja Demiri është njëra prej tyre.

Një grua e ëmbël si vetë lirika që shkruan.
M’u kujtuan fjalët e poetit Kastriot Feta në një shkrim tek muri i saj në f.b.. mbasi u takuan ne një kafe në Boston…

“Lumturi Lepardhaja Demiri, nuk je vetëm si gjenezë fisnike, por duket sikur e ke shpikur vetë fisnikërinë; kafja me ty i ngjau një dreke në Luvër.”

E njoha virtualisht për herë të parë në “Orën Poetike”, pranë Mimoza Hoxha Agastra dheAleksander Shallvari Që në herën e parë më bëri përshtypje ngrohtësia me të cilën mbështeste poetët e ftuar dhe dashuria e sinqertë që shfaqte për poezinë. Një grua flokëbardhë, me qetësinë e një engjëlli dhe mirësinë e njerëzve që nuk kanë nevojë të flasin shumë për të treguar vlerën e tyre.
Sa herë une prisja Orën poetike dhe me padurim futesha te dëgjoja ajo kishte arritur gjithmonë para meje..Humanizëm, fisnikëri…shembull i mbeshtetjes dhe dashurisë për miqtë e rinj e të vjetër dhe poezitë e tyre..

Por ajo që më bëri përshtypje edhe më shumë ishte lirika e saj. Një lirikë e pastër, që të rrëshqet në mendje e në zemër pa zhurmë, si një rreze e butë drite që hyn nga dritarja e shpirtit.

Lirika e Lumturisë buron nga hapësirat më intime të qenies njerëzore. Ajo nuk është poete e shpërthimeve të mëdha retorike, as e figurave të stërngarkuara që kërkojnë të mahnisin me çdo kusht. Forca e saj qëndron te sinqeriteti emocional dhe aftësia për ta kthyer përjetimin e brendshëm në një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme dhe thellësisht njerëzore.

Në poezitë e saj bashkëjetojnë vetmia, malli, pritja, dashuria dhe humbja. Këto nuk paraqiten si tema abstrakte, por si përvoja të jetuara, të kaluara nëpër zemrën e një gruaje që njeh si ëmbëlsinë, ashtu edhe hidhërimin e jetës.

Tek poezia “Ka një çast…”, poetja ndalet te ai moment i dhimbjes personale që nuk mund të ndahet me askënd. Është një poezi mbi kufijtë e komunikimit njerëzor. Ka plagë që nuk shkruhen: njerëzit nuk mungojnë, por mungojnë fjalët. Autorja e shpreh këtë me një ndershmëri prekëse. Ajo nuk kërkon keqardhje dhe nuk thërret për ndihmë. Përkundrazi, pranon se disa vuajtje janë pronë e shpirtit dhe duhen mbajtur në vetmi. Pikërisht kjo e bën poezinë të fitojë një dimension filozofik, duke prekur vetminë ekzistenciale të njeriut.

Ndërsa tek “Trishtimi i Shtegut”, autorja kalon nga bota e brendshme tek simbolika e natyrës. Shtegu bëhet personazh. Ai nuk është më një vend fizik, por një qenie që ndjen mungesën, që kujton dhe pret. Kjo është një nga veçoritë më të bukura të poezisë së saj: aftësia për t’u dhënë shpirt elementeve dhe dukurive të natyrës.

Bari, lulet, petalet, pylli, agimi dhe ylli nuk janë dekor poetik. Ato marrin pjesë në dramën emocionale të poezisë. Mungesa e figurës së dashur nuk prek vetëm zemrën e autores; ajo duket sikur trondit vetë rendin e natyrës. Pranvera ndalet, sythet ngrijnë dhe shtegu humbet kuptimin e ekzistencës së vet. Kjo mënyrë e të shkruarit e afron Lumturinë me traditën më të bukur të lirikës shqiptare, ku peizazhi dhe gjendja shpirtërore shkrihen në një të vetme.

Poezia “Ikje” është ndoshta më refleksivja ndër të trijat. Këtu nuk kemi më pritjen romantike, por përballjen me largimin. Personi i dashur paraqitet si një enigmë që mbetet e pazgjidhur. Autorja pranon kufijtë e njohjes njerëzore: mund të jetosh pranë dikujt, ta duash, ta mendosh të njohur, e megjithatë ai të mbetet një mister. Kjo ide i jep poezisë një thellësi të veçantë psikologjike.

Në planin stilistik, poezia e Lumturi Lepardhaja Demirit karakterizohet nga muzikaliteti i brendshëm, vargu i rrjedhshëm dhe figuracioni natyral. Ajo përdor me dashuri elementet e natyrës si mjete shprehëse të shpirtit. Lulet, zogjtë, yjet, pylli, deti, shtegu dhe agimi janë pjesë e pandarë e universit të saj poetik.
Një tjetër veçori e rëndësishme është feminiteti i ndjeshëm që përshkon krijimtarinë e saj.

Lirika e Lumturisë është lirikë e shpirtit. Ajo flet për ato gjëra që nuk maten me kohën dhe as me arsyen: për mallin, kujtimet,mungesën, pritjen, dashurinë dhe dhimbjen. Pikërisht sepse buron nga përjetimi i sinqertë, poezia e saj arrin të komunikojë me lexuesin pa imponim, duke lënë pas vetes një ndjenjë të gjatë reflektimi.

Kjo është arsyeja pse vargjet e saj lexohen si rrëfime të zemrës. Ato nuk pushtojnë mendjen me argumente, por të prekin shpirtin me ndjenjë.Kur poezia arrin të prekë thelbin e qenies njerëzore, atë limfë të padukshme që ushqen emocionin, ajo e ka përmbushur misionin e saj më të lartë.

Me dashuri dhe respekt:

Migel Flor.